Çështja çame,Venizelos: S'e njoh
Bushati: Shih realitetin në sy

Çështja çame,Venizelos: S'e njoh<br />Bushati: Shih realitetin në sy
TIRANE-  Qeveria shqiptare kërkon të hapë një kapitull të ri me Greqinë, për të hedhur në tryezë dhe diskutuar “pa dorashka” të gjitha çështjet që konsiderohen pengesa historike, si çështja came, ligji i luftës, por dhe ato që janë krijuar rishtazi si pakti detar apo ngritja e komisionit për varrezat greke. Si gur themeli do të jetë traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit me Greqinë, që për qeverinë shqiptare është "vend fqinj dhe partner strategjik"
 
Nga ana e saj Greqia thotë se është gatshme të çojë më përpara frymën e këtij Traktati duke nënshkruar memorandum bashkëpunimi drejt Europës, por me një kusht: Pa njohur çështjen çame, pa hequr ligjin e luftës dhe për zgjidhjen e paktit detar të merret shembulli greko-italian.

 "Duam të adresojmë të gjitha çështjet si ato që konsiderojmë pengesa historike dhe ato që janë krijuar rishtazi me kurajo e vullnet politik, bazuar në legjislacionet e vendeve respective, parimet e themeluara të së drejtës ndërkombëtare”, tha Bushati gjatë konferencës së përbashkët për shtyp organizuar paraditen e sotme në Ministrinë e Jashtme. 

 Ndërkohë që Ministri i Jashtëm Venizelos deklaron se nuk njeh çështjen çame dhe se kushdo që ka probleme me ligjet e Greqisë t'i drejtohet Gjykatës së Strasburgut. Gjatë ditës Venizelos u takua dhe me krerët e lartë të shtetit  takon Ramën Nishanin e Metën


CESHTJA CAME


VENIZELOS: S'E NJOH, BUSHATI: SHIHNI REALITETIN NE SY

VENIZELOS(Pas pyetjes se një tjetër gazetari per çështjen çame, Venizelos u pergjigj):  “Kjo është çështja që s’e njoh po të dojë le të përgjigjet ministri”- tha Venizelos duke ia kaluar fjalën Bushatit.

BUSHATI: “Pyetja që shtrohet është paksa e tejkaluar, për faktin se sa na përket ne ajo që njihet si cështja came është pjesë e dosjes tonë me diplomacinë dhe sot sipas pikëpamjes tonë është momenti që realiteti të shihet në sy.  Të tejkalohen pengesat historike një nga një  sepse duam të pasurojmë gamën e bashkëpunimin rajonal  dhe jo t’i lëmë terren nacionalizmit folklorik, që në mungesë të adresimit të kësaj cështje apo çështje të tjera tenton të mbajë peng marëdhëniet mes dy vendeve tona”

LIGJI I LUFTES DHE PRONAT E CAMEVE

BUSHATI: HIQENI, VENIZELOS:KUSH CENOHET T'I DREJTOHET STRASBURGUT
Ministri Bushati tha se heqja e ligjit të luftës do të  krijonte një mjedis të ndërsjelltë besimi si dhe do të mundësonte fitimin e të drejtave pronësore në përputhje me të drejtat ndërkombëtare. Nga ana e tij Venizelos u shpreh se Greqia është në paqe me Shqipërinë me një vendim qeverie të 1987 dhe se kush  cënohet  t’i drejtohet Strasburgut.

BUSHATI: “Ndërmjet dy vendeve tona ekziston një traktat miqësie e bashkëpunimi i cili për ne përbën gurin e themelit, të intensifikimit të marrëdhënieve dy palëshe dhe adresimit brenda këtij kuadri ligjor institucional të të gjitha çështjeve që kërkojnë trajtim larg çdo lloj nuance nacionalsite që përpiqet të dëmtojë marrëdhënien e dy popujve tanë. Besojmë se riaktivizimi i mekanizmave të parashikuar nga Traktati i Miqësisë shoqëruar me heqjen e Ligjit të Luftës së 1940, nga Greqia i cili në vendet tona nuk pasqyron realitetin e sotëm të miqësisë së mirë, rrugëtimin euriopian dhe miqësinë e hershme të dy vendeve, do të krijonte një mjedis besimi të ndërsjelltë dhe njëkohësisht do të mundësonte fitimin e të drejtave pronësore të mohuara në përputhje me të drejtat ndërkombëtare. Kemi të gjithë vullnetin politik dhe do të investojmë kapacitetin tonë njerëzor e profesional për adresimin e çështjeve të mbartura në të shkuarën dhe ato që kanë lindur rishtazi”.

VENIZELOS: “Greqia nuk ka frikë nga asgjë, e kemi kapërcyer pengesat e kaluara historike. Gjendjen e paqes mes Greqisë e Shqipërisë, Greqia e ka shpallur që në vitin 1987, me vendim të Këshillit të Ministrave. Që në vitin 1986 gjithkush që ka diçka për të kërkuar tek kuadri ligjor grek ka të drejtën t'u drejohet edhe Gjykatës Ndërkombëtarë të Strasburgut”, tha Venizelos.

VENIZELOS (I përgjigjet gazetarëve): "Dua tju them se ajo që unë deklarova është një vendim i këshillit të Ministrave të 1987, ku kapërcen pengesat dhe fut  marrëdhëniet drejt paqes e bashkëpunimit, mes dy vendeve që janë anëtare të NATO-s dhe që ekziston aleancë dhe detyrim për cështje mbrojtjeje.  OSBE, ku dy vendet tona janë anëtarë, mbështetet mbi parimin e mos ndryshimit të kufijve. Kushdo që mendon se ka inters të cilat i cënohen nga ligjet greke që nga 1986 ai ka mundësi t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut, të shkojë në mënyrë personale. Jemi të gatshëm ta çojmë më përpara këtë frymën e Traktatit të Miqësisë të nënshkruajmë memorandumin që ka të bëjë me çfarë i duhen Shqipërisë për tu anëtarësuar në BE.

KUFIJTË DETAR

VENIZELOS: TE ZGJIDHET SIC E ZGJIDHEM ME ITALINE, BUSHATI: VENDIMI I KUSHTETUESES I QARTE SI KRISTALI

Ministri i Jashtëm grek Venizelos thotë se ndarja e kufijve detarë, delimitimi i sheflit kontinental ka shumë rëndësi për nga pikëpamja ekonomike, për shkak të zonave ekskluzive ekonomike. Ai foli për praktikën europiane, skemën e paktit që u arrit mes Greqisë e Italisë për delimitimin e shelfit kontinental. Nga ana e tij Bushati u shpreh se qeveria shqiptare ishte e gatshme të adresonte çështjen pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë si kristali.

VENIZELOS: Zbatimi i së drejtës ndërkombëtare detare në atë formë që ekziston dhe zbatohet sot. Ashtu siç ne i kemi realizuar marrëdhëniet tona me të gjitha vendet e tjera të BE, duam të vazhdojmë edhe me Shqipërinë, pasi pask pak do bëhet dhe ajo vend i BE.
(Pas pyetjes se gazetarit Venizelos pergjigjet) I kam dhënë një përgjigje pyetjes tuaj, me atë çfarë thashë në deklaratën time hyrëse. Baza e përbashkët e "Vitit Mesdhetar" që është një ndër vitet që përbëhet nga presidencat e njëpasnjëshme të Greqisë e Italisë, është politika e integruar detare, që në epiqendër ka Mesdheun, sepse KE-ja ka dhënë ndërkohë në publik një studim të rëndësishëm që tregon se zbatimi i së drejtës ndërkombëtare të detit, dhe delimitimi i sheflit kontinental ka shumë rëndësi ekonomike për të gjithë vendet e BE-së dhe për vendet që lagin Mesdheun. Të gjithë vendet anëtarë të BE-së kanë të drejtën ndërkombëtare mbi detin dhe konventën ndërkombëtare të OKB-së.  
Kjo është e qartë se kriteret e Kopenhagenit vlejnë dhe për ato vende kandidate për anëtarësinin në BE. Ka një praktikë europiane, dhe një shembull është rasti i Italisë e Greqisë. Kemi delimituar shelfin tonë kontinental që nga viti 1977 dhe gjatë vizitës së tanimshme në Romë ramë dakord që të shtrijmë dhe në zonat tona detare, psh: në zonat ekskluzive ekonomike detare, gjithashtu në Mesdhe, në Adriatik e Jon, nuk ka asnjë ndryshim. Ekziston një praktikë europiane, shembulli greko-italian, dhe jam i sigurtë se në të njëjtën drejtim do të lëvizim në Shqipëri sepse kemi pranuar të njëjta rregulla e parime” tha Venizelos.
 
BUSHATI: "Përgjigjen për paktin e ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Ministri me të drejtë përmendi kriteret e Kopenhagenit, respektin për ata që imponon shteti i së drejtës. Sot nuk shtrohet më pyetja për qeverinë shqiptare si e lexon vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi është i qartë si kristali. Për qeverinë shqiptare shtrohet pyetja si do ecet përpara për t'i dhënë një zgjidhje kësaj çështje e cila është e rëndësishme për Shqipërinë, Greqinë dhe projektet e përbashkëta për rajonin e Mesdheut. Dhe përgjigja ime është shumë e drejtëpërdrejtë: Duam të adresojmë të gjitha çështjet si ato që konsiderojmë pengesa historike dhe ato që janë krijuar rishtazi me kurajo e vullnet politik, bazuar në legjislacionet e vendeve respective, parimet e themeluara të së drejtës ndërkombëtare”, tha Bushati.

MINORITETI GREK

BUSHATI: CMOJME ROLIN E TYRE, VENIZELOS: RESPEKTOJINI

BUSHATI: "Çmojmë rolin e minoritetit grek në Shqipëri. Shqipëria ka pjesë të traditës së saj të mirë respektimin e lirive themelore për pakicat në përputhje me Kushtetutën dhe angazhimet ndërkombëtare.  "

VENIZELOS: "Dy vendet tona dhe ekonomitë e dy vendeve tona janë plotësisht të lidhura me njëra tjetrën. Ecuria e ekonomisë greke ndikon tek ajo shqiptare.  Megjithëse vitet e fundit Greqia vuan nga kriza ekonomike, vazhdon të jetë një nga 30 ekonomitë më të fuqishme të botës. Të dy paklët e kuptojën sa e nevojshme është respektimi i të drejtave të këtij mimnioriteti sipas Kushtetuës, dhe kuptojnë sa mund të ndihmojë respektimi i këtyre të drejtave”

NGRIHET KOMISIONI PER VARREZAT GREKE
Ministri i Jashtëm grek tha se me ministrin Bushati kanë ranë dakord që të mblidhet një komision dypalësh për të gjetur zgjidhje.“Gëzohem se do riaktivizohen të gjithë ato komisione të përbashkëta për të diskutuar ato cëshje që ne na intereson"- tha Venizelos.

PER EMIGRANTET NE GREQI

BUSHATI “Vlerësojmë politikat mbështetëse të qeverisë greke ndaj komunitetit shqiptar në Greqi dhe inkurajojmë programet integruese dhe adresimin e vështirësive me të cilat përballet komuniteti shqiptar në frymën e legjislacionit dhe vlerave evropiane. “

 VENIZELOS:“Dëshirojmë që të kenë nivelin më të lartë të jetese dhe të gëzojnë të gjitha të drejtat. “

INTEGRIMI I SHQIPERISE

Ministri i jashtëm grek shprehu gadishmërinë e Greqisë për të mbështetur Shqipërinë në integrimin e BE-së duke hartuar një memorandum për që ka të bëjë me çfarë i duhen Shqipërisë për tu anëtarësuar në BE. Po kështu ai foli dhe për rëndësinë e viti 2014, si vit që do të quhet “Viti i Mesdheut”, pasi në këtë vit presidencën do ta marrin Greqia dhe Italia.

VENIZELOS: “Vizita ime ka të bëjë me përgatitjen e vizitës së presidentit Papulias në Shqipëri është simbol i atyre marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve. Dy vendet kanë lidhje të forta miqësie mes tyre  dhe Greqia është e gatshme të ndihmojë me të gjitha forcat që ka. Veç traktatit të miqësisë mes dy vendeve ka shumë miqësi. Ajo për të cilën u morëm vesh sot është  për një memorandum bashkëpunimi i cili ka të bëjë me përgatitjet dhe me hapjen e negociatave mes BE-së e Shqipërisë për anëtarësimin  saj të plotë në BE.  Ne gëzohemi sepse këto zhvillime ndodhin me marrjen e Presidencës BE nga Greqia dhe më pas Italia. Ramë dakord që Presidenca e greqisë së bashku me Presdiencvën italiane të jenë një kuadër i plotë në realizimin e të gjitha objektivave që ka të bëjë me integrimin europian, në këtë vit mesdhetar, që nënkupton se do të jemi një politikë të përbashkët për detin si për 6 mujonin e pas ashtu dhe të dytë  kur e ka Italia.”

BUSHATI: Dua të falenderoj Zv/Km dhe MPJ Venizelos për mbështetjen e pakursyer që Greqia i ka dhënë e vazhdon t’i japë Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian. Sot ram dakord qe te ecim drejt formalizimit te Memorandumit te Mirëkuptimit mbi Integrimin Evropian qe do te çonte përpara procesin e Integrimit Evropian te Shqipërisë. Viti i ardhshëm do të jetë një vit përcaktues për të ardhmen Evropiane të rajonit dhe gjallërimin e projekteve të Mesdheut në kuadër të Presidencave Greke dhe Italiane të BE.


BUSHATI: TAKIME TE PERBASHKETA MES DY QEVERIVE, VENIZELOS: BASHKEPUNIMI DINAMIK
Gjatë konferencës, për media, ministri Bushati shprehu kënaqësinë për të mirëpritur ministrin e Jashtëm të “vendit fqinj dhe partner strategjik për ne".
BUSHATI: "Shkëmbyem pikëpamje në funksion të klimës së duhur të besimit që do të thellonte bashkëpunimit tonë. Mendojmë se ecuria e deritanishme ka nevojë për një hov cilësor që do të mundësonte kontakte më të shpeshta në të gjitha nivelet politike dhe teknike dhe takimet e përbashkëta midis dy qeverive. Shpreh bindjen se vizita e Presidentit Papulias do të pasurojë më tej gamën tonë të bashkëpunimit. Pasi ne jemi të vendosur të punojmë për konsolidimin e partneritetit strategjik në mënyrë që marrëdhëniet shqiptaro-greke të shërbejnë si model frymëzimi për të gjithë rajonin."

VENIZELOS: "Ju falenderoj për pritjen. Diskutimet që patëm si në takimet kokë më kokë, ashtu dhe në takimet mes dy delegacioneve, në vazhdim të takimit që patëm në Nju Jork dhe në vazhdim të vizitës së punës që Rama realizoi në Athinë menjëherë pas zgjedhjeve, na krijoi rastin të vërtetojmë kuadrin shumë të pastër e dinamik të bashkëpunimit tonë dy palësh. Shpreh publikisht urimet tona për realizimin me sukses të objektivave të qeverisjes shqiptare dhe shpreh urimet e mia personale për ju në kuadër të detyrave që keni marrë si ministër i Jashtëm", tha Venizelos.
 
Dy ministrat u angazhuan për të punuar ngushtësisht për mbarëvajtjen e projektit TAP, me rëndësi për sigurinë energjetike dhe stabilitetin ekonomik rajonal.

AXHENDA E VENIZELOS

Axhenda e takimeve nisi në orën 09:00 me ministrin e Jashtëm Bushati në Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe më pas në 10:00 pati një konferencë të përbashkët për shtyp.  
 
Pas takimit me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, axhenda e takimeve zyrtare të zv/kryeministrit grek vazhdoi me kryeministrin Edi Rama dhe me kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta,  Presidentin Bujar Nishani, kryetarin e Partise Demokratike, Lulzim Basha.  Ai do të takohet edhe me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Gjithashtu Venizellos do të pritet dhe nga kreu i Kishës Autoqefale në Shqipëri, kryepeshkopi Anastas.

Ish peshëngritësi shqiptar, Pirro Dhima do të shoqërojë Zv. Kryeminstrin në vizitën e tij zyrtare në Tiranë.


ORA 07:00 BUSHATI DJE: MIREPRES VENIZELOS
Ministri i Jashtëm Bushati në një postim në Twitter e Facebook shkruante dje se mirëpriste homologun grek me të cilin do të diskutohet për perspektivën europiane dhe bashkëpunimin dypalësh. 
 
CESHTJET E NXEHTA NE TAVOLINE
Vizita e ministrit të jashtëm grek, pak ditë pasi Tiranën e vizitoi ministri i Jashtëm Turk  Davutoglu dhe ministrja e jashtme e Italisë Emma Bonino, pritet me mjaft interes, sidomos dhe për çështjet e nxehta mbi tavolinë greko-shqiptare: Pakti detar dhe çështja çame

Në shtator Kryeministri Rama e cilësoi Greqinë si një partner strategjik dhe u shpreh se përfaqësuesit e dy qeverive kanë shprehur dëshirën e mirë dhe gatishmërinë që të kapërcejnë çfarëdo problemi të çastit. Ndërkohë që pakti detar, rrëzimi i tij nga Gjykata Kushtetuese risjell nevojën për negociata të reja mes dy vendeve. 

Edhe ministri Bushati, në një intervistë televizive dy ditë më parë u shpreh se “përcaktimi i vijës detare është një çështje e rëndësishme, sikundër ka dhe çështje të tjera të mbartura, siç  është çështja e ligjit të luftës çështja e pronave, çështja e minoritetit, trajtimi i emigrantëve shqiptarë dhe njohja e sigurimeve shoqërërore."

Portali online grek “Zougla.gr” shkruan sot për vizitën e ministrit grek dhe çështjet që do të diskutojë janë: "TAP, toponimet. Paktin detar, energjetikën, emigrancionin, çështjet e sigurimeve shoqërore, dhe për vizitën e presidentit grek,Carolos Papulias, më 4-5 nëntor."

IDRIZI: TRAJTONI CESHTJEN CAME
Kryetari i PDIU-së përmes një editoriali të dërguar në redaksitë e mediave shqiptare kërkon  "pa kurrfarë ndjenje presioni ndaj ekzekutivit" që ministri i jashtëm Ditmir Bushati, kryeministri Edi Rama, Presidenti Bujar Nishani ta trajtojnë sot çështjen çame në bisedat e tyre me kryediplomatin grek. "Gjithë problemi është ai i qasjes ndaj kësaj çështjeje në këtë kontekst të ri, në hapësirën që do të ketë në morinë e çështjeve të tjera të cilat s’duhen kushtëzuar me njera tjetrën, duke patur parasysh rifutjen në axhendë pas disa vitesh heshtjeje. Editoriali i Shpetim Idrizit. PDIU kujton se rezoluta çame u publikua në fletoren zyrtare.  PDIU: Rezoluta çame në fletore zyrtare

Para vizitës në Tiranë, dy shefat e diplomacive të vendeve respektive u takuan në  Nju Jork

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Periódico’: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një perlë me peizazhe spektakolare dhe qytete historike

Media spanjolle ‘El Periódico’: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një perlë me peizazhe spektakolare dhe qytete historike