/ATSH/ -Kandidati i koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Europiane", për Bashkinë e Cërrikut, Altin Toska, i shoqëruar nga koordinatori i fushatës, Dashamir Xhika, si dhe personalitete të së majtës, ka zhvilluar një bashkëbisedim me komunitetin rom në lagjen nr 2, në Cërrik.
Toska u njoh nga afër me kushtet e vështira ku ata jetojnë dhe u premtoi banorëve të kësaj lagjeje se punësimi dhe strehimi do të jetë prioritet për këtë komunitet.
"Është një kënaqësi e veçantë që ndodhem pranë jush dhe që po njihem me problematikat e komunitetit tuaj. Këtu ka shumë probleme si papunësia, strehimi, furnizimi me ujë të pijshëm, mungesa e infrastrukturës rrugore, ndriçimi, moslegalizimet e banesave e shumë shërbime të tjera. Unë ju garantoj se do t'i zgjidhim të gjitha problemet së bashku. Punësimi dhe strehimi do të jetë prioritet për Bashkinë e re. Kanë filluar punimet në ujësjellës, që para zgjedhjeve të 21 qershorit që të furnizoheni me ujë të pijshëm, dhe mos të ketë kufizime. Unë ju premtoj që në bashkëpunim me qeverinë, do të legalizojmë dhe restaurojmë shtëpitë tuaja, do të ndriçojmë rrugët pranë banesave tuaja, si dhe me kryesorja, do të restaurohen akset rrugore Elbasan-Banjë si dhe Gostimë-Mollas. Bashkia e re do të angazhohet me projekte të ndryshme, për këtë komunitet, pasi ka edhe mbështetjen e qeverisë. Të gjithë jemi një, nga Selita në Cërrik. Është bashkia juaj, bashkia jonë!", tha Toska.
Kandidati i koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Evropiane" u shpreh se bashkia e re do të angazhohet me projekte të ndryshme, për këtë komunitet, pasi ka edhe mbështetjen e qeverisë.
Takimet elektorale të kandidatit të koalicionit të majtë për bashkinë e Cërrikut, Altin Toska, bëhen në kuadër të njohjes së zonave dhe problemeve që shqetësojnë banorët që jetojnë në to