Analisti dhe avokati Romeo Kara deklaroi se çështja që përfshin zëvendëskryeministren Belinda Balluku përbën një provë zjarri për mazhorancën dhe për reformën në drejtësi.

Gjatë një interviste për emisionin 'Studio Live' në Report TV, Kara pretendoi se për këtë çështje SPAK e ka thënë se janë prekur provat dhe janë kërcënuar dëshmitarët.

‘Të justifikohesh pas një procedure, ndërkohë që imuniteti nuk ka lidhje me objektin në fjalë, është shmangie nga përgjegjësia. Janë kërcënuar dëshmitarët është prekur integriteti i procesit dhe populli ta dijë mirë kur kërkohet një masë e tillë nga parlamenti ai e sheh vetëm në mënyrë formale. Mosdhënie e një okej është ndërhyrje në një pushtet tjetër që është pushteti i drejtësisë’, tha ai.

Sipas tij, kjo çështje duhet të shërbejë si katalizator për reagim qytetar dhe protesta popullore. Në këtë kontekst, ai komentoi edhe protestën e Partisë Demokratike duke thënë se protestuesit kishin dalë në shesh në shenjë proteste kundër Belinda Ballukut por jo për Berishën.

Kara tha gjithashtu se, sipas tij, protestat e fundit nuk janë zhvilluar për arsye partiake, por si reagim qytetar ndaj situatës politike dhe qeverisjes.