Vendimi i Gjykatës së Posaçme që rrëzoi kërkesën e Fredi Belerit për leje nga burgu për t'u betuar si kryebashkiak i Himarës, është cilësuar nga kryeministri Edi Rama si një qëndrim korrekt ligjor. Në atë vendim, Gjykata e Posaçme ka interpretuar arësyen e mos-miratimit të lejes nga burgu për Fredi Belerin.

‘Masa e sigurimit personal "arrest në burg" për vetë faktin se konsiderohet si më ekstremja, kuptohet se edhe e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë edhe mandatin e fituar nga zgjedhjet, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e saj. Gjykata vlerëson se interesat kushtetuese për zhvillimin e një procesi të rregullt e të drejtë ligjor konsiderohen si prevaluese në raport me tagrin e marrjes së mandatit për ushtrimin e detyrës së kryetarit të bashkisë nga ana e ankuesit Dhionisios Alfred Beleri.’- thuhet në vendimin e GJKKO.

Pikërisht në linjë me këtë urdhërim të gjykatës, kryeministri Rama thotë se Fredi Beleri duhet të përballet me drejtësinë, i pa veshur me pushtet deri në një vendim të formës së prerë ndaj tij.

Kreu i qeverisë, evidenton nga ana tjetër nevojën për një zgjidhje në drejtimin e bashkisë së Himarës deri në përfundim të procesit ndaj Belerit, pasi thekson se kandudiati humbës Jorgo Goro qëndron ende në krye të institucionit për shkak të situatës së krijuar.

'Nga leximi i vendimit të arsyetuar të GJKKO mbi mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, shoh të udhës të nënvizoj publikisht sa më poshtë:

1. Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.

2. Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.

3. Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës.'- shkruan Rama.

Ligji për qeverisjen vendore, nuk ka një parashikim konkret për rastin, megjithatë ai parashikon se këshilli bashkiak mund të zgjedhë ushtruesin e funksionit të kryetarit të Bashkisë nga nënkryetarët ose nga një prej anëtarëve të Këshillit në rast vakance 6 muajt e fundit para zgjedhjeve. 

Edhe Gjykata e Posaçme në vendimin e saj argumenton se i takon qeverisë të ndërhyjë për t’i dhënë zgjidhje, njësoj si çdo mund të bënte në një rast fatkeqësie natyrore apo emergjence.

“I takon qeverisjes qendrore, që bazuar në parimin e përgjegjësisë për të siguruar qeverisje efektive, ligjore dhe të drejtën e qytetarëve për shërbime publike të qëndrueshme, të marrë masa, komform kuadrit ligjor dhe modeleve më të mira europiane, për gjetjen e zgjedhjes."

Çështja e betimit të Belerit si kryebashkiak i Himarës është bërë temë kryesore edhe në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Shteti grek vijon të mos pranojë firmosjen e letrës që do të hapte negociatat e Shqipërisë më Bashkimin Evropian. Sipas Greqisë moslejimi i Belerit për t’u betuar si kryebashkiak, është vendim politik i qeverisë. Situata e tensionuar u shfaq edhe mes bisedës që Rama pati me kryeministrin grek Mitsotakis gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në 13 dhjetor. 

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri i cili ndodhet nën masën e sigurisë 'arrest me burg' nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i japin leje për të kryer betimin.

PDF/Vendimi i GKKO për Fredi Belerin, refuzoi lejen për tu betuar

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:56
Beleri apo Goro në drejtimin e Himarës? GJKKO 'i kërkoi' Ramës të ndërhyjë! Ja rruga si zgjidhet ngërçi

1703192895_gggggggggggggggggggg.JPG

Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme që argumentohet pse është refuzuar kërkesa e Fredi Belerit për leje për t'u betuar, shkruhet se është në dorë të qeverisë të ndërhyjë për t’i dhënë zgjidhje ngërçit ligjor, njësoj si çdo mund të bënte në një rast fatkeqësie natyrore apo emergjence. 

Në vendimin e gjykatës, thuhet se zgjidhja është te gjetjet e një analize të modeleve europiane në zgjidhjen e ngërçeve të ngjashme, kur pushteti vendor nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën. Në këtë rast Gjykata nënvizon se qeveria qendrore ndërhyn për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve publike. 

"Gjithashtu gjatë gjykimit ankuesi Dhionisios Alfred Beleri parashtroi se me anën e mosdhënies së lejës së vecantë për të kryer betimin nga ana e Gjykatës do të mundësohej që drejtimi i Bashkisë Himarë të vijojë që të bëhët nga kandidati humbës në zgjedhjet vendore të zhvilluara në datën 14 maji 2023. Në lidhje me këtë pretendim gjykata vlerëson se nuk është detyrë e kësaj gjykate gjetja e mënyrave për sigurimin e funksionalitetit të qeverisjes në Bashkinë Himarë, por vlen të theksohet se nga një analizë e modeleve të legjislacioneve evropiane, si psh Spanjë, Itali, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, përfshirë edhe Shqipërinë, në situatat ku qeveria lokale për shkaqe të caktuara konsiderohet e paaftë të përmbushë detyrat e saj efektivisht, administrimi i përkohshëm i qeverisjes lokale mund të kryhet nga ana e qeverisë qëndrore.

Arsyet dhe metodat për këtë ndërhyrje mund të ndryshojnë nga shteti në shtet, por përvec keqmenaxhimit financiar, gjëndjes së fatkeqësisë natyrore apo emergjencës, pamundësia e funksionimit të qeverisjes vendore për shkaqe ligjore ose kushtetuese, është shkak për mundësinë e qeverisjes qendrore të ndërhyjë, për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve publike. I takon qeverisjes qëndrore, që bazuar në parimin e përgjegjësisë për të siguruar qeverisjen efektive, ligjore dhe të drejtën e qytetarëve për shërbime publike të qëndrueshme, të marrë masa, konform kuadrit ligjor dhe modeleve më të mira evropiane, për gjetjen e zgjidhjes.

Në përfundim, në analizë me sa u argumentua më sipër, Gjykata, vlerëson se situata e krijuar në kontekstin e zbatimit të parashikimeve ligjore lidhur me kufizimin e lirisë personale të personave të ndodhur në kushtet e paraburgimit lexuar së bashku me të drejtat e të paraburgosurve për leje të vecantë, çon në pamundësinë e kërkuesit për tu betuar e marrë detyrën publike, si dhe rrjedhimisht në pamundësinë e funksionimit të qeverisjes në Bashkine Himarë. Këto pamundësi nuk përbëjnë shkak për këtë gjykatë që të tejkalojë kompetencat ligjore apo interpretojë ligjin në mënyrë që të vërë në rrezik dhënien e drejtësisë në procesin penal", thuhet në vendim.