Gjykata e Apelit ka lënë sot në fuqi vendimin për sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit.

Vendimi i GJKKO-së ishte për t'u dhënë ditën e djeshme, por për shkak të dosjes voluminoze u shty për sot. Këtë seancë e ndoqi edhe përfaqësuesi i ambasadës amerikane.

Pas vendimit avokati i Ylli Ndroqit, Alban Qafa, tha se do të bëjnë rekurs në gjykatën e lartë. 

"Gjykata e Apelit miratoi vendimin e shkallës së parë. La në fuqi atë dhe do të bëjmë rekursin. Gjykata nuk e argumentoi vendimin, por do ta tërheqim në sekretari kur të jetë gati dhe rekursojmë në gjykatën e lartë. Ky vendim ishte një vendim që nuk ishte i mbështetur në prova.

Pronat janë marrë me ligjin 7501, ndërsa tani qëndrojnë të sekuestruara pavarësisht se ecën kredia dhe qereja financiare. Kam dyshime dhe për këtë do ta vazhdojmë betejën në gjykatën e lartë.

Indicet janë shkresa të dërguara nga ministria e brendshme dhe jo nga organi i akuzës. Ka një shkresë skandaloze dhe për këtë do i drejtohemi personit përgjegjës që e ka drejtuar SPAK-ut, nga drejtoria e Interpol Tiranës.

Dokumentacioni i ardhur nga Italia vërteton se s'ka qenë asnjëherë i dënuar në Itali. Se ku e ka gjetur Interpol Tirana këtë duhet ta vërtetojë organi i akuzës.

Përsa i përket për Turqinë, thjeshtë ka patur një verifikim për celularin e tij. I është bërë një verifikim celularit erikson. Pas procedurës i është kthyer nga policia dhe nuk është dënuar për ndonjë krim në Turqi. Sipas nesh nuk është subjekt i ligjit antimafia,"-u shpreh Qafa.

Pas hetimeve të SPAK, GJKKO vendosi sekuestrimin e 26 pasurive të biznesmenit Ndroqi.