Champions League është në aktin e parë për fazën e 1/8-ave, me katër takimet e para që u zhvilluan mbrëmjen e djeshme, ndërsa këtë të mërkurë në fushë do zbresin tetë skuadrat e tjera.

Duke nisur nga ora 18:45 luhet Bayer Leverkusen - Arsenal, me 'Topçinjtë' e Londrës që duan të konfirmohen edhe në Champions, pasi në Premier League kryesojnë prej javësh renditjen dhe e kanë vënë 'një dorë' te titulli kampion në Angli. Arsenali nuk do ketë të gatshëm Mikel Merinon dhe Martin Odegaard, teksa vendasit nga Gjermania do duhet të bëjnë pa gjashtë futbollistë; Arthur, Loic Bade, Ben Seghir, Mark Flekken, Lucas dhe Nathan Tella.

Në orën 21:00 të gjithë sytë e tifozëve do jenë në 'Bernabeu' pasi vendasit e Real Madridit luajnë kundër Manchester Cityt. Vitet e fundit dy skuadrat janë përballur shpesh në fazën me eliminim direkt, duke dhuruar gola dhe emocione. Arbeloa te spanjollët do duhet të bëjë pa Alabën, Bellingham, Cabellos, Eder Militao, Carreras, Mbappe dhe Rodrigo, shumë yjë që vuajnë dëmtimet. Nga ana tjetër Pep Guardiola kthehet në këtë stadium për të marrë fitoren, por nuk do ketë të gatshëm emra si Gvardiol, Kovacic dhe Lewin. Dy skuadrat u përballën edhe në fazën e ligës së këtij edicioni, teksa më 10 dhjetorin e vitit të shkuar Manchester City fitonte 1-2 në 'Bernabeu'.

Në 'Parkun e Princave', Paris, kampionët në fuqi të këtij eventi, PSG, presin Chelsean. Luis Enrique ka dy mungesa, Fabian Ruiz dhe Quentin Ndjantou, teksa 'Blutë e Londrës' kanë tre mungesa; Estevao, Gittens dhe Colwill.

Champions League, faza e 1/8-ave:

E mërkurë, 11 mars 2026

18:45 Bayer Leverkusen - Arsenal

21:00

Bodo/Glimt - Sporting Lisbone

PSG - Chelsea

Real Madrid - Manchester City

E martë, 10 mars 2026

18:45 Galatasaray 1-0 Liverpool

21:00

Atalanta 1-6 Bayern Munich

Atletico Madrid 5-2 Tottenham

Newcastle 1-1 Barcelona

*Ndeshjet e kthimit do zhvillohen pas një jave

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:16
Donnarumma për ish-shokun e ekipit: Sa mirë që Kylian Mbappe nuk është sot

1773227850_gianluigidonnarumma.JPG

Sot në orën 21:00 në 'Bernabeu' luhet sfida mes Real Madridit dhe Manchester Cityt, duel që vlen për aktin e parë të fazës së 1/8-ave të Champions League. Përpara duelit për mediet foli portieri i Cityt, Gianluigi Donnarumma.

Italiani duket se është 'komod' që Kylian Mbappe, ish shoku i tij i ekipit te PSG-ja, do mungojë për rivalët në këtë duel nga një dëmtim. Megjithatë Gigio i uron shërim të shpejtë.

"Real Madridi është një nga favoritët për këtë trofe të këtij viti, historia flet vetë. Ata janë mësuar të luajnë ndeshje të tilla, por do të përballen me një skuadër të etur për të surprizuar. Ne e dimë atmosferën që na pret këtu, është e rëndësishme t’i menaxhosh situata të tilla.

Mbappe? Kam pasur fatin të luaj me Mbappe dhe ai është një nga më të mirët në botë. Si portier, të mos përballesh me një lojtar të këtij niveli mund të jetë avantazh, por do të duhet të tregojmë të njëjtën vëmendje ndaj kujtdo që do ta zëvendësojë. Shpresoj që ai të jetë gati për ndeshjen e kthimit, sepse e meriton. Me Courtois kam një marrëdhënie të shkëlqyer. Ai është një nga portierët më të fortë dhe ka qenë në atë nivel për shumë vite. Kam shumë për të mësuar prej tij", tha Donnarumma.

Ora 10:20
Arbeloa para sfidës kundër Cityt: Edhe pse pa Mbappe, Real Madridi nuk është inferior

1773220922_alvaroarbeloa.JPG

Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka theksuar se skuadra madrilene nuk duhet të ndihet inferiore ndaj Manchester Cityt, edhe pse do të mungojë ylli francez Kylian Mbappe në ndeshjen e parë të raundit të 1/8-ave në Champions League.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes që do të zhvillohet sot në orën 21:00 në 'Bernabeu', Arbeloa u shpreh se identiteti dhe historia e klubit madrilen e bëjnë skuadrën të mos ndihet kurrë më e dobët se kundërshtarët.

“Ne jemi Real Madridi dhe nuk mendoj se ndihemi ndonjëherë inferiorë ndaj askujt, pavarësisht rrethanave apo kundërshtarit që kemi përballë”, deklaroi ai.

Real Madridi do të përballet me një kundërshtar të njohur, të drejtuar nga trajneri Pep Guardiola, për të cilin Arbeloa tha se shpesh sjell surpriza taktike në ndeshje të tilla.

Përveç Mbappe, i cili po rikuperohet nga një dëmtim në gju, madrilenët kanë edhe disa mungesa të rëndësishme si Jude Bellingham, Rodrygo, Eder Militao, David Alaba dhe Dani Ceballos.

Në mungesë të tyre, sulmi i Real Madridit pritet të udhëhiqet nga Vinicius Junior, për të cilin Arbeloa theksoi se do të ketë një rol vendimtar.

“Na duhet më e mira nga ai nëse duam ta eliminojmë Cityn”, tha trajneri.

Sa i përket gjendjes së Mbappes, Arbeloa u shpreh optimist, duke theksuar se lojtari po përmirësohet çdo ditë dhe tashmë ka nisur të vrapojë në qendrën stërvitore të klubit. Aktivizimi i tij në ndeshjen e kthimit më 17 mars në 'Etihad' mbetet ende i pasigurt, pasi klubi po tregohet i kujdesshëm me rikuperimin e sulmuesit francez.