Qyteti i Bajram Currit u përfshi nga një atmosferë festive pasditen e së shtunës, ku 12 Tupanxhitë e Tropojës pushtuan sheshin dhe pedonalen e qytetit në kuadër të edicionit të 24-t të “Sofrës Dardane”.
Nën ritmet karakteristike të tupanëve, “Çikat e Tropojës”, të veshura me kostume tradicionale shumëngjyrëshe, defiluan nëpër rrugët e qytetit të shoqëruara nga dhjetëra qytetarë dhe vizitorë që iu bashkuan atmosferës festive.
Defilimi e shndërroi qendrën dhe rrugët e Bajram Currit në një festë të traditës dhe kulturës tropojane. Buçimat e tupanëve, vallet dhe entuziazmi i pjesëmarrësve krijuan emocione të veçanta për të pranishmit, ndërsa qytetarë të të gjitha moshave u bënë pjesë e kësaj mbrëmjeje festive që promovoi trashëgiminë kulturore të Tropojës dhe të gjitha trevave shqiptare.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të edicionit të 24-t të festivalit “Sofra Dardane”, me moton “Jam Dardan – Jam UÇK”, organizuar nga Unioni i Artistëve të Kombit Shqiptar në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë dhe Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Një nga momentet më të veçanta të këtij edicioni ishte edhe valvitja e një flamuri të madh kombëtar nga Hysen Shala, emigrant nga Drenica që jeton në Zvicër. Ai kishte udhëtuar së bashku me bashkëshorten nga Zvicra në Kosovë dhe më pas në Tropojë për të marrë pjesë në “Sofrën Dardane”.
Shala u shpreh se flamurin e ka mbajtur dhe valëvitur në protestat ku ka marrë pjesë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Sipas tij, flamuri kombëtar dhe UÇK-ja mbeten krenari për mbarë kombin shqiptar.
"Po të jetë nevoja këtë flamur do ta valvis edhe në New York, pasi flamuri dhe UÇK janë krenari mbarë-kombëtare dhe ishalla kombi shqiptar bashkohet sa më shpejtë, i bashkon trojet dhe forcat politike", u shpreh ai.
Komente









