Tërheqja e trupave amerikane nga Gjermania mund të sjellë humbje të mijëra vendeve të punës dhe pasoja që zgjasin me vite për ekonominë lokale. Sipas një studimi të publikuar nga Qendra Leibniz për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW) dhe Universiteti i Këlnit, çdo ushtar amerikan i larguar nga Gjermania përkthehet në humbjen e gjysmës së një vendi pune me kohë të plotë në rajonet e prekura.

Studimi vjen në kohën kur Donald Trump ka kërcënuar me largimin e 5 mijë ushtarëve amerikanë nga Gjermania. Hulumtimi bazohet në tërheqjen e rreth 200 mijë trupave amerikane pas përfundimit të Luftës së Ftohtë në vitet 1990, një periudhë që sipas ekspertëve solli tronditje të forta ekonomike në zonat ku ndodheshin bazat ushtarake.

Sipas studiuesit Jakob Schmidhäuser, goditja më e madhe nuk ra vetëm mbi bazat ushtarake. Rreth 61% e vendeve të humbura të punës ishin në biznese lokale që vareshin nga shpenzimet e ushtarëve amerikanë dhe familjeve të tyre.

Pasojat prekën edhe financat publike. Komunat humbën rreth 9% të të ardhurave dhe u detyruan të shkurtonin shpenzimet, ndërsa rritën taksat për pronat dhe bizneset.

Studimi tregon se efektet vazhduan edhe shumë vite më pas. Personat që humbën punën pas mbylljes së bazave kishin më pak mundësi punësimi edhe 15 vite më vonë dhe fitonin mesatarisht 9% më pak.