Ceremonia është programuar të organizohet të shtunën në mbrëmje në “Pallatin e Brigadave”. Stafi që po kujdeset për ceremoninë, ka mbajtur parasysh deklaratën e Ramës për të mos e monopolizuar statusin, duke përgatitur ftesa për këdo që në këto vite ka kontribuar për procesin e integrimit.
Në listën e të ftuarve ftesa janë përgatitur edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministren e Integrimit Majlinda Bregu, por edhe ishministrat e Jashtëm në kohën e PD-së, Besnik Mustafaj, Lulzim Basha, Ilir Meta, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti dhe Aldo Bumçi. Burime pranë kryeministrisë tregojnë se ceremonia do të jetë e thjeshtë dhe në të do të marrin pjesë anëtarët e qeverisë, por ftesë ka edhe për Presidentin e Republikës Bujar Nishani dhe ish-Presidentët e tjerë.
Njësoj si në ceremoninë e 23 vjetorit të PS-së, organizatorët kanë menduar që të përgatisin një video për përpjekjet integruese të vendit në BE ku një vlerësim të veçantë ashtu siç edhe është shprehur publikisht do të ketë për ish-ministren e Integrimit Majlinda Bregu. Këtë herë ashtu siç kofirmoi edhe kryeministri Rama në deklaratën pas marrjes së statusit, nuk do të këndoj Çiljeta apo këngëtarë të tjerë, por në ceremoni të vetmit që pritet të flasin priten të jenë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Integrimti Klajda Gjosha.
Një vend të rëndësishëm do të ketë edhe për kreun e Kuvendit dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Kryeministri Edi Rama ka qenë i kujdesshmën në të gjitha prononcimet e tij që t’i ndaj sukseset e qeverisë me aleatin e LSI-së Ilir Meta. Deputetët e opozitës përfshirë edhe kreun e saj dhe ish-kryeministrin Berisha nuk kanë konfirmuar ende pjesmarrjen.
Megjithatë duke parë statuset e urimit të publikuara ditën e djeshme pas marrjes së statusit, ka pak gjasa që figurat kryesore të PD-së të marrin pjesë në ceremoni. Kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka në urimet e tyre për statusin, atributet kryesore për marrjen e statusit ja kanë deleguar ish-kryeministrit Berisha.
Ceremonia do të zhvillohet ditën e shtunë, pasi ashtu siç deklaroi edhe kryeministri Rama, zhvillimi i saj duhet të kryhet pasi vendimit t’i vendoset vula nga Këshilli Evropian. “Në ceremoni do të jenë të ftuar që të gjithë pa përjashtim, pa dallim, për shkak të detyrave që kanë kryer apo të detyrave që kanë në shumicë apo në pakicë, në politikë apo në shoqëri civile, apo në media, apo si përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri”, deklaroi Rama dy ditë më parë.
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)