Çelet sezoni i verës në pikat turistike
nga Saranda në Vlorë

TIRANE- Ka nisur nga Jugu i vendit sezoni turistik i verës. Qyteti i Sarandës u gjallërua këtë fundjavë nga veprimtaritë argëtuese, ku qytetarë, drejtues të pushtetit lokal, miq e të ftuar, uruan në ditën e parë të çeljes së sezonit turistik në qytetin jugor për një sezon të mbarë. Ministrja Eglantina Gjermeni, e cila gjendet në Sarandë këtë fundjavë për çeljen e sezonit turistik, zhvilloi takime me Kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa dhe deputeten e zonës, Luiza Xhuvani, ku diskutoi për bashkërendimin e punës në ditët në vazhdim.

Saranda këtë vit është më e përgatitur se kurrë për të pritur një fluks të shtuar turistësh, ka theksuar Çipa. Sipas tij, ka disa risi të tjera që qyteti ofron këtë vit, janë shtuar sipërfaqet e gjelbërta, ka përmirësime të ndjeshme në infrastrukturën turistike. Qyteti ka 119 asete arkeologjike, të cilat do të jenë më të frekuentuara këtë vit falë edhe infrastrukturës, por edhe mbështetjes që është dhënë nga Ministria e Turizmit dhe qeveria. Çipa vuri në dukje se do të ketë përmirësime të ndjeshme të furnizimit me ujë, ushqimet do të jenë bio dhe me çmime konkurruese.

‘Këtë vit nuk do të ketë ujëra të ndotura sepse ka filluar impianti i përpunimit të këtyre ujërave, do të ketë plazhe publike me sipërfaqe të shtuara. E gjithë sipërfaqja që është në Gjirin e Sarandës, nga Butrinti e deri tek porti do të jenë plazhe publike të administruara nga Bashkia’, deklaroi ai. Vitin e kaluar llogaritet të kenë vizituar Sarandën rreth 500 mijë vizitorë, ndërsa këtë vit autoritetet parashikojnë që ky numër të rritet me rreth 20% rritje.
 
Vlora
Gjatë ditës së djeshme ka nisur në Vlorë edicioni i gjashtë i Festivalit Aulona Interfolk, një event ndërkombëtar, në të cilin marrin pjesë grupe vallëzimi nga vende të ndryshme të Europes. Ky event u bë i mundur falë mbështetjes nga Agjencia Kombëtare e Turizmit. Sakaq, po dje është çelur edhe në Vlorë hapja e sezonit veror për turistët. Me rastin e këtij eventi, Bashkia e qytetit bregdetar kishte organizuar një serë aktivitetesh. Agjencia Kombëtare e Turizmit ka qenë pjesë e axhendës për organizimin e veprimtarisë dhe ka çelur një ekspozitë fotografike, ku kanë qenë të shfaqura imazhe fotografike të peizazheve më të bukura të bregdetit të Vlorës.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit