Lugina e Valbonës, ndonëse në kushte moti me reshje të dendura shiu, ka çelur të shtunën zyrtarisht sezonin turistik, ndërsa Bashkia Tropojë synon që këtë vit të ketë një tjetër rritje të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj në Alpet Shqiptare.
Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, u shpreh se dita e hapjes së sezonit është një festë për të gjithë zonën turistike të veriut të vendit. Ai tha se janë marrë të gjitha masat për një sezon sa më të mbarë, duke vënë theksin te ruajtja dhe promovimi i turizmit në Valbonë dhe Alpet Shqiptare.
Byberi bëri të ditur se, në bashkëpunim me bizneset turistike të Valbonës dhe zonave alpine, pritet një rritje e ndjeshme e turizmit malor gjatë këtij sezoni veror.
Kryebashkiaku theksoi gjithashtu rëndësinë e “Konventës së Alpeve”, ku përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja ranë dakord për bashkëpunim në mbrojtjen dhe promovimin e Alpeve Shqiptare si një hapësirë turistike dhe natyrore që bashkon rajonin.
Një tjetër faktor që pritet të ndikojë në rritjen e turizmit, sipas Byberit, është edhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore drejt Malit të Zi. Bashkia Tropojë, me financim të qeverisë shqiptare, ka përfunduar segmentin rrugor prej 27 kilometrash nga Dragobia deri në pikën kufitare me Malin e Zi, ndërsa pritet që pala malazeze të nisë së shpejti asfaltimin e rrugës drejt Plavës dhe Gucisë.
Bashkia Tropojë shpreson që sezoni turistik 2026 të sjellë një numër më të lartë turistësh krahasuar me vitin 2025, kur Valbona dhe Alpet Shqiptare u vizituan nga mbi 200 mijë turistë vendas dhe të huaj.
Komente










