Këtë të mërkurë u zhvilluan dy çerekfinalet e mbetura të kthimit në Champions League. Një biletë për në fazën gjysmëfinale siguruan Bayern Munich dhe Arsenali. Gjermanët përmbysën 4-3 Realin e Madridit duke e eliminuar nga ky turne, ndërsa Arsenalit i mjaftoi barazimi 0-0 kundër Sporting Lisbonë për të kaluar më tej. PSG - Bayern Munich dhe Atletico Madrid - Arsenal janë dy çiftet gjysmëfinale të Champions League, me duelet e para që do luhen më 28 dhe 29 prill, ndërsa ato të kthimit më 5 dhe 6 maj.
Në ‘Allianz Arena’ Bayern Munich fitoi 4-3 me përmbysje kundër Real Madridit dhe me rezultatin e përgjithshëm 6-4 kalon në gjysmëfinale ku do përballet me kampionët në fuqi të PSG-së. Madrilenët kaluan në epërsi pas vetëm 34 sekondave lojë me Arda Guler, teksa turku shënoi nga distanca pas një gabimi të Neuer. Bayern barazoi me Pavlovic në minutën e gjashtë, por sërish Guler në minutën e 29-të shënoi për miqtë.
Pjesa e parë nuk do mbyllej këtu pasi Harry Kane barazoi për 2-2 duke gjetur golin e 50-të sezonal, duke shënuar më shumë se çdo vit në karrierë. Në minutën e 42-të Kylian Mbappe shënoi për të mbyllur 2-3 pjesën e parë.
Fraksioni i dytë ishte i kujdesshëm, por kur u duk se ndeshja do shkonte me shtesa, Camavinga i futur në fushë në pjesën e dytë la Real Madridin me dhjetë vetë në fushë pas dy kartonave të verdhë (minuta 86). Në minutën e 89-të Diaz shënoi golin e tretë për Bayern Munich duke dërguar në festë tifozët. Për t’i vënë ‘kapakun’ kualifikimit mendoi Michael Olise me një supergol në sekondat e fundit të ndeshjes, duke bërë që Bayern Munich të kalojë në gjysmëfinale.
Në ‘Emirates’ Arsenalit i mjaftoi barazimi 0-0 kundër Sportingut të Lisbonës për t’u kualifikuar për në fazën gjysmëfinale. Falë fitores 0-1 të ndeshjes së parë, djemtë e Mikel Artetas do përballën në fazën e radhës me Atletico Madridin.
Champions League, çerekfinalet e kthimit
E mërkurë, 15 prill 2026 - 21:00
Arsenal 0-0 Sporting Lisbone (1-0)
Bayern Munich 4-3 Real Madrid (2-1)
E martë, 14 prill 2026 - 21:00
Atletico Madrid 1-2 Barcelona (2-0)
Liverpool 0-2 PSG (0-2)
*Shënim: Në kllapa () rezultatet e ndeshjeve të para
Ndeshjet gjysmëfinale:
PSG - Bayern Munich
Atletico Madrid - Arsenal
Shënim: Ndeshjet e para luhen më 28 dhe 29 prill, ndërsa ato të kthimit më 5 dhe 6 maj
Komente






