Dy skuadrat Barcelona dhe Interi gjatë ndeshjes së sotme kanë hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt kualifikimit në Grupin B, pasi kanë fituar ndeshjet respektivisht kundër Tottenhamit dhe PSV-së dhe kanë shkuar në krye të grupit me nga 6 pikë.
Katalanët kanë triumfuar me rezultatin 2-4 në “Wembley”, me gola të Coutinhos, Rakitiç dhe Messit dy herë, ndërsa për vendasit shënuan Kane dhe Lamela, por pa mundur të ndryshojnë rrjedhën e takimit.
Ndërsa nga ana tjetër zikaltrit e panë veten në disavantazh në Holandë, që në minutën e 27’, kur Rosario shënoi për vendasit, por skuadra e Spallettit reagoi dhe rigjeti sërisht baraspeshën në minutën e 44-t, kur shënoi Radja Nainggolan.
Mirëpo në 45-minutëshin e dytë, konkretisht në minutën e 60’ ishte kapiteni Mauro Icardi ai që shënoi golin me vlerë 3-pikëshe për milanezët, ndërsa PSV iu afrua disa herë golit të barazimit, por Handanoviç ishte në lartësinë e detyrës.
Aktualisht në këtë grup Barcelona dhe Interi kryesojnë me nga 6 pikë, ndërsa Tottenham dhe PSV nuk kanë asnjë pikë pas dy ndeshjeve të para, por dy takimet e ardhshme do të impenjojnë dy herë kryesueset përballë njëra-tjetrës, dhe anglezët do të përballen dy herë me PSV-në, për të rikuperuar pikët e lëna.
Po ashtu edhe në grupin A Atletico Madrid dhe Borussia Dortmund morën fitoret e radhës, duke shkuar në kuotën e 6 pikëve të dyja dhe duke lënë Monacon dhe Club Bruggen pa asnjë pikë, pas dy ndeshjeve të para. Spanjollët kanë mposhtur sot belgët e Club Brugge me rezultatin 3-1, ndërsa Dortmundi triumfoi ndaj Monacos me rezultatin e pastër 3-0.
Dhe në grupin C Napoli arriti të shënojë në minutat e fundit një gol me anë të Lorenzo Insignes dhe të mposhtë Liverpoolin me rezultatin minimal 1-0, duke marrë 3 pikët dhe duke u ngjitur përkohësisht në vendin e parë me 4 pikë.
Llogaritë për rezultatet në këtë grup janë të pamundura, pasi krahas Napolit dhe Liverpoolit, në garë për kualifikim është edhe PSG-ja, e cila ka shkatërruar sot me rezultatin 6-1 Crvena Zvezdën.