Solstici i dimrit këtë vit për Europën përkon me natën mes 21 dhe 22 dhjetorit, për Shqipërinë gjithashtu. Ora ndryshon sipas paraleleve dhe meridianëve, por ajo që është e përbashkët në këtë solstic është nata më e gjatë e vitit: errësira mposht dritën, vetëm për pak kohë. Me 24 dhjetor nis rrugëtimi i dritës dhe triumfi i saj deri në ekuinoksin e ardhshëm vjeshtor.
Universi ynë rregullohet përmes kësaj përpikmërie e përmes dualizmit të të kundërtave. Janë aq të sakta, aq të përsëritshme këto cikle, saqë mendja njerëzore (përveç atyre të ndriçuarve që i njohim me emra të përveçëm në historinë botërore) nuk mund ta kapë dot këtë përsosmëri; nuk është ende në frekuencën tonë shpjegimi i shumë fenomeneve, prandaj Mbajtësi i Gjithësisë, Organizatori i kësaj rutine marramendëse mban Universalisht emrin Zot.
Nëse jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm, në të përditshmen apo në të përvitshmen tonë, do të dallojmë se edhe jeta jonë rrotullohet rreth cikleve, me njerëz e ngjarje që vijnë e shkojnë, ku në këtë cikël takojmë individë e ngjarje të dritës ashtu si dhe njerëz dhe ngjarje të errësirës. Po ashtu dhe për popuj të tërë, edhe për grupe të mëdha njerëzish jeta rrotullohet përmes të njëjtave cikle.
A është për ne shqiptarët dhe për Shqipërinë kjo periudhë ajo e dritës, pas një errësire të gjatë? Do të shohim se ndodhitë e tregojnë më mirë se kushdo, ashtu siç duhet të mësojmë se nëpër shekuj më të mirët e të diturit prej nesh ja gjetën zgjidhjen edhe errësirës më të plotë: Pas zjarrit dhe qirinjve, duhet të kalonte një kohë e gjatë që Thomas Edison të shpikte në 1879-n llampën e parë elektrike.
Për të gjithë, dritë sa më të plotë!
shkrim i kendshem
Përgjigju