Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u shpreh të dielën në Beograd se e ka mbështetjen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për të gjetur një zgjidhje kompromisi me qeverinë në Prishtinë çështjen e targave të automjeteve dhe dokumentave serbe të udhëtimit. Presidenti i Serbisë që nga takimi i 18 gushtit ku u takua në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti nuk kishte folur për mediet. Pas një takimi të dielën më 21 gusht në Beograd me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Vuçiç në një konferencë për medie iu drejtua kombit.
Do mund të gjendet një zgjidhje kompromisi?
Vuҫiç tha se është i vendosur të kërkoj një zgjidhje kompromisi me Kosovën për dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave brenda dhjetë ditëve, pasi qeveria e Kosovës më 1 shtator pritet të nisë zbatimin e masave të reciprocitetit për këto dy çështje. Ai paralajmëroi se serbët e Kosovës mund të largohen nga të gjitha institucionet nëse nuk gjendet zgjidhje për shqetësimet e tyre. Presidenti serb tha se kishte hedhur propozimin që serbët e Kosovës të mos përfshihen në vendimin për dokumentet personale dhe të pajisën me targa që janë neutrale ndaj statusit të Kosovës, por pala e Kosovës tha ai, “i hodhi poshtë këto propozime kompromisi”. Sipas Vuҫiç, “qëllimi i Prishtinës është shfuqizimi i çdo gjëje që ka të bëjë me shtetin serb dhe përndjekja e serbëve nga Kosova”.
Vuçiç kërcënon me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës
"U informova nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje për një kohë të shkurtër, nëse nuk ndalet përndjekja e serbëve, politikanët do të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës gjatë muajit të ardhshëm, dhe më pas gjykatësit dhe oficerët e policisë do të ndjekin shembullin deri në fund të shtatorit”, tha Vuҫiç, duke paralajmëruar siç tha ai, “zhbërje të rendit të Brukselit të dakorduar me marrëveshje”.
Sipas presidentit serb në raundin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova ka folur për një marrëveshje përfundimtare prej gjashtë pikash: "Kosova kërkoi të enjten që të diskutohet për një marrëveshje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte njohjen e ndërsjellë, dëmet e luftës, trajtimin e çështjes së të zhdukurve dhe viktimave të përdhunimeve, simetri në të drejtat e serbëve me ato të shqiptarëve në Serbi si dhe rishikimin e marrëveshjeve të dakorduara më pare”, tha Vuҫiq. Qeveria e Kosovës pas takimit të së enjtes në Bruksel, tha se kishte diskutuar për dy çështje, kuadrin e përgjithshëm të marrëveshjes përfundimtare dhe për targat e dokumentet serbe, për të cilat zotohet se nga data 1 shtator, për këtë çështje do të zbatohen masa të njejta edhe nga Kosova.
Takimi që nuk solli asnjë rezultat
Takimi i 18 gushtit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuҫiq, dështoi dhe nuk u arrit ndonjë marrëveshje, por autoritetet ndërkombëtare kërkuan nga palët që të shmangin tensionet si ato të 31 korrikut. Në këtë ditë grupe serbësh bllokuan rrugët në veriun e Kosovës duke kundërshtuar kështu vendimet e qeverisë së Kosovës për reciprocitet në dokumentet e udhëtimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia. Serbia zbaton masa të njëjta për qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër Serbi tash e dhjetë vjet. Forcat paqeruajtëse të NATO-s kanë shtuar prezencën e tyre në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi se janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë./DW