Emocione, gola dhe surpriza kanë karakterizuar mbrëmjen e sotme në Champions League, ku stadiumi “Anfield” u kthye në skenën e një fitoreje të madhe për Liverpoolin ndaj Real Madridit. “Të kuqtë” triumfuan minimalisht 1-0 në një përballje të zjarrtë, e cila u zhbllokua vetëm në minutën e 60-të.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, megjithëse rastet e pastra dhe tensioni nuk munguan. Në fraksionin e dytë, “Anfield” shpërtheu kur Dominik Szoboszlai harkoi saktë nga një goditje dënimi dhe Alexis Mac Allister mposhti Courtois për golin e vetëm të takimit. Portieri belg ishte një nga më të mirët për Realin, duke ndalur disa tentativa të rrezikshme, por nuk mundi të shmangte rrjetën e argjentinasit, lojtar që ndodhet në radarin e madrilenëve për merkaton e verës që vjen.
Në Paris, Bayern Munich vazhdoi marshimin perfekt në këtë edicion, duke regjistruar fitoren e 16-të radhazi. Kampionët e Gjermanisë triumfuan 1-2 ndaj PSG-së, kampiones në fuqi të Europës, në “Parc des Princes”. Luis Diaz ishte protagonist absolut me dopietën e tij në minutat 3’ dhe 32’, ndonëse u ndëshkua me karton të kuq në shtesën e pjesës së parë. Për vendasit, Joao Neves ngushtoi diferencën në minutën e 73’ me një gol akrobatik, por pa mundur të ndryshojë fatin e sfidës. Me këtë fitore, Bayern mban kreun e grupit me 12 pikë në 4 ndeshje, njësoj si Arsenali dhe konfirmohet si favorit kryesor për trofeun e Champions League këtë sezon.
Në Torino, Luciano Spalletti debutoi në stolin e Juventusit me një barazim 1-1 ndaj Sporting Lisbon. Portugezët kaluan të parët në avantazh me Maximiliano Araujo në minutën e 12-të, ndërsa Dusan Vlahovic barazoi pas një asisti të Thuram në të 34-ën. Në minutat e fundit u aktivizua edhe Edon Zhegrova, por pa ndikuar në rezultat.
Në Londër, Tottenham konfirmoi formën e shkëlqyer me një fitore të thellë 4-0 ndaj Copenhagen. Brennan Johnson zhbllokoi rezultatin në minutën e 19-të, ndërsa në pjesën e dytë shënuan edhe Odobert (51’), Micky van de Ven (64’) dhe Joao Palhinha (67’), për një mbrëmje perfekte në “Tottenham Hotspur Stadium”.
Fitore për Arsenalin, Atletico Madridin dhe Monaco. Napoli u ndal në barazim pa gola kundër Eintracht. Të mërkurën luhen edhe nëntë ndeshjet e radhës për raundin e katërt në fazën e ligës.
Champions League, raundi 4-t:
E martë, 04 nëntor 2025
18:45
Napoli 0-0 Eintracht Frankfurt
Slavia e Pragës 0-3 Arsenal
21:00
Atletico Madrid 3-1 Royale Union SG
Bodo/Glimt 0-1 Monaco
Juventus 1-1 Sporting Lisbone
Liverpool 1-0 Real Madrid
Olympiacos 1-1 PSV
PSG 1-2 Bayern Munich
Tottenham 4-0 FC Copenhagen
Renditja:
Komente






