KUKËS- Stadiumi i Kukësit ishte kthyer në një “Odise” më vete, teksa vazhdimisht shtyhej edhe dita e inaugurimit të tij, por kjo histori mori fund! Sot është dhe dita e madhe, një festë për kuksianët të cilët nga kjo e shtunë e 23 prillit kanë një shtëpi të re të futbollit. Ceremonia e inaugurimit u shndërrua në një spektakël më vete, me këngë e valle popullore, për të kulmuar me performancën e këngëtarit Gold AG.

Më pas, e gjithë vëmendja e sportdashësve u përqendrua te sfida mes Kukësit dhe Laçit që përfundoi 0-0 ku si asnjëherë më parë shkallët e stadiumit kanë qenë të mbushura plot. Kjo ceremoni ka bërë bashkë kreun e FSHF-së, Armand Duka dhe kryeministrin Edi Rama, takim ky i pari që pas zgjedhjeve që u zhvilluan në Federatë mes akuzave të shumta për manipulimin e procesit zgjedhor.

Kryeministri Rama ka zgjedhur që me vete të marrë edhe djalin e tij, Zaho, i cili është fotografuar teksa mban edhe fanellën e Kukësit me mbishkrimin ‘Rama’.

Nga ‘Zeqir Ymeri’, ky stadium do të quhet ‘Kukësi Arena’. Emri i këtij personaliteti të futbollit kuksian do ta mbajë një nga tribunat kryesore, për të vijuar me tribunën B, ‘Gramoz Palushi’, tribuna përballë ‘Shkëlzen Domi’, ajo anësore ‘Naim Hoxha’ dhe tribuna pas porte ‘Sadik Zeneli’. Kështu verilindorët rikthehen të luajnë në shtëpinë e tyre pas gati 3 vitesh “shtegtim”, me shpresën se do të arrijnë majën e superligës, edhe pse gjasat janë të pakta me një Tiranë që nuk di të ndalet në këtë sezon dhe me një Laç që e mban fort vendin e dytë.

Stadiumi është një investim prej afro 5 milionë euro dhe do ketë një kapacitet prej 8 mijë shikuesish dhe në të do të luhen përveç kompeticioneve kombëtare, dhe ndeshjet e Kupave të Evropës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:19
Kukësi nuk fiton dot në shtëpinë e tyre të re, ndahet barazim me Laçin! Tifozët 'zbarkojnë' në fushë

 

Kukësi inaguroi mbrëmjen e sotme stadiumin e “Kukësi Arena”. Një festë e madhe para dhe gjatë ndeshjes, ndërsa sfida ndaj Laçit u mbyll në barazim 0-0. Pas vërshëllimës së gjyqtarit, shumica e tifozëve të Kukësit vërshuan në fushë edhe pse lojtarët dhe arbitrat nuk ishin larguar ende nga fusha. Inaugurimi i stadiumit të ri ishte një festë e madhe për të gjithë tifozët e Kukësit, por që në fund nuk ngelen të kënaqur nga rezultati i sfidës. Me këtë barazim, Laçi mban vendin e 2-të me 51 pikë, kurse Kukësi në vendin e 3-të me 46 pikë.