Çështjet penale të Presidentit të SHBA-ve, Trump! Ja çfarë do të ndodhë më pas?

Çështjet penale të Presidentit të SHBA-ve, Trump! Ja çfarë do të ndodhë më pas?

Donald Trump

Problemet ligjore të ish-presidentit Donald Trump vazhdojnë të rëndohen, duke vënë në rrezik jo vetëm garën e tij presidenciale, por edhe lirinë personale.

Javën e kaluar, zoti Trump u padit për katër vepra penale në lidhje me përpjekjet e tij të supozuara për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, që ai i humbi ndaj rivalit Joe Biden.

Kjo ishte aktpadia e tretë penale ndaj tij në më shumë se katër muaj – dy aktpadi janë nga autoritetet federale dhe tjetra nga shteti i Nju Jorkut. Në total, të tre aktpaditë përmbajnë 78 akuza penale ndaj ish-presidentit.

Një padi e katërt pritet të ngrihet në fund të këtij muaji në shtetin jugor të Xhorxhias, ku një prokurore lokale, ka hetuar zotin Trumpin dhe aleatët e tij, për ndërhyrje në zgjedhje në këtë shtet.

Sipas një përllogarie të bërë nga portali ‘Politico’, nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat e shpallura deri tani dhe i jepet dënimi maksimal, zoti Trump mund të përballet me deri 641 vjet burg.

Megjithatë, gjyqet nuk janë zhvilluar ende dhe ekspertët ligjorë thonë se ish-presidenti mund të shmangë dënimin me burg, duke negociuar me prokurorët për dënime të lehta në shkëmbim të pranimit të fajësisë dhe duke apeluar dënimet e mundshme.

Trump ka deklaruar se është i pafajshëm në të tre rastet dhe i ka cilësuar akuzat “ndërhyrje në zgjedhje” të krijuara për të dëmtuar kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të 2024.

Problemet ligjore nuk e kanë dëmtuar atë mes kandidatëve të tjerë republikanë për president. Ai vazhdon të dominojë me diferencë të thellë ndaj të tjerëve. Por me të paktën dy procese gjyqësore, që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, çështjet penale ka të ngjarë të hedhin një hije të errët mbi garën presidenciale dhe titujt e lajmeve.

Ja një vështrim se ku qëndrojnë rastet.

Pagesat e fshehta

Ky rast, i njoftuar në mars, e bëri zotin Trump, ish-presidentin e parë dhe të vetëm amerikan, ndaj të cilit ngrihet aktpadi penale.

Më 30 mars, një juri e madhe në Manhatan e paditi atë për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit në lidhje me pagesat e bëra ndaj një ylli të filmave pornografik në vitin 2016.

Në një skenë të paprecedentë, zoti Trump iu dorëzua autoriteteve pesë ditë më vonë dhe doli para gjykatësit në Manhatan.

Avokatët e zotit Trump kërkuan ta zhvendosnin çështjen nga gjykata e shtetit të Nju Jorkut në një gjykatë federale, duke argumentuar se veprimet e tij, për të cilat ai akuzohej, lidheshin me detyrat e tij zyrtare si president.

Por në korrik, një gjykatës federal e hodhi poshtë argumentin, duke krijuar terrenin për një gjykim në një gjykatë shtetërore.

Gjyqi është caktuar për më 25 mars 2024.

Dokumentet e klasifikuara

Aktpadia e ngritur nga prokurori i posaçëm Jack Smith, shënon aktakuzën e parë federale ndaj një presidenti amerikan në detyrë, apo të larguar nga detyra.

Akuzat pasuan hetimet një mujore të prokurorit Smith për dokumentet sekrete që zoti Trump kishte marrë me vete, në kundërshtim me ligjin, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar të vitit 2021.

Më 8 qershor, një juri e madhe në Majami e paditi zotin Trump për 37 akuza penale, duke përfshirë 31 akuza për mbajtje të paligjshme të informacioneve të mbrojtjes kombëtare dhe një akuzë për komplot për të penguar drejtësinë. Pjesë e akuzave është edhe ndihmësi i afërt i zotit Trump, Walt Nauta, u akuzua. Trump u akuzua zyrtarisht më 13 qershor.

Në fund të korrikut, prokurorët paraqitën tre akuza shtesë dhe shtuan edhe një tjetër të pandehur në çështje, punëtorin e mirëmbajtjes në Mar-a-Lago, Carlos De Oliveira.

Sipas akuzave të reja, zoti Trump dhe dy ndihmësit e tij akuzohen se i kërkuan një punonjësi tjetër të "fshinte pamjet filmike të kamerave të sigurisë në Klubin Mar-a-Lago për të parandaluar që pamjet t'i jepeshin jurisë së madhe federale".

Trump deklaroi se ishte i pafajshëm për akuzat e reja.

Gjyqi për këtë çështje është caktuar të fillojë më 20 maj 2024, në Fort Pierce të Floridas.

Data e gjyqit, e caktuar nga gjykatësja Aileen Cannon, ishte një kompromis midis një kërkese të prokurorëve që gjyqi të fillonte në dhjetor dhe kërkesës së avokatëve të zotit Trump për ta shtyrë atë pas zgjedhjeve presidenciale.

Zgjedhjet 2020

Në atë që shumë e shohin si padinë më të rëndë kundër zotit Trump, është aktakuza e përqendruar në përpjekjet e supozuara të ish-presidentit për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Javën e kaluar, prokurori Smith lëshoi një aktpadi që përmban katër akuza kundër zotit Trump, tre për komplot kundpr qeverisë dhe një tjetër për pengim të drejtësisë.

Aktpadia erdhi si rezultat i një hetimi masiv të Departamentit të Drejtësisë për trazirat e 6 janarit 2021 në Kongres nga një turmë e mbështetësve të zotit Trump.

Më 3 gusht, ish-presidenti doli para gjykatësit në Uashington. Prokurorët kanë një javë afat për të propozuar një datë gjyqi.

Një seancë paraprake para gjykatëses së çështjes Tanya Chutkan, është caktuar për më 28 gusht.

Pas ngritjes së aktpadisë zoti Trump u ankua në platformën e tij sociale “Truth Social” se ky nuk mund të ketë një gjyq i drejtë në Uashington, një qytet që voton pro demokratëve.

Një gjykatës do të duhet të miratojë një kërkesë për ndryshimin e vendit të gjyqit dhe mbetet e paqartë nëse do të pranohet.

 

Ndërhyrja në zgjedhjet e Xhorxhias

Trump mund të përballet me akuza penale në kontenë Fulton të Xhorxhias, ku Prokurorja e Qarkut Fani Willis ka hetuar përpjekjet e zotit Trump dhe aleatëve të tij, për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Një juri e madhe e posaçme shqyrtoi çështjen dhe publikoi një raport në janar duke rekomanduar akuza penale.

Prokurorja Willis tha se ajo do ta shpallë vendimin e saj deri në mes të gushtit.

Më shumë se dymbëdhjetë persona janë njoftuar nga zyra e prokurores Willis se janë nën hetim, duke sugjeruar se disa, ose të gjithë, mund të përballen me akuza.

Implikimet për garën presidenciale

Megjithëse rezultati i akuzave mbetet i pasigurt, ekziston një konsensus midis ekspertëve ligjorë, që edhe nëse dënohet, zoti Trump mund ta vazhdojë fushatën elektorale për t’u zgjedhur president.

Kushtetuta amerikane përcakton tre kërkesa kryesore për kandidatët presidencialë: të jenë shtetas amerikanë të lindur në Shtetet e Bashkuara, të jenë të paktën 35 vjeç dhe të kenë banuar në Shtetet e Bashkuara për jo më pak se 14 vjet. Megjithatë, Kushtetuta nuk shprehet për rastet e kandidatëve të akuzuar, apo të dënuar nga gjykatat.

Kjo do të thotë se zoti Trump mund të kandidojë për president si një kriminel i dënuar apo edhe pas hekurave, siç bëri Eugene V. Debs, kandidati presidencial i Partisë Socialiste, më shumë se një shekull më parë./VOA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave