Pas botimit në numrin e djeshëm të pjesës së parë, ku studiuesi Cefa fokusohej më shumë në rastin e të vërtetës së marrëdhënieve të At Gjergj Fishtës me pushtuesit fashistë italianë, pjesa e dytë sjell vijimin e argumenteve, për të gjithë akuzat drjetuar klerit katolik për “mbështetje ndaj pushtuesve fashistëve”.
Vijon nga dje
Besoj, se vetem këto fjalë që shkrova (në pjesën e parë të këtij shkrimi), e që janë të dokumentuara me shkrim, mjaftojnë t’u përgjigjen fjalëve të profesorit se kleri katolik e “mirëpriti” pushtimin fashist e se Fishta“nuk mundi t’i shpëtojë tundimit që i bëri fashizmi”.
Pastaj, nuk na duket e drejtë të përgjithësohet qëndrimi i tërë klerit katolik me qëndrimin e ndonjë rregulltari a kleriku të veçuar që shkruan për “Pëllumbat e Krishtit”. Po t’i kishte shkruar këto fjalë kryeipeshkvi metropolitan, që perfaqësonte klerin katolik, katolikëve u duhet ta ulin zërin në këtë rasë.
Në periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare, pa ndonjë angazhim direkt, pergjithësisht, kleri u afrua, në parim, me Ballin Kombëtar që përfaqësonte idenë kombëtare, Shqipërinë Etnike, por nuk hyni në partinë e Ballit.
Edhe gjindet ndonjë rast i rrallë, si: Dom Zef Shestani që punonte me rininë balliste. Kleri katolik shqiptar e dinte çfarë do ta gjente nën komunizmin ateist, se e kishte parë në Bashkimin Sovjetik.
Kleri katolik përfaqësoi elementin më kundërshtar ndaj fashizmit në vendin tonë, duke perjashtuar ndonjë klerik , si: D. Lazer Shantoja e P. Bernardin Palaj që kishin bindjen se ideja fashiste do ta përballësojë idenë bolshevike: kruente e ateiste që në 1939 kishte zhdukur, pothuaj, tërë klerin e vet të krishterë. Sa per pader Bernardinin, dimë që është kritikuar nga provincialati per përzierje në çështje politike, më 1925, madje deri në kërcnim për ndeshkim brenda Urdhërit.
Unë që kam listën e klerit katolik në tryezë, shoh se shumë më tepër janë klerikë antifashistë se klerikë “profashistë”. Kujtojmë këtu klerikët e internuar a të arratisur, si: Pader Anton Harapi, P. Lekë Luli, P. Gjon Shllaku, P. Atanas Gegaj, si edhe klerikë tjerë, si: P. Frano Kiri, P. Donat Kurti, P. Justin Rrota, Dom Nikollë Mazrreku, D. Ndre Zadeja, P. Pjeter Meshkalla, P. Aleks Baqli, P. Zef Pllumi etj., etj. antifashistë të thekur.
Dom Nikoll Mazreku dhe at Zef Pllumi ne gjyq 1968
Politikisht, Fishta akuzohet, se 1) “Ka përgatitur pushtimin fashist”, (Në asnjë dokument të derisotëm nuk del ndonjë firmë nga Fishta (veç ndonjë artikull), as nga kleri katolik që të kenë thirrë a përgatitë pushtimin fashist. (Pastaj edhe nga kleri katolik pati të internuar, e të arratisur nga fashizmi).
Më tregonte P. Frano Kiri, atëherë drejtor i shkollës françeskane: “Unë nuk i kam xjerrë nxanësit me përshëndetë fashistat. Ndersa shkolla shtetnore i ka xjerrë”. Kanë ardhë e më kanë ba presion. E pra, drejtori i përgjithshem i shkollave françeskane ka qenë Fishta!
2) Eshtë përpjekur të fashistizojë popullin tonë; 3)“Ka përshëndetur pushtimin fashist”; pohime të hjedhura në erë, pa kurrfarëvërtetësie.
Fishta ka kenë ksenofob, më thonte P. Viktori, komentuesi më i sakti, më i vërteti e më i besueshmi i Fishtës, e ka shkruar Valentini dhe e dokumenton “Lahuta... Për të huajt në Shqipëri (italianët) Fishta shkruante: në satirën “Barabba” (1898)
“Kot me rrahun uj n’havan:
Se ktu i hueji s’ka çka ban.
Barni rraqet, pra, edhe shkoni…”.
Ndërsa për të huajt që vinin si miq, shkruante: “... bukën para por t’ia shtroni... me i besue mos u besoni”
Fishta pranoi që Shqipnia të jetë nën udhëheqjen e Princit të Savojës, per të ruajtur kufijtë etnikë të atdheut, sikur me 1911 pranoi që Shqipëria të rrinte në çadrën e sulltanit per të ruajtur kufijtë etnikë të atdheut. (“… do të kishte kenë dam fort ma i vogël me vuejtë nën zgjedhë të turkut, se me kenë gri prej kristianëve” (Proza 1, f.324). Njashtu si pranoi të rrinte nën Princ Vidin, pikërisht për të ruajtur kufijtë, e atdheut.
Pranuan edhe një radhë politikanësh që Italia të dërgonte një princ nga shtëpia e Savojës per fronin e Shqipërisë. Përmendim: M.Kruja, M.Libohova, Mehdi Frasheri, Turhan Pasha, L.Gurakuqi (më i rezervuari) etj. As në telegramin drejtuar Duçes që ftojnë Italinë me kusht të na garantojë pavarësinë e integritetin…(shih, K. Cefa, “Nëpër gjurmët e Fishtës” f.86-87), nuk figuron asnjë firmë kleriku katolik, as në pohimin e Valentinit: “ Ernesti (Koliqi) me Mustafen (Kruja), me D. Lazrin (Shantoja), me Sheuqet Verlacin, Gjon Marka Gjonin, me Kolë Bibë Mirakaj, u zhgënjyen e u hidhëruan shpejt, kur nga ana italiane u ndërruan kartat në tavolinë e iu dha regjimit të ri një impostim jo komunuelth, siç ishte bashkëpajtuar, por një perandori. Por zarja e hedhur qëndronte e fiksuar në tavolinë e kush mundte ta terhiqte”? Në Dergatën e 12 prillit Fishta qe pjesëtar, por pa të drejtë fjale. Kleri katolik ngarkoi të flasë Pader A. Harapin e jo Fishten. Mendojmë se Fishta ka qenë dakord me çka do të thojë Pader Antoni, ndryshe nuk do të kishte shkuar, aq më tepër, për të firmosur. Antoni njihej si antiitalian, madje kishte pasë përndjekje nga Italia. Me këtë, kleri donte t’i thonte Italisë, se qëndrimi i P. A. Harapit, është njëkohësisht qëndrimi i mbarë klerit katolik.
Nji ditë pyeta Pader Justinin: Pader, pse ka kryesuar në Dergatë një françeskan, kur dihet që klerin katolik e përfaqëson kleri dioqezan, Kryeipeshkvi metropolitan, ipeshkvi etj., dhe pse nuk qe kryesor Fishta, poeti kombëtar. M’u pergjigj: Kryeipeshkvi ka diskutuar me P. Antonin e kanë përgatitur çfarë do të flasë P. Antoni në mbledhje. Fishta ishte afruar me Italinë, se nuk shihte alternativë tjetër, Pader Antoni njihej si kundërshtari më i fortë.
(Sa shkrova, ma kanë dëshmuar gojarisht P. Justin Rrota para 1964, e Dom Mikel Koliqi, Kardinali, anëtar i kësaj Dergate ku perfaqësonte klerin dioqezan, mbas 1992). Një herë tjetër, më bisedonte P. Justini,”na mblodhi Fishta në rafretorium e na tha: “Sot do të vijë e do të na flasë një personalitet fashist. Të mos mungojë kush”. U mblodhem. Kur hyri Fishta me personalitetin fashist, u ngritën dhe dolën jashtëP. Gjon Shllaku (i torturuar e i pushkatuar më vonë nga diktatura), P. Lekë Luli ( i torturuar e i pushkatuar nga diktatura), P. A. Harapi (i torturuar e i pushkatuar), P. Atanas Gega, P. Antonin Fishta e ndonjë tjetër që s’po më kujtohet.
At-Gjon-Shllaku
Edhe një indikacion i besueshem:
“Sot asht zhvillue takimi me Cianon në Legatën Italiane në Tiranë... Nga pala shqiptare ishin: Gjon Marka Gjoni, Pater Anton Harapi, Ndoc Pistulli, Zenel Broja e të tjerë. Arsyetimeve të Cianos për rendin e ri që do të sillte... Gjon Marka Gjoni iu pergjigj shkurt: “Nuk i kemi pasë fjalët kështu. Na e kemi kërkue ndihmën italiane për rrëzimin e Zogut, por jo per ta zevendsue me pushtimin italian, as me bashkimin e kunorave”... Por Pater Antoni, gjoja tue perkthye fjalët e Gjonit, iu pergjigj Cianos se populli shqiptar pikësëpari mendonte per pavarsinë e vet politike e se nuk do të pranonte asnji “rend”, sado i mirë t’ishte, po të mos respektonte pavarsinë e sovranitetin e shtetit dhe të popullit shqiptar...Ndoc Pistulli në emër të asamblistave shkodranë lexoi deklaratën e perpiluar prej Pater Anton Harapit...”.(Ejell Coba, “Jetë e humbun”, T.2012, 126-7).
Fishta ka qenë i bindur se Shqipëria mund të ruajë kufijtë e të zhvillohej vetëm me mbështetjen e një shteti të madh. Austro-Hungaria e, më vonë, Italia interesoheshin per Shqipërinë, per një Shqipëri jo të cunguar. Astro-Hungaria ndiqte politikën e luftës kundër pansllavizmit. Për këtë, aspironte ose të pushtonte Shqipërinë që të mos lejonte sllavët të delshin në Durrës, të pushtonin Veriun shqiptar, ose të ringjallnin ndërgjegjën kombëtare nëpërmjet shkollave, a duke përgatitë kuadro etj. etj., që shqiptarët të ndërgjegjësoheshin e ta mbronin vetë atdhenë e tyre. Zgjodhi rrugën e dytë. Rivaliteti austro-italian mbante pezull fatin e Shqipërisë. Fishta shkruan: “Desh Austria e Italia, / prandej n’veti duel Shqipnia”.”Veprimeve austro-italiane u shoqëroheshin edhe manevrat dinake të qeverisë osmane, që nuk deshi të pranonte as humbjen e Shqipërisë, as pavarësinë e saj”, shkruante Fishta në Letrën derguar V. Prendushit. Fishta kishte të rrënjosur bindjen se Shqipëria nuk i kishte elementet e nevojshme per t’u themeluar si shtet i pavarur. Fishta nuk njihte teorinë e mbështetjes në forcat e veta, sikurse nuk e njifnin as nacionalistët tjerë. Enver Hoxha e shpiku, populli e vuajti. Teza e Fishtës ishte: “ Shqipnia me Italinë”. “Unë nuk them që italianët do ta shpëtojnë, por them e pohoj se askush nuk mud ta humbasë Shqipërinë pa pelqimin e qeverisë italiane. Të ashtuquajturit nacionalistë shqiptarë e kanë hedhur poshtë formulën Shqipëria me ndihmën e Italisë, por ata nuk kanë mundur akoma të na percaktojnë një formulë tjeter politike...”.
Pra, deri më 1918 Fishta donte mbrojtjen austriake. Madje tallej me synimet italiane: “Orëpremja Itale Vlonen e DurrcinLakmon der n’Tale. Pse i muer çikënKjo Malit t’ ZiDon me i dhanë Shkoder Plavë e Guci.
Mandej erdhen ngjarjet që bënë jehonë: Konferenca e Paqes (e Fishta kishte formulën “Shqipnia me ndihmën e Italisë”); Kongresi i Lushnjes, Lufta e Vlonës, (Në prozën, “Kufijt e Shqypnis” Fishta deklaroi“Pa Vlonë nuk ka Shqypni”! Edhe pse, për interesa kombëtare mund të pranonte alternativë), ngjarje që të ndërrojnë mendim, të ndërrojnë qëndrim, të ndërrojnë rrugë. Marrëdhëniet e reja me Italinë i shikonte me dyshim e mosbesim e i demaskonte me bindje e energji. Fishta demaskoi qëndrimin antishqiptar të Italisë në çështjen e Shkodrës (në këmbim me Fiumen; në mbrojtjen ndaj Esat Toptanit, në çeshtjen e Princ Vidit)... Gjatë vjetëve 1913-1914 Italia komplotoi kunder ekzistences së shtetit shqiptar. Kujtojmë pastaj Luftën e Vlonës, qëndrimin antiitalian tek poema “Palokë Cuca”(1922), ku tallë propaganden italiane ndër njerëzit e thjeshtë, predikuar nga shkollat e huaja që pa na shkimbin çdo ide kombëtare. Kam pasur bindje se Shqipëria nuk mund të formohej, veçse me ndihmën e një fuqie të madhe dhe se, pas zhdukjes së Austro-Hungarisë, vetem Italia ishte ajo që do të kishte pasur të gjithë interesin të formonte një Shqipëri, mundësisht sa më të madhe”. (Lufta e pop.shqip. për çlirimin kombëtar 1918-1920, v.II, f.214-219}.
Për të mos u zgjatë, po citojmë konsullin jugosllav për klerikët katolikë:
“Që janë antisllavë, e kam dijtë; që janë antiitalianë, nuk ma ka marrë mendja”. (Fjala është për qarqet politike agresive).
“Ditën kur u pushtue Shqipnia, takova Dom Ndre Zadejën, më thonte një plak, po shkonte me thanë meshën. I thashë: Dom Ndre, Italia po pushton Shqipninë. Iu mbushen sytë me lot e u largue tue thanë: “Eh, Shqipnia e shkretë, tesh po humbë””. (kalimthi po shënoj se poeti i “Letres së hapun” kundër Kordinianit u torturua e u u pushkatuamë 1945). Kardinal Koliqi më ka tregue: Dom Ndrenë e kanë mundue shumë. Kam pasë qelinë ngjitë me qelinë e Dom Ndreut. Pa pushim, ndigjojshe tanë dhimbje, eh, eh. E njofta se ishte zani i Dom Ndreut.
Sa herë që Italia kishte synime ekspansioniste ndaj Shqipërisë, Fishta ishte italofob.
Sa herë që e sillnin konjukturat pro Shqipërisë, Fishta bëhej italofil. Shumë politikanë nuk panë rrugë tjeter.
7 prilli permbysi mendime protektorati, asistence, komunuelthi e bashkimi. Qe vetem pushtim. Italia gënjeu sheshazi, se kishte premtuar se do të ruhej pavarësia e Shqipërisë, mashtroi haptazi qëndrimin e vet pushtues.
Fishta ishte per Shqipërinë me Italinë, jo nën Italinë;
për bashkëpunim, jo per nënshtrim;
per zhvillim paralel, jo të diferencuar;
për një Shqipëri të zhvilluar europiane, jo të privuar e të izoluar.
Fishta mbetet flamurtari më i madh i Shqipërisë europiane!
Një episod: Tek po bisedojshim një ditë, Pader Marini (Sirdani) më pyeti:
-Hee, Kolec, çka ke lexue?
-Iu përgjigja: Kam lexuar veprën tande, Pader, “Shqypnija e Shqyptarët”.
-A të ka pelqye?
-Po pader, veç pak faqeve, (atyne që flitshin per Italinë e Musolinin).
-U kuq e m’u drejtue: “Ndigjo, Kolec, mos i lexo librat me sytë e komunistavet. Më foli per klerin ortodokës e musliman. Mandej shtoi: “Kleri katolik ka kenë krejt patriotik, veç ndonjë rasti të veçantë, të cilin e ka dënue vetë kleri. I vetmi gabim që kemi ba, asht se jemi afrue me Italinë ma shumë se duhej”.
-Perfundoj: Fishtës iu ba një nderim i veçantë ditën e vorrimit. Homelinë e mbajti Imzot Thaçi, i cili, nder tjera tha: “Para dy-tri ditësh shkova me pa Fishtën në spital, më tha: “Po më vjen keq, se po ju la Shqypninë e pushtueme”.
Fishta:“Dersa t’mundem me ligjrue/E sa gjall’ me frymë un jam/ Kurr, Shqypni,s’kam me t’harrue/Edhe n’vorr me t’permend kam”.
Donat Kurti
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)