Celula terroriste në Tiranë
dërgoi 50 xhihadistë në Siri

Celula terroriste në Tiranë<br />dërgoi 50 xhihadistë në Siri
TIRANE- Tetë persona, mes tyre imamët e vetëshpallur të dy xhamive në periferi të Tiranës  të cilët u arrestuan dje dyshohen se janë  përfshirë në rekrutimin e 50 qytetarëve shqiptarë për të luftuar me grupet e opozitës në Siri.

Prokuroria për Krimet e Rënda në bashkëpunim me Policinë e Shtetit arrestoi në orët e para të ditës së djeshme shtatë persona, mes tyre janë Genc Balla, imam i xhamisë tek Unaza e Re në Tiranë dhe Bujar Hysa, imam në xhaminë e Mëzezit, të akuzuar për nxitje të akteve terroriste. Në orët e pasdites u arrestua dhe një tjetër person  si njëri ndër personat e tjerë që rekrutonin shqiptarë për të luftuar në Siri.

Policia tha se 5 persona të dyshuar si organizatorë dhe financues të kësaj celule janë shpallur në kërkim pasi ndodhen në Turqi dhe Siri.

HETIMI, ZBARDHET ITNERARI I REKRUTIMEVE
Prokuroria për Krimet e Rënda në bashkëpunim me policinë ka nisur hetimet rreth një vit më parë. Dyshohet se 13 personat, 8 prej të cilëve të arrestuar, kanë rekrutuar rreth 50 persona për të luftuar në krah të opozitës në Siri. Policia dyshon se të rinjtë kryesisht nga Elbasani, Librazhdi, Pogradeci dhe Tirana, frekuentonin dy xhamitë në periferi të Tiranës. “Nga hetimet ka rezultuar se dy xhamitë nuk ishin të licensuara dhe nuk kishin asnjë lidhje me Komunitetin Musliman në Tiranë”, thanë burimet policore. Gjatë kohës që merrnin predikime për fenë e Islamit, të rinjtë rekrutoheshin për t’u dërguar në Siri.

Policia tha se nga hetimet dyshohet se janë mbi 50 persona që janë dërguar prej këtij rrjeti në Siri dhe katër prej tyre kanë mbetur të vrarë. Verdi Morava, 46 vjeç, akuzohet se financonte organizatorët për të bërë të mundur dërgimin e besimtarëve në Siri. Dyshohet se ai paguante paratë për sigurimin e biletave të avionit. Policia ka zbardhur itenerarin e të rekrutuarve. Ata niseshin nga Shqipëria drejt Turqisë, ku qëndronin disa ditë dhe më pas dërgoheshin në Siri. Asnjëri prej personave që janë dërguar në Siri nuk është kthyer deri më tani.

Arrestimet
Pas hetimeve intensive policia organizoi një operacion për kapjen e të dyshuarve. Kontrollet janë ushtruar në orët e vona të natës duke u gdhirë dita e djeshme (11 mars), në dy xhamitë në Unazën e Re dhe Mëzez.

Në banesën e të vetëshpallurit Imam i Xhamisë së Mëzezit, Bujar Hysa, u gjetën dy aparate telefoni celular, disa karta memorie telefoni celular dhe aparat fotografik, kartë identiteti në gjuhën arabe, si dhe një sërë kontrata depozitash bankare në emër të shtetasit Bujar Hysa dhe në emër të disa shtetasve të tjerë, disa libra fetarë, mes të cilëve libri ”Asgjësimi i teorisë së  përzierjes së fesë Islame me fetë e tjera”. Në banesën e njërit prej organizatorëve u gjetën dhe fishekë e armë. Policia tha se po vazhdojnë hetimet për të identifikuar financuesit e dy xhamive si dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
 
 Të arrestuarit:
Genci Balla, 35 vjeç, i vetëshpallur Imam, organizator
Bujar Hysa, 43 vjeç, i vëtëshpallur Imam, organizator  
Edmond Balla, 25 vjeç, organizator
Zeqir Imeri, 34 vjeç, organizator, pjesëmarrës
Verdi Morava, 47 vjeç, financues
Fadil Muslimani (Dervishi), ndihmës
Astrit Tola, 42 vjeç, ndihmës
Orion Reçi, 37 vjeç, rekrutonte shqiptarët
 
REAGIMI/ BESIMTARËT: AKUZAT JANË SAJESË
Besimtarë të xhamisë tek Unaza e Re, shprehen të indinjuar në lidhje me operacionin e policisë mëngjesin e djeshëm. Ata hedhin poshtë akuzat për rekrutim të besimtarëve muslimanë për të luftuar në Siri dhe deklarojnë se policia dhunoi institucionin e fesë. ”Mua më qëlloi të hap xhaminë dhe pashë që xhamia ishte mbushur  me maska e të armatosur. Hynë në xhami me këpucë e çizme, në tapetet ku njerëzit ecin pa këpucë.

Kërkonin për armë e tritol”, u shpreh besimtari, duke shtuar se urdhri për kontroll, i ishte vënë në dispozicion vetëm pasi policia kishte kryer operacionin dhe po largohej. Përfaqësuesi i besimtarëve muslimanë, hedh poshtë të gjitha akuzat dhe kërkon lirimin e imamëve, por dhe besimtarëve të arrestuar. “Asnjë besimtar s’ka bërë vepër penale. Njerëz që praktikojnë Islamin urdhërojnë të ndahen nga e keqja. Shteti e ka sajuar, nëse duan le ta vazhdojnë, por kjo është luftë ndaj Islamit. Ata janë edukatorët tanë. Na kanë mësuar ne të sillemi mirë dhe të largohemi nga e keqja”. 
 
Shkrimi u publikua sot (12.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë