Vetëm një ditë pas samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve në Paris, ekuilibrat strategjikë që do të mundësonin paqen në Ukrainë duken më të brishtë se kurrë. Nga varianti përfundimtar i marrëveshjes së arrirë më herët gjatë kësaj jave, është zhdukur angazhimi i drejtpërdrejtë i Shteteve të Bashkuara për garanci sigurie ndaj Kievit, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur dyshime mbi vetë peshën e aleancës perëndimore, duke deklaruar se pa Uashingtonin, NATO nuk përbën kërcënim real për Rusinë apo Kinën.
Në këtë vakum strategjik, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë zgjedhur të ecin përpara. Dy vendet kanë firmosur për krijimin e një force paqeruajtëse evropiane, që parashikohet të dislokohet në Ukrainë pas një armëpushimi të mundshëm me Rusinë. Kryeministri britanik Keir Starmer ka bërë të ditur se vendimi për dërgimin e trupave do t’i nënshtrohet votimit në Parlament, një hap që sipas mediave, nënvizon ndjeshmërinë politike të këtij angazhimi.
Debati po përhapet në të gjithë Evropën. Në Itali, qendra e majtë po ushtron presion për një rol më aktiv, ndërsa kryeministrja Giorgia Meloni përballet me një zgjedhje të vështirë mes aleancave, opinionit publik dhe rrezikut të përshkallëzimit. Vetë Meloni është kundër dislokimit të trupave italianë në Ukrainë. Ndryshe mendon homologu i saj spanjoll Pedro Sanchez. Ky i fundit ka mbrojtur hapur idenë e dërgimit të trupave paqeruajtëse, duke e cilësuar si pjesë të arkitekturës së sigurisë evropiane, ndërsa Lituania ka sinjalizuar gatishmërinë për të kontribuar me disa qindra ushtarë.
Rusia përshkallëzon sulmet ndaj Ukrainës
Ndërsa Evropa diskuton paqeruajtësit, realiteti në terren është i egër. Gjatë natës, Rusia ndërmorri një nga sulmet më të rënda me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Si pasojë e sulmeve të rënda ndaj zonave të Dnipropetrovsk dhe Zaporizhzhia, mbi një milion familje kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm, në mes të dimrit. Spitalet janë detyruar të funksionojnë me gjeneratorë, shkollat kanë zgjatur pushimet dhe transporti hekurudhor është ndërprerë në disa zona.
Forcat ajrore ukrainase kanë bërë të ditur se nga 97 dronë rusë, 77 janë rrëzuar. Qyteti Kryvyj Rih, vendlindja e presidentit ukrainas, është përballur me sulmin më masiv që nga nisja e luftës.
Reagime në të dy frontet e luftës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se sulmet ndaj infrastrukturës civile nuk kanë asnjë justifikim ushtarak dhe qëllimi i Moskës është të thyejë moralin e popullësisë duke e lënë vendin në errësirë në këto ditë të ftohta dimri.
Ai u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të reagojnë menjëherë.
Nga Moska, përgjigjja ka qenë po aq e drejtpërdrejtë. Ministria e Jashtme ruse ka paralajmëruar se çdo dislokim i forcave evropiane në Ukrainë do të konsiderohet ndërhyrje e huaj dhe kërcënim i drejtpërdrejtë për Rusinë. Zëdhënësja Maria Zakharova ka deklaruar se forcat evropiane dhe çdo bazë ushtarake në territorin ukrainas do të jenë shënjestër ushtarake legjitime.
Uashingtoni mbetet i ndarë. Senati amerikan pritet të votojë së shpejti për një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar vijon furnizimin e Ukrainës me sisteme të reja të mbrojtjes ajrore, por deri më tani duket se e gjithë barra e sigurisë së Ukrainës po qëndron në shpatullat e Europës.
Komente








