Çfarë dihet për praninë e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën?

Çfarë dihet për praninë e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën?

Ekipi i forenzikës i REL analizoi pamjet që shpërndau Kurti në rrjetet sociale dhe lokalizoi vendin ku ndodheshin automjetet ushtarake serbe

Situata në Kosovë, për momentin, është e qetë, por mbetet e brishtë, vlerësoi misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR. Radio Evropa e Lirë kërkoi koment prej tij, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha një ditë më herët se “njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën” dhe publikoi, siç pretendoi, pamje të tyre.

“KFOR-i ka një prani fleksibël dhe të dukshme në mbarë Kosovën – gjë që i mundëson misionit tonë të monitorojë nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe t’iu përgjigjet të gjitha situatave që ndikojnë në një mjedis të sigurt”, tha KFOR-i. Ai nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse ka parë ndonjë lëvizje të pazakontë të Ushtrisë apo Policisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën. Ky mision është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra. Në bazë të një marrëveshjeje me KFOR-in, Policia e Kosovës mund të patrullojë në kufirin me Serbinë deri në një kilometër afër vijës ndarëse. Forcat e Armatosura të Serbisë, po ashtu, duhet ta informojnë KFOR-in nëse njësitë e tyre afrohen më afër se 1 kilometër nga kufiri me Kosovën.

Çka u tha në Serbi?

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha përmes një deklarate për media se pretendimet e Kurtit janë “vazhdimësi e fushatës dezinformuese drejtuar kundër Ushtrisë së Serbisë”. Sipas kësaj ministrie, në video shihen pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë në zonën e sigurisë tokësore, “duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e vijës administrative dhe kontrollin e zonës së sigurisë tokësore”. Këto veprime u tha se janë në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera, të nënshkruara me KFOR-in.

Në reagimin e ministrisë serbe thuhet, po ashtu, se në sigurimin e “vijës administrative drejt Kosovës dhe Metohisë” – siç i referohet Serbia kufirit me Kosovën – “nuk ka vend për Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”.

Sa afër, në fakt, ishin forcat serbe?

Ekipi i forenzikës i Radios Evropa e Lirë analizoi pamjet që shpërndau Kurti në rrjetet sociale dhe lokalizoi vendin ku ndodheshin automjetet ushtarake serbe. Automjetet në video duket se janë të kthyera në drejtim të fshatrave serbe, kurse ushtarët iu afrohen automjeteve të parkuara ushtarake. Sipas njehsorit, që është pjesë e veglës Google Maps, në momentin e videos, dy automjete dhe disa ushtarë ndodhen rreth 350 metra nga kufiri me Kosovën, sipas vijës ajrore.

Në atë vend, ka edhe një rrugë të vogël ranore që e kalon kufirin. Në të dy anët e kufirit, aty pranë shihen shtëpi. Menjëherë pas kësaj vije kufitare janë fshatrat Banjë dhe Kleçkë në Kosovë.

Çka thanë tjetër autoritetet?

Duke folur të premten në një konferencë me gazetarët, kryeministri Kurti tha se “nuk është normale që ato automjete ushtarake të vijnë vetëm disa metra afër kufirit”. “Ata kanë ardhur të provokojnë, por ne e kemi xhiruar këtë, e kemi dëshmuar, por nuk kemi ndërmarrë asgjë. Kemi qenë të kujdesshëm, i kemi vëzhguar se a do ta kalojnë kufirin, por nuk e kanë kaluar. Unë jam i kënaqur që sot nuk janë, deri në orën 16:00 nuk kanë qenë aty”, tha ai.

Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se SHBA-ja është duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën. Në një bashkëbisedim online me gazetarët, që mbajti po ashtu të premten, O’Brien tha se SHBA-ja ia ka bërë të ditur Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.

Ai tha se një lëvizje eventuale prej forcave të Serbisë, do të konsiderohej nga SHBA-ja si rrezikim i forcave të NATO-s “që janë në Kosovë për t’i mbrojtur shqiptarët dhe serbët”. Sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, “ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës”. SHBA-ja e ka cilësuar si zhvillim destabilizues edhe kur Serbia ka grumbulluar trupa ushtarake në kufi me Kosovën, pak disa pas sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit të kaluar.

Vrajolli: Kufiri jo i demarkuar, pretekst për “arsyetim”

Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se prania e njësive të Ushtrisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën “është provokuese”. Shqetësimet që ka ngritur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me këtë çështje, thotë ai, nuk duhen injoruar as nga institucionet e Kosovës dhe as nga faktorët ndërkombëtarë.

“Nuk duhet mohuar mundësia që këta individë, këta ushtarë [të Serbisë], të cilët vijnë deri te vija kufitare, janë duke mbledhur informata inteligjente për boshllëqet që ka kufiri i Kosovës”, thotë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë. Ai thekson se institucionet e Kosovës nuk duhet të bien pre e këtyre veprimeve provokuese, por duhet të jenë të përgatitura për të intervenuar, në rast se njësitë e tilla kalojnë kufirin. Vrajolli thotë se Kosova dhe Serbia nuk e kanë demarkuar kufirin dhe ky fakt keqpërdoret nga forcat serbe.

“Ato mund ta përdorin këtë si pretekst, të thonë ‘kemi menduar se është e jona’ ose ‘mendojmë se është e jona’”, thotë Vrajolli. Serbia, me Kushtetutën e saj, vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të territorit të saj, edhe pse Kosova ka shpallur pavarësinë qysh në vitin 2008. Dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Muajin e kaluar është bërë një vit prej se ato kanë arritur Marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve – e cila, mes tjerash, parasheh respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale – por zbatimi i saj ka ngecur./ REL

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje