TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar pretendimet e Partisë Demokratike për “trenin bullgar” të pretenduar për ngjarjen e Peqinit, ku opozita deklaroi se kishte kapur fletë votimi në një lokal dhe që përdoreshin nga PS për manipulim të procesit.
Pas Policisë së Shtetit, që rrëzoi PD-në duke deklaruar se nuk ishin fletë votimi sipas ekspertimit të kryer, vjen edhe përgjigja zyrtare nga ana e KQZ-së. Në shkresën që KQZ i ka dërguar përfaqësuesit ligjor të PD-ADSHM, Franc Nuri, mbi kërkesën për ekspertim të datës 23 maj, thuhet qartë se asnjë fletë votimi zyrtare e KQZ-së nuk ka dalë jashtë qendrës së votimit nr. 45 Peqin, (fshati Pekisht).
"Gjatë procesit të marrjes në dorëzim të bazës materiale të dërguar nga KZAZ nr. 45, Peqin, nuk është evidentuar ndonjë rast ku fletë votimi të papërdorura të jenë administruar jashtë kutive të materialeve zgjedhore të kësaj KZAZ-je", thotë Celibashi në shkresën drejtuar Franc Nurit të PD-së.
PD pretendoi më 22 maj se fletët e votimit të gjetura në lokalin në fshatin Pekisht të Peqinit, në pronësi të kryeplakut Dervish Beqiri, ishin përdorur për manipulimin e votave përmes Trenit Bullgar. Por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Shqiptarja.com përmes një investigimi zbuloi se fletët e votimit në Peqin ishin thjesht "faksimile" të KQZ për trajnime dhe pa vula. Nga këqyrja rezultoi se këto fletë nuk kishin as vulën e KQZ-së dhe as firma. Por PD pretendoi që të bënte edhe një ekspertim privat, duke dërguar shkresa shtesë. KQZ dhe Policia kanë rrëzuar tashmë të dyja pretendimet e opozitës për “trenin bullgar” me procesin dhe fletët e votimit.
Vetë kryeplaku i fshatit Pekisht konfirmoi për Report Tv fletët e votimit ishin thjesht faksimile për të edukuar qytetarët.
Çfarë është treni bullgar?
“Treni bullgar” nënkupton një teknikë klasike të mashtrimit zgjedhor. Mjafton që vetëm një fletë votimi origjinale dhe me vulën e KQZ, e paplotësuar, të dalë në mënyrë të paligjshme, jashtë qendrës së votimit. Sapo ajo del jashtë qendrës, plotësohet nga subjektet e interesuara për një kandidat a parti të caktuar. Fleta i jepet një votuesi me të cilin është rënë dakord paraprakisht për këtë skemë të paligjshme. Ai hedh në kuti fletën e para-plotësuar, ndërsa fletën që i jep komisioni zgjedhor, e fsheh dhe nxjerr sërish jashtë qendrës së votimit duke e dorëzuar te organizatori. Këtu rifillon cikli, por PD pavarësisht akuzave, nuk ka mundur të vërtetojë me prova asnjë rast.
Komente

