Çelja e sezonit turistik në Gjirokastër, Meta mes këngëve e valleve: I mundur rekomandimi pozitiv për negociatat

Presidenti i vendit Ilir Meta ka nisur çeljen e sezonit turistik në jug të vendit, pas vizitës së tij në Skrapar dhe aktiviteteve të shumta, sot ndodhet në Gjirokastër. Kreu i shtetit nga Gjirokastra ka thënë që janë të gjitha mundësitë që deri në qershor duke bashkëpunuar të gjithë, jam i bindur se është tërësisht e mundshme që rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian të shoqërohet nga një vendim pozitiv i Këshillit të vendeve anëtare.

Meta ka thënë që Gjirokastra është shëndërruar në një magnet për turistët vendas dhe të huaj, dhe ky sezon turistik do të jetë mjaft i suksesshëm dhe tepër premtues.

Pyetje: Dy fjalë në fillim për sezonin turistik dhe praninë tuaj në Gjirokastër, ju lutem?

Presidenti Meta: Kënaqësi e jashtëzakonshme që jam në Gjirokastër. Është e jashtëzakonshme, sepse gjithmonë ka zhvillime të reja, pozitive dhe ngaherë ka rritje të interesit për Gjirokastrën, e cila është shndërruar në një magnet për turistët vendas e të huaj. Jam i bindur se edhe ky sezon turistik që sapo është çelur, do të jetë mjaft i suksesshëm dhe duket tepër premtues, sepse sot kemi takuar përveç qytetarëve, edhe shumë turistë të huaj, të cilët sapo kanë ardhur dhe të cilët paralajmërojnë një sezon të suksesshëm e tepër të mbarë turistik.

Ajo që doja të doja të theksoja sot në mënyrë të veçantë është një vëmendje më e madhe për të ruajtur vlerat muzeale, kulturore e historike të jashtëzakonshme që ka Gjirokastra, nga rreziku i degradimit dhe i shkatërrimit. Në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm një bashkëveprim dhe koordinim i të gjitha institucioneve vendore e qendrore, një mbështetje më e madhe, pasi këto janë vlera të papërsëritshme e të parikthyeshme. Dhe sot, më shumë se asnjëherë tjetër duhet vepruar edhe me më shumë energji, me më shumë angazhim dhe mbështetje, në mënyrë që t’ua lemë si trashëgim edhe brezave të ardhshëm. Pasi janë edhe një burim mirëqenie, përveç se një arsye e fortë për të rritur krenarinë e gjirokastritëve dhe të gjithë shqiptarëve.

Pyetje: Mendoni se nuk e ka marrë vëmendjen e merituar përgjatë këtyre viteve të fundit?

Presidenti Meta: Mendoj se në Gjirokastër janë bërë mjaft ndryshime dhe zhvillime pozitive, por ka një prapambetje të konsiderueshme do të thoja të reagimit në kohë, të planifikuar, afatgjatë, në planifikimin e këtij degradimi, prandaj duhet edhe më shumë përqendrim, koordinim, bashkëveprim dhe mbështetje, sot edhe në të ardhmen, sepse e theksoj se janë vlera që nuk mund të rikthehen apo nuk mund të mbrohen më vonë.

Pyetje: Zoti Meta, si i konsideroni lëvizjet e fundit në Prokurori? Sipas jush, a janë lëvizje politike?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment përveç sezonit turistik, i cili ka filluar shumë mbarë si në Skrapar, Përmet, edhe sot në Gjirokastër.

Pyetje: Po për integrimin e Shqipërisë? Mendoni se do të marrë dakordësinë e vendeve të Bashkimit Evropian?

Presidenti Meta: Besoj se janë të gjitha mundësitë deri në qershor duke u përqendruar të gjithë në ato kërkesat, të cilat dihen se kanë të bëjnë me përparësitë kyçe të këtij procesi. Duke bashkëpunuar të gjithë, jam i bindur se është tërësisht e mundshme që rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian të shoqërohet nga një vendim pozitiv i Këshillit të vendeve anëtare.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?



×

Lajmi i fundit

Përfundon periudha tranzitore për dinarin, nga sot gjoba

Përfundon periudha tranzitore për dinarin, nga sot gjoba