Kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Evropë, Champions League zhvilloi këtë të mërkurë katër ndeshjet e mbetura për fazën e 1/8-ave në sfidat e aktit të parë. Real Madridi fitoi 3-0 kundër Manchester Cityt, PSG mposhti 5-2 Chelsean, Bodo/Glimt ‘theu’ 3-0 Sportingun e Lisbonës, ndërsa Leverkusen ndali 1-1 Arsenalin në Gjermani. Sfidat e kthimit dhe ato që do vendosin tetë skuadrat çerekfinaliste do zhvillohen mesjavën që vjen.

Me shiritin e kapitenit në krah, Federico Valverde ‘veshi kostumin e superheroit’ duke i dhënë Real Madridit fitoren 3-0 kundër Manchester Cityt me tripletën në pjesën e parë. Fillimisht Valverde shënoi në minutën e 20-të pas asistit të Courtois, ndërsa shtatë minuta më vonë Vinicius asistoi për uruguaianin. Në fundin e pjesës së parë Diaz dha një pasim brilant për Feden, i cili veproi po aq bukur për të mposhtur Donnarumman. Në pjesën e dytë Reali gaboi nga pika e bardhë e 11 metërshit, teksa Gigio ndali Vinicius. Gjatë 82 minutave në fushë, Erling Haaland ishte hija e vetvetes.

Arsenali ka barazuar në minutat e fundit përballë Leverkusen, me ndeshjen e parë të luajtur në Gjermani që përfundoi me rezultatin 1-1. Sfida nisi me raste nga të dyja skuadrat, të cilat tentuan të gjenin golin e avantazhit, por pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Pjesa e dytë nisi menjëherë me gol, me vendasit që shënuan nga një goditje këndi me Andrich. Atëherë kur çdo gjë mendohej e mbyllur, ishte Madueke që u pengua në zonë dhe fitoi një 11-metërsh të diskutueshëm për ‘Topçinjtë’, që u shndërrua në gol nga ish-i Havertz.

Në ‘Parkun e Princave’ në Paris, kampionët në fuqi të PSG-së fituan 5-2 kundër Chelseat. Barcola kaloi francezët në epërsi, teksa Gusto barazoi, por sërish PSG shënoi, këtë herë me Dembele për rezultatin 2-1 në pjesën e parë. Në nisjen e fraksionit të dytë Enzo Fernandez barazoi përkohësisht, para se PSG të shënonte tre herë të tjera me Vitinhan dhe dopietën e Kvaratskhelias.

Në Norvegji, Bodo/Glimt tregoi se nuk është më surprizë e këtij eventi, por një realitet. Pasi eliminuan Interin, nordikët fituan sot 3-0 kundër Sportingut të Lisbonës me golat e Fet, Blomberg dhe Hogh.

Champions League, faza e 1/8-ave:

E mërkurë, 11 mars 2026

18:45 Bayer Leverkusen 1-1 Arsenal

21:00

Bodo/Glimt 3-0 Sporting Lisbone

PSG 5-2 Chelsea

Real Madrid 3-0 Manchester City

E martë, 10 mars 2026

18:45 Galatasaray 1-0 Liverpool

21:00

Atalanta 1-6 Bayern Munich

Atletico Madrid 5-2 Tottenham

Newcastle 1-1 Barcelona

*Ndeshjet e kthimit do zhvillohen pas një jave