Është një lëvizje e dëshpëruar e Keir Starmer për të mbetur në pushtet. Morgan McSweeney, “Rasputini” i tij dhe njëkohësisht arkitekti politik, njeriu që ndër vite ka ndërtuar karrierën dhe lidershipin e kryeministrit, ka dhënë dorëheqjen nga posti i shefit të stafit në Downing Street. Shkak është skandali Epstein, ku rezultoi i përfshirë edhe ish-ambasadori Peter Mandelson, kandidatura e të cilit ishte mbështetur fuqishëm nga McSweeney. Të dy i përkasin krahut centrist dhe “Blairian” të Partisë Laburiste.

“Pas një reflektimi të kujdesshëm, kam vendosur të jap dorëheqjen nga qeveria,” shkroi McSweeney në një deklaratë publike.

“Emërimi i Peter Mandelson ishte i gabuar. Ai i ka shkaktuar dëm partisë sonë, vendit dhe besimit në politikë. Kur u pyeta, e këshillova kryeministrin të vazhdonte me atë emërim dhe për këtë marr përgjegjësinë e plotë. Në jetën publike, përgjegjësia duhet marrë kur ka më shumë rëndësi, jo vetëm kur është më e përshtatshme. Duke pasur parasysh rrethanat, e vetmja zgjedhje e ndershme është të tërhiqem. Nuk ka qenë një vendim i lehtë, Shumë është shkruar dhe thënë për mua gjatë viteve, por motivimet e mia kanë qenë gjithmonë të thjeshta: kam punuar çdo ditë për të zgjedhur dhe mbështetur një qeveri që vendos në plan të parë jetën e njerëzve të zakonshëm dhe që na udhëheq drejt një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë. Vetëm një qeveri laburiste mund ta bëjë këtë. Largohem me krenari për gjithçka kemi arritur, të përzier me keqardhjen për largimin tim. Por gjithmonë kam besuar se ka momente kur duhet marrë përgjegjësia dhe bërë një hap pas për një kauzë më të madhe" shkroi ai. 

Por çfarë do të ndodhë tani me Keir Starmer?

A do të arrijë të shpëtojë politikisht, pasi ka sakrifikuar këshilltarin e tij më besnik dhe njeriun e gjithçkaje? Është e vërtetë se McSweeney shtyu fort emërimin e Mandelson si “njeriu ynë në Uashington”. Por vendimi përfundimtar për Lordin famëkeq u mor nga vetë kryeministri, i cili ka pranuar se u besoi “gënjeshtrave të përsëritura” të Mandelson lidhur me marrëdhëniet e tij me Epstein, përfshirë edhe kalimin e dokumenteve tepër sekrete të Downing Street, kur Mandelson ishte ministër i Zhvillimit Ekonomik dy dekada më parë.

Për më tepër, Keir Starmer është ish-Prokuror i Përgjithshëm i Kurorës dhe fakti që ka rënë pre e këtyre gënjeshtrave, edhe nëse në mirëbesim, nuk është aspak inkurajues.

McSweeney ka qenë këshilltari suprem i Starmer për gati një dekadë. Si do të arrijë kryeministri të mbijetojë politikisht pa hijen e tij pranë? Jo vetëm kaq. Dorëheqja e McSweeney përbën edhe një pranim të rëndë përgjegjësie nga vetë kryeministria. Nuk është rastësi që sot, pas ish-ministres Angela Rayner, e cila synon të marrë vendin e Starmer ,edhe zëvendëskryeministri David Lammy la të kuptohet se e kishte “paralajmëruar Starmerin për rreziqet e emërimit të Mandelsonit”.

Kjo i jep opozitës arsye të forta për të kërkuar që edhe kryeministri të bëjë një hap pas, pasi fjala e fundit për vendime të tilla i takon gjithmonë atij.

Starmer reagoi kështu pas largimit të McSweeney:

“Ka qenë një nder të punoja me McSweeney. Ai e ringriti partinë tonë pas një prej humbjeve më të rënda në historinë e saj – ajo e vitit 2019 me Jeremy Corbyn si lider – dhe luajti një rol qendror në menaxhimin e fushatës sonë zgjedhore. Është kryesisht falë përkushtimit, besnikërisë dhe lidershipit të tij që fituam një shumicë dërrmuese në zgjedhjet e vitit 2024 dhe mundësinë për të ndryshuar vendin. Partia jonë dhe unë i detyrohemi atij një mirënjohje të thellë.”

Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në orët dhe ditët në vijim. E sigurt është se me largimin e McSweeney bie një shtyllë kyçe e pushtetit të Starmer në Downing Street.

I lindur në Irlandë, pranë Cork-ut, 48 vjeç, nip i Michael-it të dekoruar nga IRA gjatë luftës së pavarësisë së vitit 1916, i martuar me deputeten laburiste Imogen Walker, McSweeney është njeriu që ka ndërtuar në mënyrë sistematike figurën dhe peshën politike të Sir Keir Starmer ndër vite.

Ai e zgjodhi Starmerin si figurë qendrore të think tank-ut të tij Labour Together pas humbjes së thellë të Jeremy Corbyn në zgjedhjet e vitit 2019.

Pasi braktisi London School of Economics, McSweeney fillimisht punoi në një kantier ndërtimi. Më pas, i frymëzuar nga Marrëveshjet e të Premtes së Mirë, u rikthye në universitet për të studiuar politikë dhe marketing në Middlesex University në vitin 1998, tre vjet përpara se t’i bashkohej Partisë Laburiste. Karrierën e nisi si recepsionist në selinë qendrore të Labour-it në Southwark, Londër. Prej aty filloi ngjitja e tij e shpejtë në parti, deri sa u shndërrua në strategun e pamëshirshëm pas kthesës centriste të Laburistëve dhe fitores elektorale të Starmerit në vitin 2024.

Vitin e kaluar, Daily Mail e cilësoi atë si “njeriun e dytë më të fuqishëm në Mbretërinë e Bashkuar”.

Lavdia është e përkohshme/ LaRepubblica