TIRANË- Nuk ka gjasë që BE të rikthejë regjimin e vizave me Shqipërinë. Kjo është përgjigja që kreu i qeverisë, Edi Rama i ka dhënë opozitës, pas deklaratës së bërë sot nga Komsioni i Rithemelimit ku bënë fakt të kryer që Çekia ka kërkuar të vendosen vizat me vendin tonë. Rama e cilëson si një thashethem, ndërsa shkruan se të gjithë e dinë se kujt i është vënë viza, duke iu referuar këtu ish-kryeministrit Sali Berisha. Rama shkruan se Berishës ‘non grata’ nuk mund t’i hiqet kjo ‘vizë’.

"Të gjithë e dinë se kujt i është vënë viza në Shqipëri, askush mos çuditet si e qysh përhapet thashethemi se BE-ja do kthejë regjimin e vizave! Nongrata nuk ka shans të hiqet, vizat nuk ka gjasë të vihen dhe opozita e rublave sado të japë shpirt s’ka për të hequr dorë", shkruan Rama. 

Ky qëndrim i Ramës, vjen pas reagimit të Komisionit të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë, të cilat bënë fakt të kryer që Çekia, e cila mban radhën e Presidencës së BE-së, ka kërkuar që të vihen viza për Shqipërinë dhe Serbinë, që qytetarët të lëvizin me vizë në BE, kjo për shkak të rritjes së madhe të emigrantëve që shkojnë në BE përmes Serbisë. Sa i takon këtij lajmi që ka qarkulluar në disa media, por nuk ka asnjë reagim zyrtar nga BE.  

Floriana Garo tha se qytetarët duhet të dalin në protesta pasi është e rëndësishme që qytetarët të lëvizin të lirë dhe nuk mund të rikthehet regjimi. Ndërkohë, që Tedi Blushi shkroi se keqqeverisja e  Ramës po rrezikon lëvizjen e qytetarëve.