Në fillim të emisionit "Airport" u shfaq dokumentari ekskluziv mbi Bregun Perëndimor të Palestinës dhe intervista ekskluzive me ish-bashkëpunëtorët e Arafat.
Lidhur me "Çështjen palestineze, rruga drejt pajtimit", kanë folur në "Airportt" kolegët e liderit palestinez, Jaser Arafat. Ndërsa u shfaq gjatë emsionit edhe intervista me ish-ministrin e Jashtëm të Palestinës, Nabil Shaath dhe intervista me Jibril Rajoub, ish-asistentin e Arafat.
Në "Airport" tema u fokusua edhe në qeverinë e re të unitetit kombëtar. Çfarë i bashkoi Fatahun dhe Hamasin pas një konflikti 7 vjeçar? Cila do të jetë e ardhmja e bisedimeve Izraelito-Palestineze? Pse dështuan bisedimet e ndërmjetësuara nga administrata Obama? Cilat do të jenë lëvizjet e radhës së Autoriteteve Palestineze?. Këtyre pyetjeve dhe të tjerave i ka dhënë përgjigje në "Airport", Ambasadori i Palestinës në Shqipëri, Yasser Alnajjar dhe dy të intervistuarit e tjerë.
Mirëmbrëma, është kënaqësi që jeni sonte në “Airport”.
Mirëmbrëma zonjë është kënaqësia ime.
-Shpresoj t’iu ketë pëlqyer dokumentari. Jemi përpjekur me mundësitë tona modeste që të përshkruanim sadopak jetën në Bregun Perëndimor. Ishte natyrisht e pamundur të thoshim gjithçka për Palestinën sepse është shumë e madhe dhe ka një histori po aq të madhe por gjithsesi jemi përpjekur të japim një shije të vogël për opinionin publik shqiptar. Zoti ambasador ndërsa e rishihja dokumentarin mu kujtua diçka interesante që vura re kur isha në Bregun Perëndimor. Pjesa më e madhe e palestinezëve me të cilët kam biseduar më kanë thënë që duan ende paqen dhe jo luftë me Izraelin pavarësisht gjithë vuajtjeve që kanë kaluar. Kështu që pyetja ime është, pse ndjehen kështu? si është e mundur që nuk ka zemërim në zemrat e palestinezëve?
Në fakt nuk ka të burgosur që nuk janë të zemëruar kudo në botë dhe të jesh në burg për 6 dekada, pra 3 breza. Zemërimi është një ndjenjë njerëzore por po ashtu edhe shpresa për një zgjidhje paqësore për këtë konflikt është diçka krejt e natyrshme. ata janë të zemëruar por falë Zotit nuk ka më dhunë mes palestinezëve dhe pushtuesve izraelitë sepse nuk kanë mjete për t’u përballur me një prej ushtrive më të mëdha dhe më të fuqishme në botë. por shpresa mbetet gjithmonë. mendoj se kjo është natyra e mesdhetarëve në lindjen e mesme.
-Po çfarë e mban gjallë ende shpresën tek populli palestinez?
Është besimi që kjo është e drejta jonë, çka është edhe elementi më i rëndësishëm. Mbështetja e komunitetit ndërkombëtar, si Bashkimi Europian, bota arabe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë gjithnjë mbështetës për krijimin e një shteti demokratik për palestinezët. Dhe kjo është e mjaftueshme për palestinezët që të vazhdojnë të ecin përpara e përpjekjet e tyre dhe të kenë durim. Por për sa kohë do të mund të vazhdojmë kështu, unë nuk di t’jua them.
-Nuk mund ta thoni apo jo?
Po sepse mbi 50 % e popullsisë palestineze janë të rinj dhe të rinjtë shpesh udhëheqin.
Dhe të rinjtë kanë edhe më shumë shpresë mendoj, po ata janë më shpresues, më të fortë por nuk e dimë se cili do të jetë hapi i radhës për popullin palestinez nëse nuk do të ketë liri dhe një shtet.
-Le të fokusohemi paksa tek zhvillimet më të fundit politike. duke nisur që nga kjo e hënë ju keni një qeveri të re të uniteti kombëtar pas më shumë se 7 vjet konflikt dhe përçarje mes Fatahut dhe Hamasit. Pse erdhi tani ky pajtim dhe çfarë do të thotë kjo arritje për Palestinën veçanërisht në këtë moment?
Qëllimi për çdo komb është që të jetë i bashkuar pavarësisht divergjencave politike, fetare apo etnike. ajo çka ndodhi në qershor të 2007-ës, pra 7 vjet më parë thuajse, ishte një aksident politik nëse do të mund ta quaja kështu. ndaj është mëse normale që të jemi të bashkuar sërish. ne kemi një interes dhe qëllim të përbashkët që është çlirimi i tokave palestineze të pushtuara pas 1967-ës dhe krijimi i një shteti sovran dhe demokratik palestinez. Mendoj se kemi bërë gjënë e duhur me këtë pajtim dhe madje po ndodh 7 vjet me vonesë sa u përket pjesës më të madhe të palestinezëve por falë zotit kjo gjë ndodhi.
-Por çfarë ishte ajo që i bashkoi këto dy forca politike?
Mendoj që e sollën liderët nga të dyja krahët e Palestinës, Mendoj se vëllezërit tanë në Gaza të Hamasit që fituan zgjedhjet dhe shumicën në parlament e morën Gazan me forcë me anë të një grushti ushtarak. Mendoj se qëndrimi i tyre ishte me shumë pretendime dhe se si duhet të ishte situata por kur erdhën në qeveri kuptuan se nuk ishte aq e lehtë sa çmendonin. u deshën 7 vjet por tani rrethanat në lindjen e mesme dhe situata për palestinezët dhe mendoj sinqerisht që edhe dështimi i procesit të paqes mes Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe Izraelit, na bënë neve që ti shohim më seriozisht prioritetet tona.
-A mund të themi që ky dështim i negociatave e bëri Hamasin që të kuptojë se pa një bashkim dhe unitet nuk mund të ketë zgjidhje për Palestinën?
Po në fakt. sepse kur Organizata për Çlirimin e Palestinës arriti disa marrëveshje me Izraelin, zoti Netanjahu tha që ajo nuk ka juridiksion në Gaza dhe që nuk përfaqëson të gjithë palestinezët. Por kjo është taktikë frikësimi, por të paktën tani ata nuk kanë më justifikime në këtë drejtim.
-Në këtë drejtim mbase, por nga ana tjetër, kjo qeveri e re e unitetit kombëtar është mirëpritur nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, nga BE, OKB e madje Uashingtoni ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me administratën e re. Por Izraeli ka reaguar shumë ashpër duke e akuzuar SHBA-të se po mbështesin terrorizmin për shkak të pjesëmarrjes së Hamasit në këtë qeveri. A mendoni se kjo gjë do të dëmtojë edhe më shumë negociatat edhe pse deri tani ato kanë dështuar?
E vërtetë që nuk ka negociata por Izraeli është pjesë e komunitetit ndërkombëtar, kështu që nëse OKB dhe SHBA-të dhe Bashkimi Europian që është dhe partneri më i madh tregtar i tij, pra nëse të gjithë bien dakord se është koha për tju rikthyer negociatave mbi bazën e marrëveshjeve për të cilat kemi rënë dakord, gjithë rezolutave dhe ligjeve ndërkombëtare, Izraeli do të duhet të pranojë. Ata nuk mund të vazhdojnë kështu përgjithmonë. Është e vërtetë që flasin në mënyrë të ashpër por besoj se do të pranojnë të ulen, mbase për të njëjtat arsye që pranuan të nënshkruajnë marrëveshjet e Oslos në 93-shin dhe më pas deklaratën e Madridit. Është e njëjta situatë. Edhe atëherë partia Likud udhëhiqte në Izrael dhe është po e njëjta parti tani që drejtohet nga Netanjahu.
Kam një dyshim zoti ambasador, duke qenë se shumë shpesh gjatë viteve të fundit liderët palestinezë kanë akuzuar SHBA-të se mbajnë një qëndrim të padrejtë në favor të Izraelit në negociatat e zhvilluara. A mendoni se tani ka ndryshuar disi politika amerikane, pra po i jepet një mbështetje më e madhe Palestinës se sa Izraelit apo Uashingtoni ndjehet në faj edhe për shkak të dështimit të negociatave?
Nuk mendoj se në politikë ka emocione apo ndjenjë faji. Por kjo administratë amerikane e presidentit Obama mendoj se kanë arritur të mësojnë edhe më shumë për çështjet reale dhe shkaqet e vërteta të konfliktit. Politika e Izraelit dhe procesi i paqes po e turpëron disi këtë administratë amerikane që janë edhe aleati më i madh i tij. Pra është shumë e qartë ajo çka po ndodh dhe e pamundur për tu fshehur. Pra ata po kuptojnë më mirë të dyja palët e kësaj historie. historikisht në 5-6 dekadat e fundit është thënë vetëm versioni izraelit i historisë e adaptuar nga administratat e mëparshme amerikane. Por tani është ndryshe, ata nuk po mbajnë anën e askujt por në mendimin tim po e shohin me sy realist problemin.
-Zoti ambasador përpara se të vinit këtu në Shqipëri, ju keni qenë ambasador i Palestinës në Norvegji, pikërisht vendi ku lideri palestinez Jaser Arafat nenshkroi bashkë me ish kryeministrin izraelit Ytzhak Rabin nënshkruan të famshmet marrëveshjet e Oslos, të parën në 1993-shin. Por më shumë se 20 vjet kanë kaluar tashmë dhe pjesa më e madhe e këtyre marrëveshjeve nuk është implementuar. ju jeni një diplomat por do të doja tju pyesja a ja vlen ende që të vazhdohet të bisedohet me Izraelin edhe pas këtij dështimi kaq të madh?
E dini, kur Jaser Arafat ndërmori këtë veprim të guximshëm si lider i revolucionit për të bërë paqe me Izraelin dhe për të pranuar vetëm 22 % të gjithë Palestinës që ne apo stërgjyshërit tanë njihnin dhe nga ana tjetër ishte zoti Rabin i cili ishte gjithashtu një ushtarak, por edhe ai i guximshëm për të ndërmarrë këtë hap. Por në shtator të vitit të kaluar u mbushën 20 vjet që kur ka nisur dhe procesi i paqes dhe u nënshkruan këto marrëveshje dhe asgjë nuk ka ndodhur. Dhe nëse kemi një marrëveshje dhe ju shkelni thuajse 90 % të saj, kush thotë se nuk mund të rifillosh të negociosh sërish dhe ti qëndrosh sa më shumë besnike kësaj marrëveshje. Dua të them, koha nuk i jep fund asnjë marrëveshje, të dyja palët duhet ende ti binden këtyre marrëveshjeve, por tani i takon Izraelit ti qëndrojë asaj që ka nënshkruar me garancinë e komunitetit ndërkombëtar dhe veçanërisht të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian.
-Opinioni publik në Shqipëri nuk ju njeh shumë ndaj do të doja të flisnim pak edhe për ju personalisht në përpjekje për të shpjeguar edhe çështjen palestineze. Ju keni një të kaluar vërtet të dhimbshme pasi të dy prindërit tuaj janë vrarë nga ushtarët izraelitë apo jo? E megjithatë ju vendosët të shkonit drejt rrugës së diplomacisë në vend që të luftoni dhe këtë e kanë bërë edhe shumë palestinezë të tjerë mesa pashë kur isha në Bregun Perëndimor, edhe pse kanë vuajtur shumë, pse?
Im atë ishte ministër i Jashtëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe ai u vra në vitin 1973 bashkë me nënën time. Kreu i skuadrës që e vrau, Mosadit, udhëhiqej nga Ehud Barak, ish kryeministër dhe ish ministër i mbrojtjes së Izraeli, cka e ka pranuar në kujtimet e tij. Dhe kur ndodhi e gjithë kjo, unë isha vetëm 11 vjeç, kështu që kontakti im i parë me Izraelin ishte ora 01:00 pas mesnate ndërsa qëllonin prindërit e mi me qindra plumba dhe unë isha vetëm 3 metra larg tyre. por unë kam kaluar përmes shumë luftërave, kam jetuar në Liban, Siri, Jordani dhe Gaza dhe kam menduar se brezi i ardhshëm, pra fëmijët e mi duhet të jetojnë një jetë më të mirë se ajo që pata unë dhe shumica e palestinezëve. Pra mendoj që duhet ti japim paqes të gjitha shanset e mundshme sepse lufta nuk mund të zgjidhë asnjëherë problemet mes dy vendeve. ne jemi 5 milion ndërsa Izraeli ka një popullsi prej 7 milionë banorë. Nuk do të do shkojmë dot gjëkundi ndaj duhet të gjejmë një zgjidhje sipas ligjeve ndërkombëtare për dy shtete.
-Le t’i rikthehemi edhe një herë situatës politike, për shumë javë me radhë në muajin prill, presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abas deklaroi se do të kërkojë anëtarësimin në 48 organizata ndërkombëtare pasi u anëtarësua në 15 prej tyre në fillim të muajit. Kjo gjë erdhi menjëherë pas dështimit të negociatave dhe pasi Izraeli nuk pranoi të lironte grupin e fundit të të burgosurve. Por pastaj pa ndonjë shpjegim, Abas vendosi që do të ndërpriste këtë përpjekje. Pse ky vendim?
Që të jemi pak më të saktë, janë 62 organizata ndërkombëtare tek të cilat do të anëtarësohemi si çdo vend tjetër. Por është një proces i gjatë, disa duan shumë muaj disa vetëm disa javë. Kemi bërë dhjetëra aplikime dhe disa prej këtyre organizatave na kthyen përgjigje shumë shpejt duke na pranuar si anëtarë me të drejta të plota ndërsa procesi vazhdon me organizata të tjera. Por çështja nuk është anëtarësimi tek këto organizata sepse është një e drejtë e jona por që të përdorim këtë mjet, pra anëtarësimin në këto organizata si një arbitër apo gjykatës mes nesh dhe Izraelit sa herë që kemi një problem apo pengesë në marrëdhëniet tona. Ne nuk po e kërcënojmë Izraelin duke u bërë anëtar i këtyre organizatave sepse ai është anëtarë, ashtu si Shqipëria dhe shumë vende të tjera por ne duam të kemi mundësinë të përdorim ligjet ndërkombëtare sepse jemi dy kombe me dy qeveri dhe kemi qindra probleme që komplikojnë marrëdhënien tonë. Pra anëtarësimi në këto organizata nuk duhet të përbëjë kërcënim për askënd, por ata ndërkohë na kërcënojnë neve edhe presidentin Abas personalisht.
Palestina tashmë ka fituar në OKB statusin e përhershëm të vendit vëzhgues por ende nuk njihet si një shtet i pavarur. Cila do të jetë lëvizja e radhës nga Autoriteti Palestinez në nivel ndërkombëtar ?
Vitin e kaluar mbi 170 vende e njohën Palestinën me këtë status çka ishte një ngjarje vërtet e lumtur për ne dhe që tregon vullnetin e komunitetit ndërkombëtar, por ne do të vazhdojmë përpjekjet për tu bërë siç thashë pak më parë, anëtarë i të gjitha organizatave të OKB-së. Qëllimi ynë final është krijimi i shtetit palestinez. Do të doja ti tregoja shikuesve disa harta. Përpara krijimit të shtetit izraelit në 1946 me anë të pushtimit ushtarak, kjo me të gjelbër është Palestina që njihte e gjithë bota ndërsa zona me të bardhë janë lagjet hebreje që jetonin në Palestinë dhe shumica e tyre ishin hebrenj palestinez, ndërsa harta e dytë i takon 1947 sipas rezolutave ndërkombëtare, pjesa e bardhë është shteti izraelit ndërsa pjesa e gjelbër Palestina, që në fakt kurrë nuk ndodhi kështu. Pas luftës së 1967-ës, që sot për koincidencë në 5 qershor është përvjetori i kësaj lufte, Izraeli pushtoi pjesë të tjera të mëdha të Palestinës dhe la vetëm Gazën dhe Bregun Perëndimor. Gaza është vetëm 3 % e të gjithë Palestinës dhe Bregu Perëndimor vetëm 22 %. Ndaj qëllimi ynë është që të krijojmë një shtet me të dyja pra duke pranuar më pak se 25 % të të gjithë Palestinës. Por ajo që po ndodh sot është që këto pjesë të gjelbra janë ato çka kanë mbetur nga Bregu Perëndimor dhe e gjithë zona me të bardhë këtu është nën kontrollin izraelit dhe plot me koloni hebreje. kjo është një tjetër hartë e asaj që po ndodh në bregun perëndimor, zona me të bardhë kontrollohet nga Izraeli dhe njollat blu janë të gjithë vendbanime hebreje. Kush mund ta imagjinojë një shtet që duket në këtë mënyrë? pra kemi mbi 600 mijë koloni mes 3 milion palestinezëve ndërsa nuk ka akses mes qyteteve dhe mbi 500 pika kontrolli të ushtrisë izraelite. Po flasim për një iluzion ku nuk duket të ketë mundësi për një shtet real në këto kushte. ndaj duhet ti rikthehemi rezolutës 242 që përcakton një shtet me të gjithë bregun perëndimor dhe Gazan.
-Dhe në këtë kërkesë tuajën, ju nuk hiqni dorë nga Jerusalemi apo jo?
Për të mos e përmendur fare Jerusalemin që ata as që duan të diskutojnë për të apo për kufijtë ndërkombëtar të shtetit të Palestinës me Jordaninë, Sirinë apo Egjiptin. Pra po flasim për diçka të pamundur. Duhet të vendosim helikopterë që njerëzit atje të shkojnë të vizitojnë kushërinjtë e tyre në një qytet tjetër brenda Bregut Perëndimor.
-Ju përmendët votimin që u bë në OKB vitin e kaluar ku Shqipëria abstenoi edhe pse vendi ynë e ka njohur Palestinën si shtet të pavarur më shumë se 20 vjet më parë. Këtu në Tiranë u përfol për një presion të fortë nga Izraeli ndaj qeverisë së mëparshme. Ajo që dua t’iu pyes është se çfarë prisni nga Tirana zyrtare në këto përpjekje ndërkombëtare që do të ndërmerrni?
Ne mendojmë që nëse Shqipëria vepron me një qasje të balancuar ndaj Izraelit dhe palestinezëve do ti ndihmonte të dyja palët drejt pajtimit. Është më mirë të mbahet një politikë e balancuar për ti dhënë fund këtij konflikti që mund të shndërrohet në një vicioz që shpresoj të mos ndodhë kështu. Por të mos harrojmë që i gjithë rajoni po kalon një periudhë të dhunshme, si Siria, Libia apo shumë vende të tjera. prandaj sa më shpejt aq më mirë që nëse arrijmë një zgjidhje mes dy popujve. ne si palestinezë kemi marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë politikisht dhe në kulturë. Shqipëria është shumë e interesuar që të anëtarësohet në BE kështu që rrjedha më logjike do të ishte që të ndiqte politikën e BE-së sa i takon këtyre çështjeve. Ketë shpresojmë edhe ne dhe po punojmë edhe me qeverinë e re, e kuptojmë shumë mirë nga vjen presioni, por politika ka të bëjë edhe me presionet edhe me interesat e përbashkëta, ndaj dhe jam këtu për të biseduar lidhur me këto çështje.
E kuptoj, do të doja ta mbyllja intervistën tonë pikërisht me këtë mesazh ndaj qeverisë shqiptare nëse nuk keni gjë tjetër për të shtuar.
Ishte kënaqësi që më ftuat, më pëlqen shumë vendi juaj, ndonjëherë kur eci rrugës ndjej sikur jam në Palestinë nga shumë gjëra që duket se kemi të përbashkëta, ushqimi, ndërtesat. Po kënaqem shumë këtu dhe shpresoj të arrij diçka të mirë për sa kohë jam këtu.
Faleminderit që ishit sonte në "Airport" dhe shpresoj t’iu kem sërish, mbase në një moment më të mirë.
Redaksia online
(e.s/a.h/shqiptarja.com)