Kryeministri Edi Rama e cilëson opozitën si “të degraduar si kurrë më parë” si një përgjigje ndaj akuzave që hedhin se ka lobuar tek ish zyrtarit të FBI, Charles McGonigal për të dëmtuar PD.

Në një reagim në Twitter, kreu i qeverisë thotë se lëshojnë në ajër gënjeshtra dhe ndosin mjedisin publik. Sipas Ramës, të gjitha veprimet e tyre janë pasoja të puthjes fatale me një të vdekur që duket se e përdor si metaforë për të gjithë ata që mbështesin Sali Berishën.

“Kurrë më e mjerë, më e degraduar, më e shfytyruar dhe çekuilibruar s’është shfaqur ndonjëherë politika opozitare me altoparlantët e saj; kurrë boshllëku i ideve, kapsllëku i komunikimit, sasia e gënjeshtrave dhe budallallëqeve të lëshuara në ajër nuk kanë qenë kaq të qametshme!

Asnjëherë asnjë opozitë e asnjë kohe deri sot nuk e ka ndotur kaq keq mjedisin publik, ashtu e shtrirë në tërë kanalet e komunikimit me gjuhën jashtë dhe me trupin që  përpëlitet nga fabrikimi non stop i pisllëqeve më ekstreme! Kjo është pasoja e puthjes fatale me një të vdekur” – shkruan Rama në Tëitter.

Ky reagim i Ramës vjen pasi e gjithë opozita përdori thuajse të njëjtat fjalë për të sulmuar kreun e qeverisë se kishte synim shkatërrimin e PD. Sali Berisha që në çdo dalje publike sulmon kryeministrin, doli sot me një ‘printim të shkrimit’ të sotëm të New York Times, por qartë fare tregoi se as nuk e kishte lexuar.

Ai konsideronte si një ‘goditje përfundimtare’ ndaj Ramës këtë shkrim pasi sipas tij tregonte aferën korruptive të McGonical me Ramën, se sipas tij janë paguar 225 mijë dollarë për të shkatërruar opozitën shqiptare. Në fakt, në artikull specifikohet se 225 mijë dollarët që zyrtari i lartë e FBI-së kishte marrë nga Agron Neza ishin një borxh dhe nuk kishin lidhje me ryshfet.

Kujtojmë se pak ditë më parë, në një shkrim tjetër, New York Times shkroi se nuk ka asnjë tregues që të provojë edhe akuzën tjetër ndaj McGonigal se punonte për oligarkun rus, Oleg Deripaska gjatë kohës që ishte në detyrë. Pra kjo akuzë e ngritur ndaj Mc Gonigal mund të bie pasi nuk provohet asnjë lidhje e tij me oligarkun rus gjatë kohës që ishte shefi i sektorit të kundërzbulimit në FBI.

Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal  po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës në kohën e komunizmit, dhe mosdeklarim të shumës së dollarëve, për të cilat ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.