CEZ letër qeverisë: Drita
deri më 2 prill, na falimentuat

CEZ letër qeverisë: Drita <br />deri më 2 prill, na falimentuat
TIRANE – Shqiptarët pas pak ditësh mund të mbeten pa energji elektrike, që nga veriu deri në jug të vendit, me pasojat katastrofike që mund të shkaktojë një situatë e tillë e paimagjinueshme. Ky nuk është një skenar fantastiko-shkencor, por një kërcënim real.

Kompania CEZ Shpërndarje, me anë të dokumenti zyrtar të publikuar ekskluzivisht në numrin e sotëm të gazetës “Shqiptarja.com”, njofton se është në prag falimentimi financiar, se arka e saj po boshatiset dhe se, pavarësisht nga përpjekjet e saj, duke filluar nga fundi i këtij muaji, nuk do të jetë më në gjendje të paguajë kompanitë që e furnizojnë me energji nga importi.

MESAZHI
Në një letër të datës 26 mars, dërguar kryeministrit Sali Berisha, ministrave Nasip Naço e Ridvan Bode dhe kreut të Entit Rregullator Sokol Ramadani, çekët deklarojnë se gjendja financiare e shoqërisë është duke u përkeqësuar në mënyrë të shpejtë. Nga burime brenda kësaj shoqërie, Shqi¬pta¬rja.com mësoi se CEZ ka kryer në dy muajt e parë të këtij viti importime masive të energjisë, kryesisht me kontraktorin EFT, që llogariten në rreth 13 milionë euro. Kjo, pasi, nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe nga përfaqësuesi i 24 për qind të aksioneve në CEZ Shpërndarje, që është ministri Nasip Naço, i është kërkuar ndihmë, me logjikën se KESH-i i ka ezauruar të gjitha mundësitë për të blerë energji nga importi, pas kredisë së fundit, që u dha nga qeveria shqiptare duke sakrifikuar tri të katërtat e kontingjencës që në muajin e parë të vitit.

SITUATA
Moti i thatë i zgjatur ka shkaktuar prurje të papërfillshme dhe situata në HEC-e paraqitet e tillë, që agregatët e Fierzës janë stakuar, që të rritet paksa mbi pikën e vdekjes niveli i liqenit më të madh ujëmbledhës të vendit, ndërkohë që prodhohen vetëm 4-5 milionë kilovatorë energji në ditë. Por, aktualisht konsumi vazhdon të jetë rreth 16-18 milionë kilovatorë.

GJENDJA FINANCIARE
CEZ ka pranuar përkohësisht të kryejë importet, por kjo ka rënduar më tej financat e kompanisë, aq sa të mos ketë më mundësi të kontraktojë sasi tjetër energjie për muajin prill. Kjo, në një kohë kur nuk janë zgjidhur edhe problemet e mospagesës së faturave nga institucionet shtetërore, për të cilën është marrë madje, edhe një vendim qeverie. "Si rrjedhojë e humbjeve të akumuluara në vitet e mëparshme dhe kryesisht për shkak të humbjeve të konsiderueshme gjatë muajve janar dhe shkurt 2012, kapitali neto i shoqërisë ka arritur në një vlerë negative prej 7.785.470.000 lekësh në fund të shkurtit 2012. Situata financiare e shoqërisë është përkeqësuar në pikën që, nëse shoqërisë nuk i jepen financime nga burime të jashtme, kjo nuk do të jetë në gjendje të paguajë furnitorët e saj duke filluar nga fundi i këtij muaji", thuhet në letër.

SHKAQET
Sipas kompanisë, qeveria ka shkelur marrëveshjen e mbështetjes qeveritare, të lidhur midis ministrisë së Financave, METE-s dhe CEZ Shpërndarjes. Kjo situatë, sipas saj, është shkaktuar nga tarifa të papërshtatshme dhe të padrejta për shpërndarjen për vitet 2012-2014, si dhe nga mosmiratimi nga ERE i studimit të borxhit të keq dhe atij të humbjeve. Po kështu, ndër të tjera, kompania ja ve fajin për situatën imponimit, nga ana e Entit Rregullator, të një kontrate të padrejtë ndërmjet KESH-it dhe CEZ-it për vitin 2011.

PENGESAT
Mospërputhja po pengon edhe financimin nga burime të tjera. Lëvrimi i pjesës së mbëtur prej 65 milionë eurosh nga huaja për investim e BERZH/IFC është pezulluar, ndërkohë që edhe kompania-mëmë CEZ, e cila është gati të japë financim për CEZ Shpërndarje në masën 40 milionë euro dhe të rritë kapitalin e saj me 20 milionë euro, e kushtëzon këtë me ndryshimin e dispozitave rregullatore, që nuk janë ato, për të cilat është angazhuar në kontratë qeveria shqiptare.

PASOJAT
Pasi ka ezauruar të gjitha mundësitë e saj financiare për blerje energjie nga importi, qeveria shqiptare rrezikon të humbë edhe 60 milionë eurot e garancisë kontraktore, në rast se CEZ-i tërhiqet nga tregu shqiptar.
Por, kjo do të ishte e keqja më e vogël, përballë humbjeve nga mungesa e energjisë elektrike në shkallë vendi nga kompania që ka të drejtën ekskluzive të furnizimit të popullatës me të.

(gk/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet