TIRANE - INSTAT ka përfunduar përpunimin e të dhënave të mbledhura nga censusi dhe pritet të deklarojë rezultatet më datë 13 Dhjetor. Por Top-Channel nga burime diplomatike në Tiranë, ka mundur të sigurojë përfundimet e Censusit 2011, për dy prej aspekteve më të rëndësishme të tij, që janë kombësia dhe feja. Pyetjes në formularin e censusit që lidhet me kombësinë i janë përgjigjur si shqiptare 83 % e të pyeturve. Një e dhënë tjetër interesante lidhet edhe me numrin e minoritetit grek në Shqipëri për të cilin ka patur debate të vazhdueshme. 0,87 % është numri atyre që e kanë deklaruar kombësinë si greke, ndërsa 0,2 % janë deklaruar me kombësi maqedonase.

Të dhënat për besimin fetar të shqiptarëve të mbledhura nga censusi, tregojnë se 57,12% janë deklaruar si myslimanë, 10,11% katolikë, ndërsa 6,8% ortodoks. Ateistë janë deklaruar 2,52%, Bektashianë 2,11% ndërsa evangjelistë 0,11%. Rezultatet e censusit që lidhen me kombësinë, pritet të prodhojnë debate të forta vecanarisht nga shoqatat e minoritetit grek, të cilat janë shprehur kundër censusit dhe kanë ndërmarrë një rregjistrim të tyren të minoritarëve në jug të vendit. Nje tjeter shifër qe bie në sy, është ajo e komuniteteve fetare, më sakte atij te krishtere, ku per here te pare zyrtarisht bashkesia katolike sipas shifrave te censusit, eshte me e madhe se ajo ortodokse.

Disa javë më parë, INSTAT publikoi disa të dhëna paraprake nga ku rezulton se popullsia e Shqipërisë është 2,831,741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3,069,275. Vihet re se numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë. Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri, popullsia e cila jeton në zonat urbane është më e madhe se ajo në zonat rurale. Kështu, 53.7% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 46.3% në zonat rurale. Censusi 2011 në Shqipëri është i 11-ti në historinë e censuseve të kryera në vendin tonë. Ai është pjesë e censuseve të planifikuar nga UNECE/Eurostat në të gjithë botën.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com (print), 8 dhjetor 21012

(ad.ti/shqiptarja.com)