Media britanike, The Telegraph i ka kushtuar një artikull shqiptarëve në Angli, ku thekson se ata po përdorin rrjetin social TikTok, për t'u treguar punëtorëve të paligjshëm sesi të shmangin ndalimet nga oficerët e emigracionit.

Sipas medias britanike, shqiptarët po japin udhëzime, duke u treguar punëtorëve që mos t’u përgjigjen pyetjeve, t’i filmojnë oficerët e emigracionit dhe policinë, dhe t’i sfidojnë se kë po marrin në pyetje.

Në një video në TikTok, një qytetare shqiptare, tashmë me shtetësi britanike, paralajmëroi: “Kujdes, bëni një plan daljeje dhe mos jepni informacion për punëdhënësin tuaj.”

Ajo i krahasoi kontrollet me aksionet e ICE në SHBA.

Paralajmërimet janë postuar nga Edlira Meshau, 44 vjeç, shqiptare që erdhi në Britani me familjen e saj si azilkërkuese në vitin 1999 kur ishte 18 vjeç.

Llogaria e saj në TikTok, me emrin “Është Mbreti Lira”, ka 28,000 ndjekës dhe ka marrë më shumë se 760,000 pëlqime për videot e saj.

“Ky mesazh u shkon të gjithë shqiptarëve në Londër që janë pa dokumente, përfshirë ata që kanë dokumente.”, u shpreh ajo ndër të tjera.

@itskinglira ??Per Shqipetaret ne Angli.?? Mos ndalo. Ke te drejta. KINI KUJDES! MESONI SI TE MBROHENI NGA AGJENTET E EMIGRACIONIT DHE OPERACIONET QE KANE FILLUAR KETE JANAR. #albania #fyp #lajme ♬ breaking news - FactRoom

 

The Telegraph nënvizon se edhe pse numri i shqiptarëve që kalojnë Kanalin anglez me varka të vogla ka rënë ndjeshëm që prej vitit 2022, emigrantët e paligjshëm kanë kaluar ilegalisht me kamionë.

Në Britani, oficerët e zbatimit të ligjit për emigracionin kryen një numër rekord prej 12,800 ndalimesh në vitin 2025, një rritje prej 58% krahasuar me vitin e kaluar. Më shumë se 9,000 punëtorë të paligjshëm u arrestuan gjithsej vitin e kaluar. Rreth 1,087 u dëbuan nga vendi.

Shifrat e Ministrisë së Brendshme të publikuara për The Telegraph këtë javë treguan se restorantet dhe kafenetë ishin kishin më së shumti punëtorë të paligjshëm, me më shumë se 2,500 arrestime.