Çfarë dimë ne për Moikom Zeqon?!

Çfarë dimë ne për Moikom Zeqon?!
TIRANË - “Qëllimi i shkrimtarit është të mbajë civilizimin larg nga shkatërrimi i vetes”. Kjo e vërtetë e rrokur nga Albert Kamy, më kaloi menjëherë në mendje teksa përpiqesha të  kuptoja dimensionin e Moikom Zeqos. Ne të rinjtë fejsbukistë, e kemi të thjeshtë ta gjejmë çdo gjë me një klik, por ky nuk ishte aspak rasti. Sepse për Moikom Zeqon, sa më shumë të lexosh, aq më pak di.

Sa më shumë i afrohesh, aq më larg e gjen veten nga figura e tij shumëdimensionale. Kur Eduard Shalsi më thërret e më thotë se shumë shpejt në Berat do t’i japim titullin Moikom Zeqos, për  kontributin e tij në letërsi, muzeumologji, ikonografi, duke mos e lënë jashtë fokusit të vet edhe Beratin, e njihja pak, zëre se aspak këtë shkrimtar-arkeolog. Ndaj edhe pyeta veten, “Çfarë di ti për të?” E nisa duke kërkuar për jetën e tij, që në fakt më rezultoi më shumë se një jetë. Si ka mundësi (pyes veten), që të shkrihen kaq shumë dimensione në botën mendore, shpirtërore të vetëm një njeriu fizik?

Te ai është shkrimtari, poeti, arkeologu, studiuesi, piktori ,  historiani, përkthyesi, njeriu i dashuruar me artin, madje edhe politikani. Si mund të bashkëjetojnë vallë, në kaq harmoni me njëra tjetrën, të gjitha  brenda një personaliteti? Duhet të ketë patjetër një emërues të përbashkët që i mban gjallë. Përgjigjen në fakt, e gjeta te vetë profesori, në një nga intervistat e tij: kurioziteti për botën!

Me sa duket, ky është edhe shkëndija që ndezi kaq shumë flakë pasioni në botën e tij të brendshme, po edhe flaka që mban gjallë këto dimensione.
Kur e dëgjova ta thotë këtë, m’u kujtua shprehja e njohur e  Plutarkut: Mendja nuk është enë që duhet mbushur, por flakë që duhet ndezur.

E ndaj figura e Moikom Zeqos të tërheq në një botë të nëndheshme, të  fut në rrugë të fshehta kapilare të shpirtit njerëzor dhe arsyes, por nuk të mban peng. Përkundrazi,  të vë në mendime, të ndez  flakën, pra mëndjen. Dhe pastaj, të lë të të fluturosh në lirinë e arsyes që ta dhuron pa asnjë kusht, pa asnjë gjë në këmbim, mjafton ta dëgjosh tek flet për piktorin Onufri si të kishte jetuar në një kohë me të apo të lexosh poemat e tij që ngrihen mbi njeriun, mbi jetën, mbi vdekjen, në një nivel përjetësie.

Dhe ai është i vetëdijshëm për këtë përjetësi teksa e thotë në poemën “Syri”:
“Me syrin e poezisë në ballë, edhe në vdekje… jam i gjallë.”
Ndoshta përshtypja që më ka lënë është naive, tipike e një adoleshenti që është mësuar të lexojë novelat plot imagjinatë të  Daniel Steel  apo rebelimet e poetëve melankolikë, por kur ndesh të tilla figura, të tilla vepra, të tilla botëkuptime, ti reflekton i  keqardhur se “Sa pak e njoh këtë botë…”

Pasditja e së premtes që shkoi, e gjeti Moikom Zeqon  “Qytetar Nderi të Beratit” mes dhjetra artdashësve që kishin mundur të hynin në qelizat e krijimtarisë së tij. Por më bukur akoma, edhe mes dhjetra të rinjve që ashtu si unë, naivë dhe kuriozë donin ta njihnin këtë artist modest, fare modest kur të përqafon e të thotë “Si je djalo?”

Moikom Zeqo futet në listën e personave që nderon ky qytet, të cilin po ta shpirtëzosh, mund ta përshkruash si po aq të thellë, aq  të pakapshëm, aq misterioz dhe elegant, aq meditativ dhe entuziast, sa edhe natyra që frymon në veprat e Moikom Zeqos, që mua do të më duhet ndoshta një jetë për t’i njohur siç duhet. Por edhe kaq pak, është mjaftueshëm për ta lidhur atë me konstatimin e Kamy.

Sepse profesori, me librat apo veprat e restauruara, me studimin e historisë apo pikturat e realizuara, na ka bërë të githëve një nder të madh, që në fakt është edhe nder po edhe vënie para përgjegjësisë: Na ka sjellë vlerat e rëndësishme që janë pjesë e identitetit tonë, e civilizimit tonë. Dhe ai i sjell me kaq pasion dhe ndjeshmëri, sa t’i lë në sofër si pasuri e përbashkët, e tija dhe e jona, e brezit të ri sidoemos. Njerëz shumëdimensionalë si Moikom Zeqo i duhen civilizimeve, pikërisht për t’i mbajtur larg nga harresa e këtyre vlerave, nga shkatërrimi i vetes.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid