ÇFARË duhet të dimë rreth koronavirusit (PYETJE-PËRGJIGJE) - RREGULLAT bazike që duhet të nisni të zbatoni

1. Çfarë është koronavirusi?

Koronaviruset janë familja e viruseve të cilat shkaktojnë sëmundje të tilla si: nga një rrufë e lehtë deri në sëmundje më të rënda siç është Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (Middle East Respiratory Syndrome MERS) dhe Sindroma e Rëndë Respiratore Akute (Severe Acute Respiratory Syndrome SARS).

2. Nga vjen korona virusi?

Korona virusi qarkullon në kafshë, dhe disa prej korona viruseve kanë aftësinë të transmetohen nga kafshët tek njeriu. Tashmë është vërtetuar që koronavirusi transmetohet edhe nga njeriu tek njeriu.

3. Cilat janë simptomat e një personi të infektuar me koronavirus?

Simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.

4. Si mund ta mbroj veten nga korona virusi?

Korona virusi shkakton simptoma tipike respiratore, kështu që rekomandohen:

• masa bazike të higjenës së duarve, siç është larja e duarve me ujë dhe sapun
• higjena respiratore, si psh. kur teshtini, përdorni bërrylin apo shami
• shmangia e kontakteve të ngushta me çdo person që shfaq simptoma të sëmundjeve respiratore, si kollë apo teshtitje.
• mënjanimet e kontakteve të panevojshme me kafshë të gjalla apo produket e tyre dhe larja e duarve pas prekjes së tyre
• Aplikimi i praktikave të higjenës ushqimore. Sigurohuni që mishi është gatuar mire para se të konsumohet.

5. A ka vaksinë për këtë lloj të ri të koronavirusit?

Kur një sëmundje është e re, nuk ka vaksinë për të, dhe mund të duhen disa vite derisa të prodhohet një vaksinë e re.

6. A ka trajtim për koronavirusin?

Aktualisht nuk ka një trajtim specifik për sëmundjet e shkaktuara nga koronavirusi. Megjithatë, shumë nga simptomat mund të trajtohen në varësi të gjendjes klinike të pacientit.

7. Çfarë janë Koronaviruset?

Koronaviruset (CoV) janё një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje nga më të lehtat deri tek ato tepër të rënda. Ato janë të përhapur në shumë lloje të kafshëve dhe rrallë evoluojnë, transmetohen, infektojnë njerëzit dhe më pas përhapen midis tyre.
Koronaviruset humane u identifikuan për herë të parë në vitin1960 dhe deri në vitin 2019 njiheshin 6 të tillë nga të cilët 4 të zakonshëm si: 229E (alpha coronavirus), NL63 (alpha coronavirus, OC43 (beta coronavirus) dhe HKU1 (beta coronavirus).
Në shekullin 21 dy koronavirus me patogenitet të lartë si SARS– CoV që shkakton Sindromën Respiratore Akute të Rëndë dhe MERS – CoV që shkakton Sindromin Respirator të Lindjes së Mesme u transmetuan nga rezervuarët e kafshëve si: macet e gra dhe gamilet tek njerëzit, duke shkaktuar epidemi globale me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë.
Koronavirusi i ri 2019 – nCoV
Në 31 dhjetor 2019, pati disa raste me pneumoni në Wuhan, provinca Hubei, Kinë ku shumica e tyre raportonin ekspozim në një treg të madh të produkteve të detit ku shiteshin shumë lloje të kafshëve të gjalla. Të dhënat paraprake tregojnë se 2019 –nCoV ka homologji për disa amino acide me SARS – CoV dhe mund të përdorë si receptor ACE2. Kjo ka një vlerë, pasi mund të parashikojë mundësinë për përhapje dhe pandemi.

Rekomandime të OBSH-së:

1. Bazuar në mundësinë e transmetimit nga njeriu tek njeriu ka një rrezik për impakt serioz në shëndetin publik.
2. Ky virus nuk është identifikuar më parë tek njerëzit dhe hetimet e para në Kinë nuk e kanë përcaktuar akoma burimin e shpërthimit epidemik; pra kemi të bëjmë me një situatë jo të zakonshme dhe të papritur.
3. Numri i rasteve të konfirmuara vazhdon të rritet në Kinë, teksa raste të ngjashme janë evidentuar në vende të tjera, dhe duke qenë se është dhe Viti i Ri kinez rreziku i importimit jashtë këtij territori është i lartë. Shumë vende kanë vendosur masa në aeroporte kur kanë lidhje direkte me Kinën, si vlerësim elektronik i temperaturës apo intervista me udhëtarët që vijnë nga Kina. Pra, kemi rrezik për përhapje ndërkombëtare (nisur edhe nga raste te importuara).
4. Në lidhje me interferencën me udhëtimet dhe tregtinë ndërkombëtare OBSH-ja nuk rekomandon ndonjë kufizim të udhëtimeve dhe/ose tregtisë bazuar në informacionin që posedon aktualisht. 

Masat kryesore që rekomandohen për parandalimin e infeksionit nga koronavirus!

– Lani shpesh duart me ujë dhe sapun ose pastrojini ato duke i fërkuar me pastrues me bazë alkooli;

– Kur kolliteni apo teshtini, mbuloni gojën dhe hundën me gropëzën e bërrylit ose shami letre. Hidheni menjëherë shaminë e letrës në koshin e plehrave dhe pastaj lani duart;

– Mënjanoni kontaktet e ngushta me këdo që ka temperaturë dhe kollë;

– Paraqituni tek mjeku nëse keni kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje dhe raportoni historinë e udhëtimeve nëse keni udhëtuar kohët e fundit;

– Mënjanoni kontaktet me tregjet e kafshëve të gjalla në zonat që kanë koronavirus dhe parandaloni kontaktet e pambrojtura me kafshë të gjalla apo sipërfaqe që kanë qenë në kontakt me kafshët;

– Mënjanoni konsumin e produkteve të mishit të pagatuara apo gatuara jo shumë. Mishi, qumështi i papërpunuar apo organet e kafshëve duhet të trajtohen me kujdes, duke përdorur mjete mbrojtëse në mënyrë që të mënjanohet kontaminimi;

– Udhëtarët që kanë patur kontakte me raste të konfirmuara apo ekspozim direkt ndaj një burimi të mundshëm të infeksionit duhet të vendosen në observim mjekësor. Kontaktet me rrezik të lartë duhet të mënjanojnë udhëtimet për periudhën e inkubacionit deri në 14 ditë;

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:01
 Koronavirusi/ Kur duhet ta vendosim maskën dhe kur nuk duhet

1582459344_maska.jpg

Sipas të gjitha studimeve dhe konkluzioneve të arritura nga studimet e kryera nga mjekët dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë janë arritur disa njohuri në lidhje me koronavirusin e ri. Sipas të gjitha konkluzioneve që janë zbuluar deri më 1 shkurt 2020, autoritetet mjekësore tregojë se cilat janë rastet që duhet të vendoset maska e fytyrës për t'u mbrojtur nga koronavirusi i ri dhe një rast kur nuk duhet përdorur.

Ja rastet se kur duhet të mbahet maska:

-Nëse shfaqni simptoma të sëmundjeve respiratore si teshtima, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje.

-Nëse jeni duke u kujdesur për persona që kanë sëmundje dhe probleme respiratore.

-Nëse punoni sanitarë dhe kujdeseni për personat që vuajnë nga problemet respiratore dhe infektive.

-Maska nuk rekomandohet të vendoset për popullin e gjerë në mungesë të probleme dhe sëmundjeve respiratore apo zonave që nuk paraqiten si vatër infektive.

Ora 12:50
Rreziku i koronavirusit, masat që autoritetet italiane japin për banorët

Zona e Lombardisë në Itali është vendosur në karantinë pas shpërthimit të vatrave të infeksionit me koronavirus në disa pika të qytetit, ku numri i të prekurve ka shkuar në 89 persona. Në lidhje me rrethimin e zonës ku nuk lejohet hyrja dhe dalja e banorëve, Ministria e Shendetësisë italiane kanë shpërndarë një listë masash që duhen ndjekur nga banorët dhe se çfarë duhet të dinë në lidhje me koronavirusin e ri, në mënyrë që të jetë sa më të mbrojtur. Janë 10 pika që autoritetet mjekësore italiane rekomandojnë të kihet kujdes nga banorët si dhe të ruhet gjendja e qetësisë dhe bashkëpunimit me autoritete për të parandaluar sa më shumë përhapjen e koronavirusit.

10 gjërat që duhet të dimë për koronavirusin e ri dhe masat ndaj tij:

1-Lani shpesh duart.

2-Shmangni kontaktet e afërta me personat që kanë sëmundje dhe probleme respiratore.

3-Mos prekni sytë, hundën dhe gojë me duar, mbani duart larg fytyrës.

4-Mbuloni me dorë hundën dhe gojën nëse teshtini apo kolliteni.

5-Mos merrni në farmaci antibiotikë apo antivirale me mendje tuaj, por vetëm nëse janë rekomanduar nga mjeku.

6-Pastroni sipërfaqet me dezinfektues apo solucione me bazë alkooli dhe klori.

7-Përdorin maskat e fytyrës vetëm nëse dyshoni se jeni të sëmurë apo jeni pranë një personi të sëmurë.

8-Produktet MADE IN CHINA dhe pakot e ardhura që andej nuk paraqesin rrezik.

9-Kontaktoni në numrin jeshil 1500 nëse keni temperaturë ose jeni kthyer nga kina në më pak se 14 ditë.

10-Bagëtia dhe kafshët bujqësore nuk e përmbajnë koronavirusin e ri dhe nuk paraqesin rrezik.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Bardhi përplaset me Policinë: S’kemi ardhur për dhunë, devijoni trafikun! S’do e bëj tubimin në ballkon shtëpie! Policia: Lironi rrugën

Bardhi përplaset me Policinë: S’kemi ardhur për dhunë, devijoni trafikun! S’do e bëj tubimin në ballkon shtëpie! Policia: Lironi rrugën