Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka shtuar dozat e kërcënimeve ndaj Europës e cila po kundërshton çdo plan të tij për Groenlandën. Ai ka njoftuar se nga 1 shkurti, Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa doganore shtesë prej 10% ndaj Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Holandës dhe Finlandës. Sipas Trump, këto tarifa do të rriten me 25% nga 1 qershori dhe do të mbeten në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje për “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës. Kjo masë shkon përtej një përplasjeje të zakonshme tregtare dhe lidhet drejtpërdrejt me çështje territoriale dhe strategjike.

Pse këto tarifa doganore rrezikojnë të jenë ekonomikisht tronditëse?

Sepse nuk do të niseshin nga zero. Tarifat e reja doganore prej 10% dhe më pas 25% do t’u shtoheshin atyre që janë tashmë në fuqi. Aktualisht, tarifat për Danimarkën, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Holandën, Finlandën dhe Norvegjinë janë rreth 15%, ndërsa për Mbretërinë e Bashkuar rreth 10%.

Me shtimin e masave të reja, barra reale doganore do të arrinte deri në 40% për vendet e Bashkimit Europian dhe Norvegjinë dhe deri në 35% për Londrën. Këto nivele janë dukshëm më të larta se marzhet mesatare të fitimit të industrisë prodhuese, të cilat zakonisht variojnë nga 5% në 12%. Në shumë raste, eksporti drejt Shteteve të Bashkuara do të bëhej thjesht i paqëndrueshëm nga pikëpamja ekonomike.

Cilat vende dhe sektorë do të goditeshin më fort?

Ndikimi do të ishte i gjerë, por jo i njëjtë për të gjithë. Gjermania do të pësonte goditjen më të madhe në vlerë absolute, veçanërisht në sektorët e automobilëve dhe mekanikës së avancuar, të cilët vështirë se mund të përballojnë taksa në nivelin 40%. Në Francë, pasojat do të ndiheshin në industrinë aero-hapësinore, agro-ushqimore, të luksit dhe kimike, me rrezikun e humbjes së qëndrueshme të pjesëve të tregut.

Danimarka dhe Holanda do të ndikoheshin negativisht në farmaceutikë, kimi dhe agro-ushqim, ndërsa për Holandën do të penalizohej edhe roli i saj si qendër logjistike. Në Suedi dhe Finlandë, sektorët e makinerive, transportit, letrës dhe kimikateve do të kalonin shpejt pragun e qëndrueshmërisë ekonomike. Norvegjia do të goditej kryesisht në produktet e peshkimit, metalet dhe energjinë. Mbretëria e Bashkuar e cila është në një fazë ende të brishtë pas Brexit-it, ka një bazë tatimore më të ulë. Megjithatë me tarifat e reja doganore, ajo do të rrinte në  35%, duke ndikuar veçanërisht në automobilistikë dhe farmaceutikë. 

Çfarë efekti do të kishin tarifat doganore në ekonominë europiane dhe amerikane?

Efekti do të ishte progresiv, por jo linear. Një rritje fillestare e tarifave doganore do të ulte shkëmbimet tregtare me disa pikë përqindjeje, me kosto që fillimisht do të përthitheshin nga marzhet e fitimit ose përmes rinegociimeve kontraktuale. Kalimi në nivele 35–40% do ta ndryshonte rrënjësisht natyrën dhe masën e shkëmbimeve tregtare BE–SHBA  që arrin mbi 800 miliardë euro në vit. Kësisoj, shumë kompani europiane do të detyroheshin të reduktonin ndjeshëm eksportet ose të largoheshin nga tregu amerikan. Në Shtetet e Bashkuara, rritja e çmimeve finale për konsumatorët mund të luhatej nga 8% deri në 20%, në varësi të sektorëve.

Pse efekti nuk do të ishte i përkohshëm?

Sepse tarifa doganore të kësaj madhësie i detyrojnë kompanitë të rishikojnë zinxhirët e furnizimit, jo thjesht të shtyjnë eksportet. Pasi prodhimi të zhvendoset ose flukset tregtare të riorganizohen, kthimi pas është i kushtueshëm dhe i ngadaltë, duke rrezikuar një humbje strukturore të ndërvarësisë ekonomike mes dy brigjeve të Atlantikut.

Si mund të reagojë Bashkimi Europian?

BE-ja ka në dispozicion instrumente reaguese të përdorura edhe më parë, me masa 'hakmarrëse' që mund të arrijnë në disa miliardë euro. Përballë tarfiave të kësaj shkalle, një reagim europian do të ishte politikisht i vështirë për t’u shmangur, duke i hapur rrugën një përshkallëzimi tregtar.

A janë tarifat të qëndrueshme ligjërisht?

Formalisht, ato mund të justifikohen përmes përjashtimit të sigurisë kombëtare në marrëveshjet tregtare ndërkombëtare, por juridikisht mbeten të brishta. Kjo klauzolë është përdorur më pak se 20 herë në 70 vjet dhe rrallë në mënyrë kumulative. Përdorimi i saj për qëllime territoriale do të krijonte një precedent të jashtëzakonshëm.

Çfarë pasoje do të kishte kjo për NATO-n?

Tarifa të tilla doganore mes aleatëve do të ushtronin presion serioz mbi NATO, e cila nuk parashikon sanksione ekonomike të brendshme dhe bazohet në besim dhe parashikueshmëri. Shndërrimi i një mosmarrëveshjeje strategjike në konflikt tregtar rrezikon të gërryejë kohezionin e aleancës.

Cili është skenari më realist?

Goditje të menjëhershme dhe të diferencuara për vendet e prekura, kundërmasa europiane në afatin e mesëm dhe një përkeqësim të qëndrueshëm të marrëdhënieve transatlantike në afatin e gjatë. Kostot ekonomike do të ishin të larta, kjo është pak por e sigurtë, ndërsa përfitimet politike, thellësisht të pasigurta./ Corriere della Sera