Brezi i dytë i drejtuesve të institucioneve të arsimit parashkollor ka përfunduar procesin e certifikimit nga Shkolla e Drejtorëve. Në ceremoninë e organizuar u certifikuan 74 pjesëmarrës, ndërsa programi synon përgatitjen e drejtuesve të kopshteve përmes një procesi të detyrueshëm trajnimi.

Gjatë ceremonisë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, tha se certifikimi i drejtuesve është një garanci më shumë për rritjen e standardeve dhe cilësisë në arsimin parashkollor.

“Nuk imagjinohej dot në dhjetë vite të shkuara që për të drejtuar një kopësht, të bëhej një rrugëtim i tillë. Ju jeni prova më e mirë e besimit tek dija dhe fakti që jeni brezi i dytë i drejtuesve të certifikuar në arsimin parashkollor, do të thotë që kemi rritur standardet edhe garancinë për cilësinë në këtë nivel arsimi, i cili është themeli i brezit që po rritet”, u shpreh Kumbaro.

Sipas ministres, nga pesë thirrjet e hapura deri tani kanë aplikuar 439 kandidatë dhe janë certifikuar me sukses 138 pjesëmarrës nga 36 Zyra Vendore Arsimore. Prej tyre, 85 janë drejtues në detyrë, ndërsa 53 janë kandidatë aspirantë për pozicione drejtuese.

Në ceremoni, ministrja Kumbaro e vuri theksin edhe tek Shkolla e Drejtorëve, institucion që në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim po konsolidon një histori suksesi duke integruar praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e zhvillimit të lidershipit arsimor dhe menaxhimit të institucioneve edukative.