Në qytetin e Korçës është çelur një ekspozitë e veçantë kushtuar vezëve të Pashkës, një iniciativë që ndërthur artin, traditën dhe simbolikën shpirtërore të kësaj feste të rëndësishme.

Ideja për këtë ekspozitë lindi nga një udhëtim, gjatë një vizite në Rumani ku babai i organizatores Maria Shukulli u njoh me një muze të dedikuar vezëve të Pashkës. Fillimisht, ai solli vetëm një vezë si kujtim dhe për ta vlerësuar nga afër, por kjo përvojë u kthye në frymëzim për diçka më të madhe, duke qenë se familja e tij ka rrënjë të forta artistike.

“Idea lindi nga im atë sepse përherë ka pasur shpirtin e udhëtarit dhe duke udhëtuar në Rumani ka ndeshur me muzeun e parë të vezës së Pashkës. Mori vetëm një vezë për ta vlerësuar. Ne jemi një familje artistësh dhe kështu lindi kreativiteti dhe idea për ta kthyer në diçka më shumë. Këto vezë janë më tepër së për dekorim. Veza e Pashkës ka simbolin e jetës, të ngjalljes, të shpresës dhe detyrimisht nëpërmjet shumë motiveve ajo e shpreh këtë simbol. Të gjitha janë bërë me dorë nga bojra organike të krijuara nga bimët” tha Shukulli

Ekspozita dallon për faktin se nuk paraqet thjesht vezë të dekoruara, por vepra arti që mbartin një simbolikë të thellë.

Veza e Pashkës përfaqëson fillimin e ri, jetën, ringjalljen dhe shpresën mesazhe që përçohen përmes çdo detaji të punuar me dorë.

Autorët e veprave janë kryesisht vajza artiste nga vende të ndryshme të Evropës Lindore, si Ukraina, Rumania dhe Bullgaria, duke i dhënë ekspozitës një dimension ndërkombëtar.

Vezët përbëhen nga dylli dhe bojëra organike, duke ruajtur kështu autenticitetin dhe traditën. Procesi i punës kërkon përkushtim ku sipas organizatorëve vezët më të vogla realizohen në pak orë, ndërsa ato më të mëdha mund të kërkojnë nga një deri në dy javë punë intensive.

“Është një ekspozitë unike. Zgjodhëm Korçën sepse si në Korçë nuk festohen pashkët askund. Kjo ekspozitë do të jetë shëtitëse të sjellim një element të vogël si veza por me shumë kuptim, siç është rilindja dhe ringjallja. Në këtë shkatërrim që po ndodh në botë, kjo ekspozitë vjen me mesazh rilindjeje” tha Julian Napoleoni

Në këtë ekspozitë të veçantë mori pjesë dhe mitropoliti i Korçës Imzot Anastasi i cili përgëzoi këtë aktivitet të rëndësishëm.

Ai shtoi se është veçanërisht emocionuese që kjo ekspozitë hapet në prag të Javës së Madhe të Pashkës, duke uruar për të gjithë besimtarët një javë të bekuar dhe festa të gëzuara.

“Veza është simbol i jetës sidomos për ne të krishterët ortodoksë. Është emocionuese që kjo ekspozitë hapet në vigjilje të javës së shenjtë të Pashkës. Iu uroj një javë të bëkuar e të mbarë e Pashka të na gjejë gëzuar” tha ai.

Kjo është hera e parë që një ekspozitë e tillë organizohet në këtë formë, me synimin që të kthehet në një traditë të përvitshme. Zgjedhja e Korçës nuk është rastësore, pasi qyteti njihet për atmosferën e veçantë me të cilën festohen Pashkët.

Ekspozita nuk do të mbetet vetëm në Korçë. Organizatorët kanë planifikuar që ajo të jetë shëtitëse, duke udhëtuar edhe në qytete të tjera si Tiranë, Berat, Fier dhe Gjirokastër.