Përfundon takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, Borrell: Nuk arritëm marrëveshje, por negociatat do të vazhdojnë

Nuk kanë aritur asnjë marrëveshje për çështjen e targave, apo edhe të dokumentave për qytetarët serbë takimet e mbajtura në Bruksel mes përfaqësuesit të lartë të BE Josep Borrell, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Prishtinë –Beograd. Borrel tha pas tre raundeve të takimeve se në mungesë të marrëveshjes, dialogu do të vazhdojë. Duke folur i vetëm në sallën e konferencave të shtypit, Borrel paralajmëroi se në rast të përshkallëzimit të tensioneve, pala që do i nxisë do mbajë përgjegjësi.   

Zyrtari  i lartë i BE tha se u ka bërë thirrje palëve të jenë këmbëngulëse për të gjetur një zgjidhje për të avancuar me qëllim që të shkohet drejt marrëveshjeve për të krijuar siguri e stabilitet për rajonin. Ndërkaq nuk ka pasur asnjë deklaratë pas takimeve nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe as nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Shefi i Zyrës për Kosovën në beograd Petar Petkoviç tha se delegacioni serb u përpoq për zgjidhje kompromisi, por kjo nuk u arrit. Në ndërtesën ku janë mbajtur takimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ishte edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por pa qenë i pranishëm në takime.  Ky ishte takimi i tretë midis Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, pas atyre të mbajtura në qershor dhe korrik të vitit 2021, që gjithashtu nuk patën ndonjë rezultat.

Ky takim erdhi pas acarimit të situatës në veri të Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit. Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës. Dokument të tillë Serbia lëshon për shtetasit e Kosovës prej 11 vjetësh.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me ri-regjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa me akronime të Kosovës, sikurse PZ, KM e të ngjashme, qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe. Prishtina i konsideron këto targa ilegale. Kujtojmë se më 31 gusht, një ditë para se të vihej në zbatim marrëveshja e reciprocitetit, serbët lokalë vendosën barrikada, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, si edhe sulmuan policinë.

Për shkak të këtyre tensioneve, Kurti vendosi që të shtyjë deri më 1 shtator zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Ditën e djeshme, pas takimit me Stoltenberg, kryeministri Albin Kurti e bëri të qartë që Kosova nuk tërhiqet nga reciprociteti, pasi po zbatojnë marrëveshjen bilaterale me Serbine, por nga ana tjetër edhe Kushtetutën e vendit. Ai akuzoi Serbinë se po punon me një axhendë të qartë nga Rusia që të destabilizojë Kosovën dhe Rajonin.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së. vTakimi i parë Kurti-Vuçiç, i mbajtur me 15 qershor 2021 në Bruksel, kaloi me grindje dhe mosmarrëveshje të mëdha, madje edhe me ngritje tonesh. Takimi i dytë, i mbajtur më 19 korrik 2021 ishte shumë më i shkurtër, sesa ishte planifikuar, sepse palët nuk ishin dakord pothuajse për asgjë. 

Në ditën e takimit në veri të Kosovës banorët janë në panik prej mbishkrimeve kërcënuese me flamur serb nëpër mure e rrugë.

Vendimi për reciprocitetin e targave dhe mjeteve të identifikimit

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, qytetarët që kanë makina me targa serbe mund t’i riregjistrojnë ato deri më 30 shtator. Vendimi do të vlejë për të gjitha veturat e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti. Pas shtyrjes së zbatimit të reciprocitetit me 1 muaj, u vendos që nga data 1 shtator, qeveria e Kosovës do të nisë edhe lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi. Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.

Çështja e targave rriti tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit 2021. Kosova vendosi masën e reciprocitetit ndaj makinave me targa serbe që hynin në Kosovë, duke kërkuar që shoferët të mbulonin simbolet shtetërore në targa me letra ngjitëse.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:08
Duket sikur janë ulur në një ‘Fast Food’, detaji i pazakontë në tavolinën e Kurtit dhe Vuçiç me drejtuesit e BE

Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç me ndërmjetësimin e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, ka tërhequr një vëmendje shumë të madhe. Kjo jo vetëm rëndësisë së këtij takimi, ku synohet një marrëveshje mes Serbisë së Kosovës, por për një detaj detaj. Cola Cola dhe hamburgerat në tryezë. Jemi mësuar që në takime të tjera zytare të ketë ujë, maksimumi edhe kafene, po kësaj here pamë një tryezë ‘Fast Food’. Arsyeja? Nuk dihet, por duke sikur i “zhvesh” nga kostumi i një takimi zyrtar.

Ora 17:06
Përfundon takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, Borrell: Nuk patëm marrëveshje sot, bisedimet do vazhdojnë

1660835205_Screenshot3.jpg

Ka përfunduar takimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Kryediplomati i BE, Joseph Borrell doli i vetëm në një konferencë të shkurtër për shtyp, nga ku njoftoi se nuk ka pasur asnjë marrëveshje mes palëve.

Borrell tha se palët ranë dakord që procesi të vijojë më tej, në ditët e para të shtatorit. Ai theksoi se palët duhet të jenë të jenë këmbëngulëse dhe të gjejnë një zgjidhje për situatën aktuale. Ai u shpreh se në veri të Kosovës ka një rritje tensionesh dhe për këtë janë përgjegjëse të dyja palët.

“Takimi i sotëm nuk ishte normal, I rregullt. Së bashku me përfaqësuesin Lajçak, kemi thirrur këtë takim sepse po ballafaqohemi me zhvillime kryesisht negative në terren dhe rritje të tensioneve në veri të Kosovës, Ky takim kishte të bënte me përgjegjshmërinë e të dy liderëve në kërkim të zgjidhjes në mirëbesim për të bërë përpjekje drejt paqes dhe stabilitetit. Jemi në një kohë kritike. E shohim kthimin e luftës në kontinentin tonë pas invazionit rus në Ukrainë. Ballafaqohemi me një moment dramatik dhe të rrezikshëm për kontinentin tonë. Është koha për të kërkuar zgjidhje dhe për të zgjidhur çështje afatgjate. Ju kam thënë të dy liderëve që ky takim ishte për menaxhim krizash dhe qëllimi ishte që të qetësohej situate në terren", tha Borrell.

Sipas tij, Vuçiç dhe Kurti e kanë kuptuar se nuk ka ndonjë alternativë ndaj dialogut në kuptimin e zgjidhjes së këtij problemi.

“Jemi po ashtu të fokusuar në rrugën drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Patëm mundësi që të bisedonim në hollësi për këtë marrëveshje. Sigurisht se ka dallime të mirënjohura mes tyre sa i përket asaj se cili do të jetë statusi përfundimtar i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë apo si do të duhej të ishin ato. Por, janë pajtuar se do t’i vazhdojnë bisedimet në baza të rregullta në periudhën vijuese për ta përshpejtuar procesin e normalizimit”, përfundoi shefi i politikës së jashtme të BE-së", tha ai. 

Ora 16:11
Përfundon raundi i dytë i takimit tre palësh për dialogun Kosovë-Serbi

Ka përfunduar raundi i dytë i takimit mes midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në Bruksel. Ndërkohë, po vijon edhe raundi i tretë i takimit. 

Ora 12:41
Përfundon raundi i parë i takimit trepalësh për dialogun Kosovë-Serbi, vazhdojnë takimet ndaras me BE-në

Ka përfunduar raundi i parë i takimit trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në Bruksel.

Do të ketë takime dypalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit e BE-së, me qëllim që liderët të takohen sërish gjatë ditës.

Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ora 11:42
Nis takimi Kurti - Vuçiç në Bruksel, Borrell: Tensionet në veri dëshmojnë nevojën për normalizimim të plotë

Ka nisur takimi midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Teksa palët po takohen për raundin e tretë të bisedimeve në kuadër të Dialogut, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Twitter.

Ora 11:24
Në ditën e takimit Kurti-Vuçiç, në veri të Kosovës shfaqen mbishkrime provokuese me ngjyrat e flamurit serb! Banorët në panik

Në ditën e takimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, në veriun e Kosovës shihen mbishkrime provokuese nëpër mure, të cilat kanë trembur banorët.

Në mbishkrime shfaqen ngjyrat e flamurit serb, ku thuhet “Këtu jemi, mos u merakosni” dhe “Këtu jemi, po presim”, të shkruara në emër të ashtuquajturës “Brigada veriore”,  të cilat janë vendosur nëpër lokacione të ndryshme në rrugët e veriut të Mitrovicës.

Pankartat kanë shqetësuar qytetarët e asaj zone, duke ngjallur panik tek ta. Këta të fundit për KosovaPress kanë thënë se ndihen të pasigurt. Burime të KosovaPress-it bëjnë me dije se këto afishe të shkruara në alfabetin cirilik, ku vërehen ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe katër shkronjat “s” janë vendosur mbrëmë pas mesnatës nga persona të maskuar.

Mbishkrimet në veri të Kosovës

Pas 31 korrikut u rritën tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, pasi serbët lokalë vendosën barrikada në veri të vendit, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Serbët kundërshtuan dy vendime të Qeverisë së Kosovës, që kishin të bënin me targat dhe dokumentet serbe, por më 1 gusht barrikadat u hoqën dhe Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri në shtator.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së. Takimi i parë Kurti-Vuçiç, i mbajtur me 15 qershor 2021 në Bruksel, kaloi me grindje dhe mosmarrëveshje të mëdha, madje edhe me ngritje tonesh. Takimi i dytë, i mbajtur më 19 korrik 2021 ishte shumë më i shkurtër, sesa ishte planifikuar, sepse palët nuk ishin dakord pothuajse për asgjë. Takimi i tretë do të zhvillohet sot, në Bruksel, ndërsa dje Kurti dhe Vuçiç zhvilluan takime paraprake secili veçmas me Miroslav Lajçak dhe Grabriel Escobarin.

/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 19/08/2022 02:48

    Po keshtu dhe bisedimet Izrael-Palestine ! Dhe sot e kesaj dite jemi ne pritje te /Godoit/,atij te L.Mesme dhe ketij ballkanik!

    Përgjigju
  • Arbëri: 18/08/2022 20:02

    Borelius është zagar i Putinit, Edvin shqipfolësit dhe Vucicit.

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 18/08/2022 17:48

    Uh! Europë,ti k*rva e motit, Qi i rae mohe besës e zotit, Po a ky â shêji i gjytetnis: Me da tokën e Shqypnis Për me mbajt klysht e Rusis? I Madhërishmi dhe i Papësëritshmi GJERGJ FISHTA. Sa aktuale tingëllojnë këto fjalë revoltuese e akuzuese dale nga thelbi i zemrës shqiptare me 1933.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja