Dy ditë më parë, sekretari amerikan i Luftës, ish-gazetari i Fox News, Pete Hegseth, u gjend në qendër të një incidenti që mori përmasa të pazakonta në opinionin publik amerikan. Gjatë një vizite ceremoniale në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pranë Varrit të Ushtarit të Panjohur, ai, bashkëshortja dhe një pjesë e stafit të tij u filmuan duke biseduar me zë të lartë dhe duke qeshur. 

Por ndodhi diçka e pazakontë. Një ushtarak amerikan, i ngarkuar me shërbimin pranë monumentit, ndërhyri dhe u kërkoi sekretarit të Luftës dhe njerëzve të tij të pushonin, të mbanin qetësi dhe të respektonin vendin ku prehen ata që dhanë jetën për Amerikën.
Pamjet u përhapën me shpejtësi dhe gjesti i ushtarit u kthye në një debat kombëtar. Në thelb, megjithatë, nuk ishte fjala për një incident protokollar, as për një konflikt mes një ushtari dhe një ministri. Ishte një çështje shumë më e madhe, respekti për të rënët nuk njeh grada, poste apo hierarki politike. Përpara varrit të një ushtari të panjohur, edhe ministri duhet të dijë të heshtë.

Dita e Përkujtimit të të Rënëve, e shoqëruar çdo vit me ceremoni dhe parada në qytete të ndryshme amerikane, dëshmon për një respekt të jashtëzakonshëm ndaj atyre që kanë rënë në fushëbeteja. Dhe kjo, pavarësisht se jo të gjitha luftërat amerikane kanë qenë të drejta, të nevojshme apo të mirëkuptuara nga të gjithë.
Amerikanët mund të grinden për luftërat e tyre, për politikanët që i nisin dhe për arsyet që i justifikojnë. Por kur vjen puna te ushtari që nuk u kthye më, debati merr fund.
Ndërkohë, në Shqipëri...

Prej vitesh më ka bërë përshtypje një skenë që përsëritet çdo vit në Korçë. Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada Franceze për nder të ushtarëve francezë të rënë dhe të varrosur në këtë qytet, marrin pjesë përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Gjysma e qeverisë, autoritete vendore, drejtues të institucioneve, përfaqësues të Parlamentit, madje edhe Garda e Republikës. Kurora me lule, përkulje solemne, fjalime dhe fotografi protokollare.
Të gjitha këto për të nderuar sakrificën e kujt?

Të ushtarëve francezë, një pjesë e mirë e të cilëve vinin nga kolonitë e largëta të perandorisë franceze. Senegalë, vietnamezë, kongolezë, guajanë dhe të tjerë, që përfunduan në Korçë gjatë Luftës së Parë Botërore. Shumë prej tyre nuk ranë në ndonjë betejë heroike, por u shuan nga tifoja dhe sëmundje të tjera, larg vendeve të tyre, në një qytet që me gjasë nuk e kishin dëgjuar kurrë përpara se fati dhe uniforma franceze t'i sillnin aty.

Nuk kam asgjë kundër këtij nderimi. Përkundrazi. Franca meriton respekt për kujdesin që tregon ndaj ushtarëve që mbanin uniformën e saj, pavarësisht nëse ishin lindur në Paris, Dakar apo Hanoi. Një shtet që nuk i braktis të vdekurit e vet, edhe kur ata kanë ardhur nga skajet e perandorisë, dëshmon një kulturë të caktuar të kujtesës.
Por pyetja ime është tjetër, çfarë e detyron shtetin shqiptar të zbresë me gjithë këtë aparat ceremonial nga Tirana në Korçë, për të nderuar ushtarë të një ushtrie të huaj, ndërkohë që vetëm disa kilometra më tutje, dëshmorët shqiptarë presin më kot një tufë lulesh?

Në Vidohovë, fare pranë Korçës, ndodhet një monument i historisë sonë kombëtare. Aty ranë ushtarë shqiptarë gjatë atyre që njihen si Provokacionet e Gushtit të vitit 1949. Ishin djem që luftuan për kufijtë e vendit të tyre. Përtej çdo interpretimi politik që mund t'i bëhet asaj periudhe, ata ishin ushtarë që kryen detyrën ndaj vendit të tyre dhe nuk u kthyen më në shtëpi.

Por çfarë ka mbetur sot nga kujtesa e tyre?
Monumenti është lënë në harresë. Posta kufitare ku u zhvillua qëndresa është rrënuar. Monumenti i ngritur dikur nga shteti komunist është rrethuar nga ndërtime banimi dhe është zhveshur nga dinjiteti i tij. Busti i komandantit që u vra duke luftuar është zhdukur. Shkollës që mbante emrin e kapitenit nga Dukaj i Tepelenës,  Memo Nexhipi, një prej atyre që ranë në atë përballje, i kanë hequr emrin.

Dhe çdo vit, kur vjen përvjetori i kësaj ngjarjeje, kujtimi i dëshmorëve mbahet gjallë nga një grusht njerëzish të moshuar. Njerëz që vit pas viti bëhen më të paktë, ndërsa shteti bëhet gjithnjë e më i zënë me punë të tjera.
Ja pra, ky është paradoksi ynë.

Për ushtarët e huaj gjejmë kohë, protokoll, kurora dhe përfaqësim të nivelit më të lartë. Për ushtarët tanë  harrese. 
Dhe ndërsa shoh debatin që ka përfshirë Amerikën për ndërhyrjen e një ushtari të thjeshtë, i cili nuk ngurroi t'i kërkonte edhe sekretarit të Luftës të respektonte heshtjen e të rënëve, më vjen ndër mend sjellja jonë ndaj historisë dhe heronjve tanë.

Ndoshta problemi ynë nuk është se kemi harruar të bëjmë ceremoni. Përkundrazi, ceremonitë i kemi me bollëk. Kemi harruar kuptimin e tyre.
Nderimi i të rënëve nuk është një shëtitje e ministrave me kurora në duar. Nuk është një fotografi për arkivin e institucionit dhe as një fjalim i shkruar nga ndonjë këshilltar. Është detyrimi për të ruajtur kujtesën e atyre që nuk patën mundësi të ktheheshin në shtëpi.
Prandaj sot kur shikoj debatin e zhurshëm që ka kapur Amerikën mbi incidentin në fjalë  rri e mendoj,

A ia vlen  më të vdesësh për Shqipërinë?

Sepse një atdhe që harron të rënët e tij, herët a vonë, do ta ketë të vështirë t'u kërkojë të gjallëve të besojnë tek ai.
Informacion Plotesues
Sipas dokumenti arkivor në Shkollën Franceze të Athinës, (École française d'Athènes) pregatitur nga Henri Ducoux (1935–1940),   konfirmohet se në varrezat Franceze të Korcës janë varrosur  640 ushtarë të Armatës së Orientit   me kombesi si më poshtë:
Francezë
Algjeri
Marokene
Indokina ( Vietnam) 
Korea
Senegal
Burkina Faso
Madagaskar

Sipas revistes franceze të kohës “Petit Futé”, "Pjesa me e madhe e ushtarëve   vdiqën në Spitalin ushtarak të Korcës  nga semundjet"
Po keshtu "disa ushtarë në këtë varreze  janë vrareë në përleshjet e 13 Shtatorit  në marjen e Pogradecit  nga Regjimenti i Parë i Spahinjve Maroken."
Spitali Francez i Korcës.  Shkurt 1917.
Drejtuesi   Major Canonne.
Njesia Spitalore  Ambulance 13/21.Pacientë ushtarë të Divizionit 76, Armata e Orientit

Fotot:
foto 1.Autoritetet shqiptare dhe Ministrja e Arsimit  në perkujtimin e ushtareve koloniale  vdekur në Shqipëri në Luftën e parë Botërore. 
foto 2.Garda e Republikes dhe autoritet shqiptare gjatë ceremonisë. 
foto 3. te moshur duke përkujtuar Luften e Vidohoves ku ushtarët shqiptarë u vranë nga trupat qeveritare greke.
foto 4. ushtare koloniale  Vietnameze ne Korce
foto 5.Ushtarakë Franceze në inspektim trupat afrikane në frontin e Korces