Çelet ekspozita “Retrospektivë” e Simon Shirokës në GKA

 
TIRANË, 19 Shtator / ATSH/ - Në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, u çel sot ekspozita "Retrospektivë" e artistit të njohur kosovar Simon Shiroka.
Midis familjarëve të artistit (gruas dhe dy vajzave të tij), plot mysafirëve nga Kosova ardhur posaçërisht për aktivitetin, si dhe në praninë e Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, dy drejtorët e Galerive të Arteve në Kosovë e Tiranë, Erzen Shkololli dhe Artan Shabani, u shprehën thuajse njëzëri se kjo ekpozitë e Shirokës, duhet të ishte me patjetër e prezantuar edhe në Shqipëri.
Ambasadori Selimi në fjalën e rastit, pasi përgëzoi familjarët e Shirokës për ruajtjen me kujdes të disa prej 133 punimeve që u prezantuan në këtë ekspozitë, falënderoi edhe GKA-në për bashkëpunimin e suksesshëm, si dhe përshëndeti Ministren Kumbaro për realizimin e marrëveshjes së nënshkruar prej disa kohësh midis dy qeverive për bashkpunimin në fushën e artit dhe të kulturës, ku si pjesë e kësaj marrëveshje erdhi edhe ekspozita "Retrospektivë".
Nga ana tjetër, Kumbaro në fjalën e saj përpara të pranishmëve u shpreh se "jemi në një hapësirë që kultura na e lejon të jemi më të çlirët nga protokolli, duke qenë se flasim për artin dhe aq më tepër për një figurë si Simon Shiroka".
Sylejman Selimi, Mirela Kumbaro, dhe Erzen Shkololli
"Ka rreth 8 muaj që ka nisur puna për realizimin e kësaj ekspozite, e cila vjen si një organizim i përbashkët i dy qeverive, dhe unë kam nderit të flas sot këtu përpara njerëzve të nderuar të familjes së artistit, i cili duhet të ishte patjetër prezent edhe në Tiranë ", u shpreh Kumbaro. Sipas saj, "edhe pse jo në jetë, ai është dhe do të jetë gjithmonë i pranishëm midis nesh, nëpërmjet veprave të tij".
Ekspozita e cila është përkufizuar si "një sjellje multidisiplinore" përveç shtrirjes në etapa të ndryshme të krijimtarisë së artistit, paraqiti disa punime të papublikuara më parë nga Shiroka.
Veprat e artistit të cilat ishin të përfshira në këtë retrospektivë dhe që paraqisnin punën e tij duke filluar që nga vitet 1960 deri në 1990, janë pjesë e koleksionit privat të familjes së tij.
Rozeta, grafikë, skulpturë e teknikës së kombinuar si dhe vizatimet e fundit të artistit, u realizuan prej tij deri në kohën kur ai nuk mund të punonte më punë fizike, dhe disa prej tyre, Shiroka i ka realizuar vetëm pak para ndarjes nga jeta në vitin 1994.
Ditmir Bushati gjatë ekspozitës
Edhe Akademiku Eqrem Basha ka shkruajtur për artistin: "Nga tradita popullore, Shiroka nuk mori vetëm mjeshtërinë e përpunimit të argjendit dhe materialeve të tjera fisnike, por edhe figuracionin, ornamentikën popullore, etnografinë, por edhe psikologjinë dhe besimin e njeriut tonë"." Nuk është vetëm totemia, folklori, mistika dhe ornamentika e shpirtit të kësaj treve dhe këtij populli ajo që e dallon krijimtarinë e tij artistike, por edhe një shpirt i veçantë i artistit, që me dashuri dhe fanatizëm të pazakonshëm digjej dhe jetonte për të".
Simon Shiroka ka lindur në vitin 1927 në Prizren, të Kosovës.
Ai ishte një mjeshtër i madh i artit të realizuar në teknikën e filigramit.
Pasi mori dorë nga mjeshtrit dhe filigramistët më të shquar Prizrenas, ai vazhdoi ushtrimin dhe shkollimin e mëtejshëm së pari në Beograd e pastaj në Zagreb, e për t'u kthyer në  Prishtinë dhe për të nisur një veprimtari tepër të pasur artistike, ku me veprat e tij artistike ai ka lënë gjurmë të thella në artin kosovar dhe më gjerë.
Gjatë karrierës së tij, Shiroka ka pasur një numër të madh ekspozitash personale dhe kolektive në Kosovë dhe në shumë vende të tjera.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 5 Tetor të 2014.
/k.m//m.m/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Futbollisti shqiptar në histori, i shënon PSG-së pas vetëm tre minutave lojë! Kupa e Francës sjell çudira