Reagimi instinktiv ndaj zbulimeve të reja rreth skandalit ‘Epstein’ në SHBA ka qenë deri tani i parashikueshëm, teksa valë të reja indinjate dhe predikimesh morale përqendrohen tek fakti se sa dekadentë janë bërë të pushtetshmit me kalimin e kohës, apo edhe në pretendime se skandali “na tregon se sa poshtë kanë rënë elitat botërore.” Ndërkaq, në shumicën e mediave shqiptare duket se ka një interes të madh për ta trajtuar skandalin si provë të dështimit tonë të përbashkët moral, ndërsa çuditemi që një numër kaq i madh njerëzish të pushtetshëm janë sjellë keq.
Edhe pse mund të ketë realisht një dozë sinqeriteti në ato që thuhen dhe shkruhen në media, shumica e reagimeve duken si një përpjekje për të pastruar veten përmes shprehjes së habitjes, tronditjes dhe neverisë, duke e trajtuar indinjatën publike si një mënyrë për të mbrojtur reputacionin moral. Në fakt, në shumicën e rasteve janë thjesht hamendësime çorientuese, sipas të cilave, ajo çfarë është ekspozuar përbën një lloj devijimi nga mënyra se si supozohet se funksionon bota në të cilën jetojmë, kur në të vërtetë e kundërta është më pranë të vërtetës: Jeffrey Epstein nuk duhet parë si devijim nga normalja, por si një dritare për të kuptuar më mirë se si funksionon realisht sistemi.
Sado kënaqësi të na japë bindja se njerëzit e pasur dhe të pushtetshëm janë më të korruptuar dhe më perversë se ne, leksioni i vërtetë pas këtij skandali është se pushteti modern varet pikërisht nga njerëz si Epstein, të cilët janë në fakt indi lidhës i sferave të ndryshme të shoqërive tona.
Sa vjen dhe bëhet më e dukshme se ai ka shërbyer pikërisht si një lloj ure lidhëse mes botës së politikës, financës, akademisë, filantropisë dhe aristokracisë, të cilat janë gjithnjë dyshuese ndaj njëra-tjetrës. Epstein nuk i përkiste ekskluzivisht asnjërës prej tyre. Funksioni i tij real duket të ketë qenë ai i krijimit të një infrastrukture sociale brenda së cilës mund të ndërtoheshin marrëdhënie informale. Në këtë kuptim, roli i tij nuk është dhe aq ai i një mendjeje të ndritur kriminale, se sa i një ndërmjetësi që vlerësohej për lidhjet e tij dhe aftësinë për t’i bërë ato bashkë në një dhomë. Pjesa perverse e abuzimeve seksuale, marrëdhënieve me të mitur, filmimit dhe fotografimit të tyre është një lloj “rituali sacrifice” përmes të cilit njerëzit e këtyre botëve të ndryshme të mund t’i besonin njëri-tjetrit.
Thuajse kudo në botë, pushteti sot lulëzon në këtë zonë gri të zyrtares dhe jozyrtares: darka, ndere, takime private për të diskutuar probleme publike, bamirësi, fondacione dhe akses social që nuk regjistrohet kurrë në asnjë dokument.
Kur skandale të tilla më në fund shpërthejnë, media na fton të përqendrohemi tek aspekti më sipërfaqësor i tyre dhe detajet më spektakolare. Por, është pikërisht spektakli që luan një funksion ideologjik duke na shtyrë të dënojmë autorin kryesor të skandalit – Epstein – ndërsa sistemi që e bënte atë të dobishëm mbetet i paprekur. Kjo shpjegon edhe pse pavarësisht gjithçkaje që mësojmë, jo vetëm për këtë skandal por edhe të tjerë më lokalë, në fund asgjë nuk ndryshon. Sistemi e përthith tronditjen dhe vazhdon të funksionojë i paprekur sepse pushteti bashkëkohor është ndërtuar pikërisht për këtë. Ai është mjaftueshëm i decentralizuar për të fragmentarizuar përgjegjësinë, por mbetet mjaftueshëm i bashkuar për të ruajtur vazhdimësinë e vet. Ndërsa askush brenda tij, pavarësisht pushtetit, nuk është i pazëvendësueshëm, modelet e influencës mbeten të paprekshme. Edhe nëse ti heq një ndërmjetës, vendi i tij zihet gradualisht nga një tjetër.
Ndaj edhe leksionet morale rreth dekadencës së elitave i qëndrojnë larg thelbit të problemit. Çështja nuk është se më në fund kuptuam që të pushtetshmit janë të pavirtytshëm, por sepse mësuam që mënyra se si ata operojnë varet pashmangshmërisht nga ndërmjetësit dhe lidhjet informale. Sot shumica e vendimeve të rëndësishme, para se të merren nga institucionet zyrtare, marrin formë fillimisht në rrethe private dhe mjedise shoqërore ku aksesi vlerësohet shumë më tepër sesa autoriteti. Ndonëse nuk lënë gjurmë formale, hapësira të tilla filtrojnë atë që më pas do të bëhet politikë publike.
Ndërmjetës si Epstein, apo të tjerë emra më lokalë që mund të na vijnë në mendje, janë njerëzit që e bëjnë të mundur të gjithë këtë. Ata mundësojnë që sfera shpesh konfliktuale me njëra-tjetrën, të bëhen bashkë në një dhomë, në mungesë të plotë të çdo lloj dokumentimi, dhe të influencojnë politika publike pa nevojën e mbajtjes së ndonjë përgjegjësie. Me ndihmën e tyre elitat mund të bashkëpunojnë, duke mundur njëkohësisht të deklarojnë me sinqeritet të plotë se “nuk ka ndodhur asgjë zyrtare.”
Nëse ka vërtet një leksion në skandale të tilla është se nuk duhet të tronditemi më nga ajo çfarë bëjnë elitat dhe të fillojmë të pyesim veten përse një sistem që prodhon Epstein-ët mbetet plotësisht i qëndrueshëm edhe pas ekspozimit të skandaleve kaq të rënda./ TemA
Komente











