Kevin Hajrulla, i cili ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe paniku pas atentatit që e la të plagosur më 18 dhjetor 2024 në Vlorë, është marrë në pyetje nga policia në Tiranë. Megjithatë, dëshmia e tij nuk ka ndihmuar grupin hetimor për të hedhur dritë mbi ngjarjen.
Sipas burimeve, Hajrulla ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte me askënd dhe nuk di çfarë mund të ketë ndodhur. Ai ka pohuar se është kushëri, Inezin, por kontaktet mes tyre kanë qenë të rralla.
Në lidhje me momentin e atentatit, Hajrulla ka thënë se kujton shumë pak nga ngjarja dhe nuk mund të japë detaje konkrete, duke shtuar se është traumatizuar dhe nuk mban mend fytyrat e autorëve apo rrethanat e sulmit.
Deri më tani, Hajrulla ka kryer tre ndërhyrje kirurgjikale për të hequr plumbat nga trupi dhe, sipas mjekëve, do t’i nënshtrohet edhe ndërhyrjeve të tjera për të stabilizuar gjendjen e tij. Ndërkohë, grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët e atentatit, por ende nuk ka arritur rezultate konkrete.