Çfarë tha Ramize Gjebrea, kur mbi trupin e saj ranë breshëritë e para të skuadrës së pushkatimit?

Çfarë tha Ramize Gjebrea, kur mbi trupin e saj ranë breshëritë e para të skuadrës së pushkatimit?

Ramize Gjebrea

“Atë vit edhe pranvera erdhi e ftohtë. Ishte 5 marsi i vitit 1944. Atë ditë mungonin vetëm dy udhëheqësit; Komandanti i Brigadës së V-të, Shefqet Peçi, dhe Komisari, Hysni Kapo, ndërkohë që organizohej vrasja për akuzën e pabesë, në shtabin partizan…”?! – rrëfen ish-partizani i Brigadës së V-të Sulmuese,

Mato Hasamataj. 21 –vjeçarja, përgjegjësja e rinisë së Brigadës së V-të Sulmuese, Ramize Gjebrea, pushkatohet në 5 mars të vitit 1944, pa asnjë provë por me urdhër nga lart, që kurrë nuk u mor vesh nga cili nënshkruhej.  Një nga njollat e turpshme të PPSH-se qe dhe sot mbas gati 80 vjetesh, nuk ka guximin të tregojë pendesë.

Të vërtetat e kësaj vrasjeje janë në varr por, nuk është bërë asnjë përpjekje edhe për të gjetur autorët e këtij ekzekutimi megjithëse, një vit më vonë, u zhvillua gjyqi i Gjykatës së Lartë.

Ramizeja u akuzua se ishte e dashura e fshehtë e komandantit të Batalionit të Brigadës së V-të, Zaho Koka, e ndërsa ishte zyrtarisht e fejuara e Nako Spirut. Gabim ky i pafalshëm, (dashuritë e fshehta) për “Partinë” dhe Ramize Gjebrea, sipas tyre, meritonte ekzekutimin e pabesë prapa shpine…!

Por pse jo, shkaqet këtij ekzekutimi lidheshin me luftën personale për karrierë, që në ato vite kishte shpërthyer ethshëm.

Me këtë akuzë, pra “imoralitet”, gjykata e Brigadës së Pestë e, dënon Ramizenë me pushkatim.

Ramizea, do të ishte ende gjallë, në qoftë se letra e korrierit, e nisur nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, do të mbërrinte tri orë më parë në Ramicë të Vlorës, e cila kundërshtonte vendimin e Gjykatës së Brigadës së V-të, për ekzekutimin e saj.

Por ishte tepër vonë, Ramizesë nuk i rikthej më jeta edhe pse e drejta për të jetuar i jepej edhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë…!

Përtej maleve, në Ramicën e vetmuar, në afërsi të Vlorës, vranë pabesisht vajzën 21- vjeçare, partizanen gjirokastrite Ramize Gjebrea. Nga kujtimet e asaj kohe, Mato Hasemataj, ish-partizan në Brigadën e V-të, shkruante në kujtimet e tij, diku në fillim të viteve të demokracisë: “…Atë mëngjes me cikmë marsi, me fjolla resh si të përhime, tek çelte sytha në zall, bajamja e lajthia, Mesaplikut i ndrinte nuri e bardhësia… mos kesh faj që e doje jetën e që s’gëlltite dot gënjeshtrën. Dy sytë e tu që fort e deshën çdo gjë të bukur, të vërtetë. E që s’do mundem t’i harroj, sa të kem frymë edhe jetë”!

Pas ekzekutimit prapa shpine, nga Gjykata e Brigadës së V-të, Gjykata e Lartë, në vitin 1945, kreu një gjyq formal, ku u hetua rreth pafajësisë apo jo, të fajit të saj, por jo për fajtorët e vërtetë të krimit. Ndërkohë që gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, për publikun, Nako Spiru- i fejuari i saj – e mbështeti figurën e saj gjatë gjithë kohës.

Sipas të dhënave të fundit arkivore, ka qenë Dushan Mugosha (Dusan Mugosa), delegati i Partisë Komuniste Jugosllave (asaj kohe ndihmonte partizanët, në Ramicë të Vlorës) së bashku me anëtarë të tjerë të Gjykatës së Brigadës së V-të Sulmuese, ata, të cilët kanë dhënë urdhrin për ekzekutimin e Ramize Gjebresë.

Kjo e fundit, mësohet nga Nijaz Dizdareviç, konsulenti jugosllav në ndihmë të rinisë shqiptare, gjatë kohës së Luftës, i cili në vitin 1988, boton një libër në gjuhën serbo-kroate, të titulluar “Albanski Dnevnik” (Tipografia “Globus”, në Zagreb të Kroacisë).

“Ramize Gjebrea nuk është vrarë pa dijeninë e Dushan Mugoshës”!

Megjithëse, Ramize Gjebrea u pushkatua, ngelet ende enigmë fakti, sesi arriti ta ekzekutonte Gjykata e Brigadës një anëtare të sajën, kur dihet që urdhrat për ekzekutime, vinin vetëm nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë – thotë Ali Gjebrea, njeriu i afërt i familjes së Ramizesë.

Sipas tij, ky ekzekutim s’kishte të bënte me një histori dashurie por, me eliminimin e personave që nesër, (pas luftës) mund të kishin një të ardhme në pushtet. Po ashtu, Aliu tregon se Nako Spiro, është shprehur se: edhe nëse kjo histori dashurie e saj me Zaho Kokën të ishte e vërtetë, kjo ishte një çështje e tij personale dhe jo e Partisë. Këtë mendim ka ruajtur deri në fund të jetës së tij, duke u shprehur gjitnjë me konsiderata për të fejuarën e tij.

Një vit pas vrasjes, zhvillohet gjyqi mbi vrasjen e Ramize Gjebresë, i cili mori në shqyrtim vetëm faktin nëse Ramizeja kishte apo jo marrëdhënie me Zaho Kokën. Në përfundim të këtij hetimi, Gjykata e Lartë me kryetar Frederik Nosin, deklaron të pafajshme Ramize Gjebrenë, duke i dhënë asaj titullin: “Dëshmore e Kombit”.

Me tej kjo gjykatë nuk mori në shqyrtim se cilët ishin autorët e vrasjes as dhe kush urdhëroi ekzekutimin e Ramizesë, por thjesht, historinë e dashurisë së saj me Zaho Kokën, e konsideroi si thashetheme të thurur në emër të pushtetit.

E vërteta e asaj dite krimi, u fundos përfundimisht, atje ku prehen eshtrat e Ramize Gjebresë, pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, që nga zhvarrimi i saj nga vendi i pushkatimit në maj të vitit 1945!.

Vajza beratase me gjak Kaçaniku

Ramize Gjebrea lindi në qytetin e Beratit në 20 prill të vitit 1923, në një familje me tradita patriotike. E ëma, Safia ,ishte nga Kaçaniku i Kosovës. Ndërkaq në kohën e Luftës me zgjedhën turke, u njoh me Rustem Gjebrenë, me të cilin shumë shpejt u martua. Ramizeja, që në fëmijëri, u frymëzua nga origjina e familjes së saj, dhe u kthye në një patriote të flaktë për çështjen mbarëshqiptare. Sikur ta imagjinonte fatin e Shqipërisë të pasluftës, ajo i drejtohej Agllai Zotos, – veprimtares së gruas në Bregdet, – në datën 29.08.1943, me fjalët: “…ne jemi për Luftën Nacionalçlirimtare dhe jo për të prurë rusin ose grekun me serbin këtu…”!

Ramizeja, nusja që kaloi shtet-rrethimin

Vajza beratase që arriti të bëjë famë me intelektin e saj, u radhit ndër të parat femra “rebele”, të Institutit Femëror “Nëna Mbretneshë”, në Tiranë. Në vitet 1935-1941, ajo u shqua për një përgatitje shkollore, prirje letrare dhe organizatore, duke u bërë udhëheqësja e demonstratave, veprimtarive antifashiste dhe shpërndarjes së këngëve patriotike.

Karriera si gjimnaziste u mbyll për shkak të bindjeve të saj pro shqiptare, duke u shënuar në histori si femra e parë shqiptare, e cila u vu në krye të demonstratës së 28 tetorit 1941, kur rrëzoi nga kali oficerin fashist të Karabinierisë, i cili tentoi të griste flamurin shqiptar. Vera Malo, ish- shoqe e Institutit Femëror, shprehet për të se: “ajo lexonte shumë, sidomos libra të ndaluar, të cilat kishte dëshirë t’i diskutonte me ne- deri sa një ditë- një thirrje e të rinjve, ra në duart e Këshillit Pedagogjik, dhe e përjashtuan atë, shtatë ditë”.

Për atë dhe shoqet e saj, kishte ardhur koha të hidhej në ilegalitet. Që nga viti 1942, ajo punon në fshehtësi, – arrestohet, dhe për mungesë provash lirohet pas katër ditësh, – duke u lidhur sakaq me Shejnaze Jukën në Shkodër, (ndodhet një artikull i shkruar nga Taras Begeja, në Muzeun Historik Kombëtar) dhe në mars të po atij viti, bashkëpunon me Qemal Stafën, në qarkun e Gjirokastrës.

Rikthehet në Tiranë në vitin 1943, ku caktohet përgjegjëse e rinisë së Beratit dhe mbledh sakaq Konferencën e Rinisë të Shqipërisë, në Zaloshnje (Skrapar). Së bashku me Mihal Durin dhe Misto Mamen, ajo organizon rrëmbimin e shtypshkronjës “Gutenberg”, si dhe atë të kalimit të postbllokut armik, e maskuar si nuse. Punon në Elbasan, Sulovë, Mallakastër, Lubonjë, Treblovë, Kuç dhe së fundi në Ramicë të Vlorës.

Kujtime, vetëm kujtime…fajtorët…?!

Veterani i Brigadës së V-të Sulmuese, Andon Cane Xhaka nga Vlora, tregon se pas plumbit të parë që nuk e zuri, Ramizeja e habitur kishte thënë: “Uaaa, ç’ndodhi kështu?”. Por i paramenduar dhe kriminal, ky pushkatim u krye. Janë bërë shumë komente për këtë akt dhe për fajtorët e vërtetë…! E vërteta është se Ramizeja, u bë viktimë e injorancës dhe inkuizicionit komunist.

Shkrimtari Shefqet Musaraj, në Revistën “Shqiptarja e Re” (Nr.11, viti 1973), midis të tjerash, shkruante: “…Nga gratë që kanë dhënë një kontribut shumë të çmuar gjatë Luftës, ka qenë Ramize Gjebrea…”!

Liri Belishova, rikujtonte edhe njëherë dy momente të cilat i kanë mbetur në memorie: “I pari, kur kemi kënduar në kor në Institut këngën, ‘Mjaft në robëri, Kosovë e Çamëri…’, dhe së dyti, aksioni i rrëmbimit të shtypshkronjës “Gutenberg”, ku diktatori Enver Hoxha, nuk e përmendi fare emrin e saj”. Liria tregon më pas për Ramizenë e bukur dhe të zgjuar, dhe pse ishte e tillë, atë e zgjodhi për të fejuar Nako Spiru.

“Të vdekurit jetojnë me ne, ata vetëm fizikisht nuk janë me ne”, – kujton Liria, thënien e Viktor Hygo, duke shtuar se: “Kjo është shumë e vërtetë, pasi atë e kemi ndier vazhdimisht pranë…ashtu siç foli në 20 janar 1944, në themelimin e Brigadës së V-të Sulmuese, para më shumë se 3000 partizanëve, në luginën e Bramyshnjes, duke u shprehur: ‘…hakmarrje për çdo pëllëmbë tokë të shkelur nga armiku, hakmarrje për gjakun e shokëve! Armiku do ta paguajë çdo pikë gjaku me një kokë ushtari…”, pati thënë ajo ato ditë dimri…!

Veterani i Brigadës së V-të, Lefter Kasneci

“E kam njohur Ramizenë në dhjetor të ’41-it, atëherë kur punonte ilegalisht. Ishte vajzë e zgjuar. Zotëronte shkëlqyeshëm italishten, frëngjishten dhe turqishten (të cilën ia kishte mësuar e ëma). Ishte interesante, ashtu siç kishte pseudonimin, ashtu siç u pa gjatë fjalimit të saj para Brigadës, me 3000 partizanë”.

Një gjë me sa duket ka ngjallur xhelozi dhe armiqësi kundra Ramizesë. Sipas fakteve, ajo ishte me bindje anti-jugosllave, ç’ka bëri që ajo të mos pajtohej me prishjen e ‘Marrëveshjes së Mukjes’ nga Enver Hoxha – duke thënë se (gusht 1943): “Tani do të fillojë një vëllavrasje e madhe, midis Shqiptarëve, dhe Jugosllavëve do t’ju bëhet qejfi…”!

Kështu është shprehur Ramizeja pas Konferencës së Mukjes duke thënë haptazi mospajtimin e saj ndaj rrjedhës së mëtejshme së çështjes së Kosovës.

Akuza e njollosjes së moralit të saj, nuk ishte e vërtetë, ç’ka u hodh poshtë edhe nga seanca gjyqësore e Gjykatës së Lartë, në 1945. Sipas veteranit, Xhaka, “inkuizitorët komunistë, u penduan që e vranë, pasi disa orë pas pushkatimit, kishte ardhur urdhri i anullimit, por ishte tepër vonë…”!

Ramize Gjebrea, nuk ishte dakord me trajtimin që i bënte Partia Komuniste Shqiptare dhe udhëheqja e saj pro-sllave, çështjes së Kosovës- historinë dhe tragjedinë e copëtimit të saj, të cilën ajo e njihte mjaft mirë, – pasi ishte mbesë nga Kaçaniku i Kosovës.

Ndoshta fati nuk ka qenë me të!. Akuzat shumëllojëshe, të hedhura ndaj saj, që çuan më pas në pushkatimin, nuk patën të njëjtin fat edhe për Zaho Kokën.

Ai u shpall “Hero i Popullit”, duke rënë në betejë kundra gjermanëve në Vuno të Himarës, në 08.06.1944.

Ndërsa i fejuari i Ramize Gjebresë, Nako Spiru, vite më vonë, pas ekzekutimit të saj, u martua me Liri Belishovën. Ai u konsiderua si agjent i komploteve nga emisarët e Titos në Shqipëri, në prag të Plenumit II, të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, në Berat”.

Flitet se disa nga filmat e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, siç janë “Nusja dhe shtetrrethimi” dhe “Vajzat me kordele të kuqe”, subjektin e skenarit të tyre e kanë marrë nga veprimtaria e Ramize Gjebresë. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shtëpia ikonike e ‘I vetëm në shtëpi’ shitet për 5.2 milionë dollarë

Shtëpia ikonike e ‘I vetëm në shtëpi’ shitet për 5.2 milionë dollarë