Champions League mbylli dje fazën e ligës duke plotësuar panoramën e plotë të skuadrave të kualifikuara për në fazën e 1/8-ave dhe atë play-off. Tanimë është ndarë edhe rruga drejt finales së Budapestit, ndërsa skuadrat që janë në play-off kanë mësuar rivalët e mundshëm, një mes të cilëve do zyrtarizohet nesër në orën 12:00, pasi në Nyon do mbahet shorti i kësaj faze.

Në bazë të pozicionit në tabelën finale të renditjes, janë ndarë edhe kundërshtarët e mundshëm që janë si më poshtë.

Real Madridi do ketë rival të mundshëm një mes Benficas dhe Bodo/Glimt, ashtu si edhe Interi. Fakt është se Jose Mourinho me Benfican e tij do ketë përballë një mes Interit ose Real Madridit, dy skuadra ku ai ka fituar gjithçka. Nëse Interi dhe Real Madridi do kalojnë këtë fazë, më pas do përballen me njërën mes Manchester Cityt apo Sportingut të Lisbonës.

Ndërkohë Juventusi në goglat që do hidhen nesër ka për të "peshkuar" një mes Galatasaray apo Club Brugge. Nëse kalon këtë fazë, 'Zonja e Vjetër' do udhëtojë për në Angli pasi përballë do ketë një mes Liverpool ose Tottenham.

Atalanta e Berat Gjimshitit do ketë rival një mes Olympiacos ose Borussia Dortmund. Nëse kalon fazën play-off, më tej bergamaskët do përballen me njërën mes Bayern Munich ose Arsenal.

Shorti

Klubet do të përballen në play-off bazuar në pozicionin e tyre në fund të fazës së ligës, duke formuar katër çifte 'të renditura' (klubet në pozicionet 9 deri në 16) dhe katër çifte 'të pa renditura' (pozicionet 17 deri në 24). Klubet në secilën çift 'të renditura' shortohen kundër klubeve në secilën çift 'të pa renditura'. Klubet 9 ose 10 kundër klubeve 23 ose 24, klubet 11 ose 12 kundër klubeve 21 ose 22, klubet 13 ose 14 kundër klubeve 19 ose 20, dhe klubet 15 ose 16 kundër klubeve 17 ose 18.

Shorti për të përcaktuar fazën play-off

Shorti për play-off do të zhvillohet të premten, më 30 janar 2026, në Nyon, Zvicër. Goglat do fillojnë të rrotullohen nga ora 12:00. Ekipet nga i njëjti shtet dhe ekipet që kanë luajtur me njëra-tjetrën në fazën e ligës mund të përballen në këtë fazë.

Kur do zhvillohen ndeshjet e fazës eliminatore play-off?

Raundi i eliminatoreve do të jetë me dy ndeshje, me ndeshjet e para të planifikuara për më 17 dhe 18 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit një javë më vonë, më 24 dhe 25 shkurt.

Verdiktet e plota pas tetë ndeshjeve në fazën e ligës të Champions League:

Skuadrat që kalojnë direkt në fazën e 1/8-ave: Arsenal, Bayern Munich, Liverpool, Tottenham, Barcelona, Chelsea, Sporting Lisbone dhe Manchester City

Skuadrat që do garojnë në play-off: Real Madrid, Inter, PSG, Newcastle, Juventus, Atletico Madrid, Atalanta, Leverkusen, Dortmund, Olympiacos, Club Brugge, Galatasaray, Monaco, Qarabag, Bodo/Glimt, Benfica

Skuadrat e eliminuara: Marseille, Pafos, Union Saint-Giroise, PSV, Athletic Bilbao, Napoli, FC Copenhagen, Ajax, Frankfurt, Slavia e Pragës, Villarreal dhe Kairat Almaty.

Rruga drejt finales së Budapestit 2026