Ç’do të thotë kur 'RD' flet për distancimin nga Berisha…

Ç’do të thotë kur 'RD' flet për distancimin nga Berisha…

Qendrimi i një gazetari pranë Berishës një ditë më parë, se ish-kryeministri kësaj radhe nuk do të jetë indiferent në vendimet e PD-së, por do jetë aktiv, u mor si sinjal, po megjithatë u duk si ata goditjet e vogla me biz që tashmë janë bërë të “zakonshme” në PD, ku ka më shumë se dy rryma, të ndikuara nga vendimi i SHBA për Sali Berishën.

Megjithatë, një lajm i botuar dhe postuar në rrjetin e saj social nga Rilindja Demokratike, përbën një zhvillim të rëndësishëm. Ndoshta mund të hiqet, ndoshta mund të cilësohet jo relevante, por gjithsesi nuk kishte ndodhur ndonjëherë në këto 30 vjet që RD të publikonte një lajm ku thuhet se “PD duhet të distancohet nga Berisha”.

Berisha? Është vërtetë Saliu? Duket se po! Personi që flet është Jonila Godole, sekretarja më e re e të përndjekurve politikë në Partinë Demokratike. Një pedagoge në Universitetin e Tiranës, që përpara vitit 1997, ka qenë një reportere e Koha Jonë, superkritike e Sali Berishës-President.

Ka mundësi që lobe të djathta në PD mund të dalin këto ditë me pretendimin se ç’ne Jonila me të përndjekurit, por në shumë vite ajo ka qenë në krye të disa studimeve që janë udhëhequr e financuar nga gjermanët për të sjellë integrimin  e të përndjekurve të komunizmit dhe Lustrimin që nuk ka ndodhur. Dhe Godole ka qenë më shumë se zëdhënëse, pavarësisht a ka qenë apo jo e përndjekur e regjimit komunist.

Por thelbi, megjithatë nuk është deklarata e Godoles, sesa lajmi i RD-së. Ku jemi sot? Realisht çfarë po ndodh? Kaosin në fakt e përkthejnë edhe komentet në rrjetin social të PD-së, ku militantë të PD-së, madje edhe mjaft të kualifikuar, deri edhe drejtues dikur, kërkojnë llogari nga kryeredaktori i RD-së.

Sipas gjasave, po ndodh ajo që pritej, që vendimi i SHBA për të larguar Sali Berishën si deputet i PD-së, të ketë reflektim pak a shumë edhe në politikën zyrtare të PD-së. Siç normalisht pritej, Lulzim Basha është fshehur, dhe i ka dhënë zë Jonilës dhe RD-së për ta publikuar.

Për të gjithë ata që e njohin zhvillimin e PD e cilësojnë realisht të rëndësishëm këtë fakt, por që me kohën, me risitë, me zhvillimet, nuk mjafton. Pasi duket se po bëhet një lojë, ku sipas gjasave Berisha është pjesë dhe e di këtë gjë.

E këtë e dekonspiroi një përfaqësues mediatik i klanit Berisha, i cili deklaroi dje se ish-Presidenti do të jetë aktiv në zhvillimet në PD, jo si 8 vjet më parë, por do të japë qëndrimin e tij. Pra që Sali Berisha do të jetë një korrent, një fraksion i Partisë Demokratike.

Politikisht Sali Berisha nuk është fraksion, por është thjesht një lob, Fraksion janë të gjithë ata politikanë të PD-së që për 2 muaj kanë thënë atë që mendojnë për Lulzim Bashën dhe PD-në, dhe janë përjashtuar nga çdo forum i partisë më të madhe opozitare. Pse? Se janë kundër Lulzim Bashës?

Po kundër Lulzim Bashës, duket se është edhe Berisha, e tha Peka mbrëmë qartësisht. E Berisha vijon të jetë në struktura, thjesht se ka qenë president e kryeministër.

Po Nishani? U degdis vetëm se është kundërshtar i Bashës, e prej kësaj beteje ish- Presidenti nuk thirret fare as në mediat e Berishës. Të vetmit që i japin hapësirë ish-kreut të shtetit, ish-ministrit të Brendshëm, ish-ministrit të Drejtësisë, janë ato që janë kritike ndaj Lulzim Bashës, por edhe Sali Berishës.

E gjitha kjo panoramë, jep një tablo se kemi të bëjmë me një lojë më shumë sesa me një zhvillim. PD, nuk ja mban të flasë për Sali Berishën dhe SHBA, edhe pse ky i fundit e sfidon përditë. PD ka ndëshkuar të gjithë ato që kanë folur troç për largimin e Berishës nga grupi parlamentar.

Po nesër, do të ndëshkohet Godole, apo RD? Sipas gjasave, asnjëra nga palët. Do të ketë komente e kritika nga berishjanët e thekur, e në fund do të vihet një lloj paqeje. Lulzim Basha, duket do ta mbyllë me kaq angazhimin e tij publik e politik në lidhje me Sali Berishën. i cili ka mundësi të jetë shefi i fraksionit “radikal” të PD-së, e nëse Basha vjen në pushtet krijon parti të re. Si Vuçiçi me Sheshelin…/ Gazeta Tema

 

Lajmi i postuar në faqen e RD dhe komentet

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë