FIER- Bashkëshortë në jetë e tani edhe në skenë, Andia Xhunga dhe Indrit Çobani kanë interpretuar në shfaqjen “Iluzione bashkëshortore”, e cila ka çelur sezonin e ri në teatrin “Bylis”.
“Ka qenë pak e vështirë në fillim, sidomos gjatë procesit të analizës, por pastaj u munduam të hynim te mentaliteti i këtyre personazheve, në një mentalitet tjetër, dhe filluam ta shikonim nga një këndvështrim tjetër. Është një kënaqësi shumë e madhe të interpretoj me Indritin. Ndonjëherë harrojmë ta ndajmë nëse jemi burrë e grua në jetë apo burrë e grua në role. Por këtë duhet ta zbulojë publiku”, tha Andia Xhunga, aktore
Bashkë me ta ka interpretuar edhe Donald Shehu në shfaqjen që vjen nën drejtimin e regjisorit Artan Imami, i cili është njëkohësisht edhe skenograf i shfaqjes.
“Pyetja që ngrihet në këtë komedi është nëse sinqeriteti 100% brenda çiftit e forcon jetëgjatësinë e martesës, apo të vërtetat janë edhe paksa të rrezikshme. Përgjigjen e kësaj pyetjeje spektatori e merr duke parë shfaqjen. Problematikat e martesës nuk njohin kufij gjeografikë”, tha Artan Imami, regjisor.
Sezoni i ri i Teatrit “Bylis” do të vijojë për katër muaj me premiera dhe rivënie. Në program janë shfaqjet “Mama”, “Për një fjalë goje”, “Prindër të dashur” dhe “Zonja e bujtinës”, ndërsa trupa e teatrit do të sjellë dy premiera nën regjinë e Astian Shehajt.
Në repertor rikthehet edhe “24 orë nga jeta e një votuesi”, me regji të Driada Dervishit.









Komente
Komento