Sot në orën 21:00 në 'Metropolitano' të Madridit do të luhet ndeshja mes Atleticos dhe Arsenalit, e vlefshme për gjysmëfinalet e Champions League. Ky është takimi i parë mes tyre, ndërsa më 5 maj në Londër do të zhvillohet dueli i kthimit që do përcaktojë fatet e finales.
Pas fitores së PSG-së 5-4 kundër Bayern Munchen, tifozët kanë pritshmëri të larta për këtë 90 minutësh. Diego Simeone nuk do të ketë të gatshëm për shkak të dëmtimeve Pablo Barrios, Jose Gimenez dhe Nicolas Gonzalez. Ndërkohë Mikel Arteta do duhet të bëjë pa të dëmtuarit Kai Havertz, Mikel Merino dhe Jurrien Timer.
Formacionet e mundshme:
Atl. Madrid: Oblak; Molina, Pubil, Le Normand, Ruggeri; Simeone, Llorente, Koke, Lookman; Griezmann, Alvarez
Arsenal: Raya; White, Saliba, Gabriel, Hincapie; Rice, Zubimendi, Odegaard; Eze, Madueke, Gyokeres

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, u duk i qetë dhe i përqëndruar në prag të një tjetër sfide të madhe në Champions League, duke theksuar se skuadra e tij nuk ndjen presion, por një përgjegjësi të madhe.
Pas eliminimit të Barcelonës, Atletico Madridi do të përballet sot me Arsenalin në gjysmëfinale, në duelin e parë që do të luhet në stadiumin 'Metropolitano'.
“Nuk ka presion, vetëm përgjegjësi dhe një emocion të veçantë”, u shpreh tekniku argjentinas, i cili në ditëlindjen e tij të 56-të u pyet edhe për dëshirën më të madhe. “Nuk kam dëshira. Jam me fat për familjen time dhe kam vetëm arsye për të qenë mirënjohës”, deklaroi ai.
Simeone e cilësoi si “të jashtëzakonshme” arritjen në këtë fazë të kompeticionit, duke vlerësuar mbështetjen e tifozëve dhe energjinë që ata transmetojnë. Megjithatë, ai nuk e nënvlerëson kundërshtarin. Arsenali, sipas tij, është një skuadër e fortë, veçanërisht në goditjet standarde.
“Është e bukur të ëndërrosh, por gjithçka vendoset në fushë. Jemi pranë një objektivi të madh që klubi nuk e ka arritur kurrë. Duam të luajmë sipas stilit tonë dhe të gjejmë mënyrën për t’i vënë në vështirësi. Na duhet edhe pak fat, por mbi të gjitha intensitet dhe identitet në lojë”, përfundoi Diego Simeone.
Komente




