697 kulla të vjetra në të gjithë Shqipërinë pritet të formalizohen, ndërsa poseduesit e tyre do të pajisen me certifikata pronësie. Këtë e bëri të ditur drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, gjatë takimit të zhvilluar në Theth me kryeministrin Edi Rama për “Paketën e Maleve”.
“Sa i përket rijetëzimit të kullave, jemi në një projekt me Ministrinë e Turizmit dhe GIZ, ku kemi identifikuar 697 kulla të vjetra. Po vijojmë procesin e titujve të pronësisë. Vetëm për Thethin janë 15 kulla të identifikuara, për të cilat po vijon procesi i formalizimit. E gjithë drejtoria e Shkodrës ka rreth 194 kërkesa që po procedohen nga ana jonë për të marrë titullin e pronësisë”, u shpreh Goxhobelli.
Drejtoresha e ASHK-së njoftoi gjithashtu se është përmbyllur procesi i regjistrimit fillestar në 106 zona kadastrale, nga Elbasani deri në Vermosh.
“Ky është një parakusht për ‘Paketën e Maleve’, por edhe për procese të tjera që lidhen me regjistrimin e titujve të pronësisë”, tha ajo.
Duke u ndalur te “Paketa e Maleve”, Goxhobelli theksoi se bëhet fjalë për një ligj që synon zhvillimin ekonomik të zonave malore dhe jo vetëm rregullimin e çështjeve të pronësisë. Ajo sqaroi se ligji parashikon dy komponentë kryesorë: formalizimin e të drejtës së pronësisë dhe një sërë lehtësish fiskale për përfituesit.
“Është një ligj zhvillimi, që ka dy komponentë. Është incentiva që ka të bëjë me formalizimin e të drejtës pronësore dhe incentiva të tjera fiskale. Fillon me një shprehje interesi, pastaj vijon me një verifikim në terren nga ana e bashkisë dhe më pas me një miratim nga Këshilli Bashkiak, i cili bën miratimin e listës së pronarëve joposedues. Hapat që vijojnë janë kryesisht administrativë, që lidhen me mundësinë për aplikim për lejen e zhvillimit. I gjithë procesi koordinohet me bashkinë dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, për të bërë verifikimin e statusit ligjor të zonave, të cilat përcaktohen si zona të zhvillimit të ekonomisë malore”, deklaroi drejtoresha e ASHK-së, Lorena Goxhobelli.
Komente











