Ndeshja mes Galatasaray dhe Barcelonës po bën bujë jo vetëm për atë që pritet të ndodhë në fushë, por edhe për shifrat rekord të biletave. Sipas raportimeve të mediave turke dhe spanjolle, kjo përballje është cilësuar si ndeshja me çmimet më të larta të biletave në historinë e futbollit turk.

Bileta më e shtrenjtë ka arritur në 1.360 euro, ndërsa ajo më e lira është shitur për rreth 51 euro.

Çmimet marramendëse, nga 51 deri në 1.360 euro

Sipas listës zyrtare të publikuar për biletat e kësaj sfide, çmimet variojnë ndjeshëm në varësi të kategorisë së vendit në stadium. Kategoria Premium kushton rreth 1.360 euro, ndërsa biletat Deluxe shkojnë në rreth 1.270 euro. Për kategoritë Lux dhe Classic, çmimet janë përkatësisht rreth 1.225 dhe 1.180 euro.

Edhe kategoritë e tjera kanë çmime të larta, duke nisur nga rreth 910 euro për kategorinë e parë, deri në rreth 51 euro për kategorinë më të lirë.

“RAMS Park”, i tejmbushur për Barcelonën

Interesi i tifozëve për këtë takim ka qenë jashtëzakonisht i madh. Sipas raportimeve, të gjitha biletat e nxjerra në shitje janë shitur, ndërsa stadiumi “RAMS Park”, me një kapacitet zyrtar prej 53.387 vendesh, pritet të jetë i mbushur plot.

Përballja me skuadrën katalanase ka rritur ndjeshëm interesimin në Stamboll, ku tifozët e Galatasarayt synojnë të krijojnë atmosferë të zjarrtë në një prej sfidave më të rëndësishme europiane të sezonit.

Nëntë të arrestuar për rishitjen e biletave

Interesi i madh për ndeshjen ka sjellë edhe ndërhyrjen e autoriteteve në Stamboll. Sipas raportimeve të mediave, policia ka arrestuar nëntë persona të dyshuar për përfshirje në rishitjen e paligjshme të biletave.

Kështu, Galatasaray-Barcelona që do të luhet sonte në orën 20:45, ka tërhequr vëmendjen që përpara vërshëllimës së parë, duke u kthyer në një ngjarje të rëndësishme jo vetëm sportive, por edhe ekonomike, për shkak të çmimeve rekord dhe kërkesës së lartë për të qenë të pranishëm në stadium. Galatasaray pritet të përfitojë rreth 5 milionë euro nga ndeshja me Barcelonën.