Chelsea i jep fund thatësirës, vjen fitorja e parë në 2025! Como e Fabregas i jep leksion Udinese-s (VIDEO)
Chelsea i Mareskës ka gjetur fitoren e parë në Premier League për vitin 2025. Londinezët mposhtën 3-1 Wolvesin dhe u rikthyen të jenë mes 4 më të mirëve në kampionat.
Thatësirës i erdhi fundi. 5 ndeshje nga hera e fundit, Chelsea arriti të siguronte një fitore në Premier League, duke mposhtur 3-1 Wolvesin. Blutë e Londrës në Stamford Bridge zhbllokuan rezultatin në minutën e 24 me Adarabioyo, por ‘ujqërit’ në fundin e pjesës baraspeshuan pas një rrëmuje në zonë.
Në pjesën e dytë ishte Cucurrela i cili riktheu avantazhin për Chelsean, para se Noni Madueke të vuloste rezultatin dhe fitoren njëkohësisht. 3 pikët i rikthyen londinezët në zonën Champions, duke u renditur të 4 me 2 pikë më shumë se Manchester City i vendit të pestë.
Në Seria A java e 21 u mbyll me fitoren 4-1 të Como-s kundër Udinese-s. Skuadra e Fabregas zhbllokoi që në minutën e 5 me Diao, ndërsa para se të shkonin në dhomat e zhveshjes dyfishoi me Strefezën. Me të nisur pjesa e dytë friulanët ngushtuan diferencën, ndërsa në minutën e 57 Goldaniga mori karton të kuq duke lënë Comon me 10 futbollistë dhe duke rrezikuar fitoren.
Megjithatë Solet bëri të njëjtin gabim për Udinesen, ndërsa teksa të dy skuadrat ishin me 10 lojtarë në fushë, Como realizoi edhe dy herë të tjera fillimisht me një autogol dhe më pas me talentin Nico Paz. Me këtë fitore Como, e ngjitur këtë sezon në Seria A, mban vendin e 13 në renditje.